Këtë javë “Vitrina e librit” iu rekomandon lexuesve katër libra, ku në rend të parë ka vendosur “Enigma e një fundi” e Julian Barnes. Libri që ka fituar çmimin Man Booker Prize, është përkthyer nga Ilir Baçi dhe është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi” në muajin gusht të këtij viti.
Ky libër rrëfen në mënyrë mbresëlënëse raportin tonë me kujtesën, pasaktësinë që merr në kohë. Kujtimet jo fort të këndshme na pëlqen ti harrojmë dhe vjen një moment që nisin të bëjmë një seleksion në atë se çfarë historie i tregojmë vetes tonë dhe çfarë iu tregojmë të tjerëve për veten tonë. Prandaj romani postmodernist “Enigma e një fundi” ka nota tipike ekzistenciale; Çkuptim ka jeta? Si e jetojmë jetën tomë. Çkuptim i japim jetës tonë. Ky roman e bëri të njohur autorin, duke fituar edhe çmimin Man Booker Prize dhe mbetet ndër më të shiturit…
Rekomandimi i dytë është “Kur bota jonë u bë e krishterë” e Paul Veyne, i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Toena” në muajin korrik të këtij viti përmes përkthimit të Artan Kotros.
“Kur bota jonë u bë e krishterë” është një libër i jashtëzakonshëm mbi botën njerëzore, fetare dhe politike. Shkruar nga një prej historianëve kryesorë të Francës, Paul Veyne, i cili shtjellon një çështje të madhe: Si ishte e mundur që krishterimi, si “kryevepra e shpikjes fetare”, arriti që në mes të viteve 300 dhe 400 pas Krishtit, ta vendosë veten mbi gjithë botën perëndimore? Ky libër vjen për të gjithë skeptikët dhe ata që kërkojnë të dinë se kush ishte Konstandini? Cili ishte roli i tij në fenë e krishterë?
Ky libër, një bestseller në Francë, synon për një lexues të gjerë të interesuar ndaj historisë, fesë dhe krijimit të botës moderne.
Rekomandimi i tretë i kësaj jave është “Të luash me zjarrin” nga Tess Gerritsen. Libri është përkthyer nga Ines Konomi dhe hidhet në treg nga Botimet IDK.
Ky roman sjell një histori dashurie e marrëzie, një të fshehtë vdekjeprurëse, të kamufluar mes notave të një partiture të vjetër. Autorja me profesion mjeke, Tess Gerritsen konsiderohet sot një ndër autoret më popullore në mbarë botën në zhanrin e romaneve thriller. Për prestigjiozen ‘Publishers Ëeekly’ ajo është madje “mbretëresha e romaneve ‘medical suspense'”. Shumë prej romaneve të saj janë bërë bestseller, duke qenë në krye të klasifikimeve si në SHBA, ashtu dhe në shumë vende europiane. Librat e saj janë të përkthyera në 31 gjuhë, me më shumë se 15 milion kopje të shitura në mbarë botën. “Të luash me zjarrin” është romani i saj i fundit.
Rekomandimi i fundit është “Dashnori i Kinës së Veriut” i Margaret Duras i përkthyer nga Krenar Hajdëri. Kjo vepër konsiderohet një ngjarje unike letrare: M. Duras, pasi mëson për vdekjen e burrit që kishte qenë protagonist i romanit “Dashnori”, gjashtë vjet më pas rishkruan historinë e dashurisë. Protagonistët janë po ata: burri kinez dhe pesëmbëdhjetëvjeçarja e bardhë. I njëjti sfond: Indokina e viteve tridhjetë, me pasditet e saj rraskapitëse, aroma e shiut dhe jaseminit, rrugët e mbushura me qen, lypës, të marrosur, netët e xhazit. Por historia rijetohet, nxirret edhe një herë nga pluhuri, zhvillohet, zmadhohet, sepse në thelb ajo është zemra e të gjithë veprës së Duras-it. Fëmijëria në Konçinçinë rivështrohet me furinë e atij që do të shprehë gjithçka: krenarinë, varfërinë, lakminë, mizorinë e jetës koloniale për të zvetënuarit. Nuk ka vend për dhimbsuri apo mall. Pasionet janë parësore, të dhunshme: një vëlla i gatshëm për të vrarë për pak drogë, një nënë e prirë të prostituojë të bijën, një burrë i pasur kinez që vjen nga Veriu, përballë një familjeje të shkatërruar.
Rekomandimet e “Vitrina e Librit” të Top Channel i gjeni çdo javë në faqen e Bukinist.al.