Në shtator del në qarkullim biografia e Berluskonit nga Alan Friedman

berluskoni

Kavalieri rrëfehet ndryshe kësaj radhe, duke nxjerrë shumë anë të panjohura përmes një bisede të gjatë me gazetarin amerikan Alan Friedman. Në fillimin e muajit shtator shtëpia botuese Uegen pritet të nxjerrë në qarkullim librin, i cili konsiderohet ndër biografitë spikatëse për kavalierin. Në këtë libër Alan Fridmani, pas një viti e gjysmë intervistash dhe bashkëbisedimesh me Berluskonin, miqtë, familjarët e tij, rrëfen një jetë që nuk njeh mëdyshje e luhatje. Portreti intim i një njeriu rreth të cilit pandehnim se dinim gjithçka. Por në përgjigjet që i jep Fridmanit, Berluskoni rrëfehet si kurrë më parë. U kthehet çështjeve aq rraskapitëse gjyqësore dhe luftës së gjatë me magjistraturën, flet rreth pasionit të tij për gratë, përjeton sërish ngadhënjimet dhe hidhërimin e humbjeve. Rrëfen për vitet Gjashtëdhjetë dhe Shtatëdhjetë, kur qytet-kopshtet* e tij mishëruan ëndrrën e një Italie që zbulonte mirëqenien. Rrëfen për vitet Tetëdhjetë, kur me televizionin komercial ndryshoi zakonet dhe shijet e italianëve, duke teptisur në eter konsumizmin yuppie dhe hedonizmin e tipit amerikan. Rrëfen për Milanin e tij të dashur, skuadrën e zemrës të fëmijërisë, që e ngjiti në majat e botës. Rrëfen për politikën italiane, flet për të shkuarën dhe të ardhmen e tij. Në portretin e gjallë e plot larmi të Fridmanit spikatin fuqishëm ngjarjet dramatike ndërkombëtare, sepse Berluskoni ka qenë dëshmitar dhe protagonist i periudhës pas rënies së murit të Berlinit. Pas miqësisë me Xhorxh Ë. Bushin dhe Vladimir Putinin (i intervistuar këtu ekskluzivisht) del në pah roli i tij si ndërmjetës në diplomacinë sekrete midis Moskës dhe Uashingtonit. Dhe falë aksesit në burime të rezervuara evropiane dhe amerikane, si dhe dëshmive mjaft të vyera të Hoze Luis Zapateros dhe Hoze Manuel Barrosos, Fridmani zbulon një intrigë të mirëfilltë ndërkombëtare dhe rindërton manovrat që shoqëruan pushtimin e Irakut (2003), ndërhyrjen në Libi në fillim të Pranverës arabe dhe takimet e trazuara të krerëve rreth krizës financiare të Eurozonës, në vjeshtën e vitit 2011. Më në fund del në dritë, falë një shembulli të shkëlqyer të gazetarisë hulumtuese, roli i vërtetë i Angela Merkelit dhe Nikolas Sarkozisë në përpjekje për të rrëzuar Berluskonin. Në një libër që nuk cenohet aspak nga njëanshmëria dhe ka rrjedhshmërinë e një romani, Fridmani i jep lexuesit mundësinë e papërsëritshme për të njohur nga afër një njeri me personalitet aq të vrundullt. “Shumë gjëra mund të më bëjnë,” ka thënë Berluskoni, “por s’mund të më detyrojnë të dorëhiqem nga vetvetja.”

Alan Friedman gazetar amerikan që ka zgjedhur të jetojë në Itali, ka qenë korrespondent i “Financial Times”, kryeredaktor ekonomik i “International Herald Tribune”, editorialist i “Ëall Street Journal” dhe analist i “Vanity Fair”. Sot është editorialist i “Corriere della Sera”. Katër herë fitues i British Press Aëard, është producent dhe drejtues i programeve të shumta në Britaninë e madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Itali, ku ka punuar për Rai, Sky Tg 24 dhe La7. Ndër librat e tij veçojmë, Gjithçka në familje (1988), Nëna e tërë bizneseve (1993), Udhëkryqi (1996) dhe Të vrasim Gatopardin (2014).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *