(Shënime për novelën “Pa zemër në kraharor” të Mira Meksit, Onufri 2016)
Agim Baçi
Jemi të vdekur pa Dashuri? Nëse jo, si mund ta provojmë përveçse përballë vdekjes? Gjithçka në rrëfimin e Mira Meksit nis me një piktore tridhjetëvjeçare që varros hirin e dashurisë së saj për të provuar rrugëtimin e provës “mbi zemër”. Më pas, vendos të shohë se cila është rruga për të shhirnuar dashurinë, të nxjerrë nga ajo grimë zjarrin që i duhet. I duhet të kthejë jehonën e një dashurie në zë të fortë. Dhe, më së pari, heq kufijtë, teksa e nis me joshjen e burrit të motrës së saj, Gentit.
“Qëndrova gjatë pranë varrit të varkëletrës që mbante brenda dashurinë time. Me mendje ndoqa udhën e saj nëpër lumin e kohës që vazhdonte të rridhte ngadalë, pandalshëm dhe i kaltër, dhe, papritur, mekanizmi i kujtesës u vu në punë… Ndjeva të më kaplonte të gjithën ndjesia e mrekullueshme mjaltëse e takimeve të para dashurore, puthjes së parë, prekje të drojtura, aromës së l’eau d’issey, më pas ndjesia e ekztasës së ndjenjës më të fuqishme që na gufon shpirtin dhe na jep shijen e pavdekësisë. Ishte një ndjesi fizike aq e gjallë dhe aq drithëruese, sa, përnjimend, besova se po përjetoja një fillim të ri dashurie, ndopnëse pa të dashur”. (Mira Meksi, “Pa zemër në kraharor”, Onufri 2016, f.14).
Heroina jonë fluturon, josh, kërkon. Me zemër të ndrydhur vendoset në sfond të Ditës së të Vdekurve, në Meksikë. Aura e Fuentes, dhe Genti, që nuk është veçse çakmaku për të rindezur zjarrin e shuar, nis të tretet përballë heroinës që duket se i bashkëngjitet tjetër bote, atje ku kufijtë nuk janë më as të prekshëm e as të nevojshëm. Frida Kahlo dhe Diego Riviera në muzeun e tyre, me hiret e përshkruara, me dashuri të dyzuara, vijnë e i japin dritë një tjetër udhe.
Heroina jonë nuk ka më nevojë për kurorëshkelësin tjetër. Zjarri tashmë e ka bërë të vetën. Zemra është rrethuar me mure dhe vetëm trupi nis të ndjejë djegien. Është mbretëria e Erosit, por e mbështetur në lëkurë, pa rrahje zemre. Është një tjetër botë. Por, edhe është një botë “përtej”, sërish heroina jonë dashurinë kërkon. Veçse ajo çfarë kërkon të shohë është larg. Shumë larg. Gjithçka e ka mundur trupi, që rënkon pa i treguar asgjë zemrës, që është mbyllur në guvën e pafuqisë për të kuptuar se çfarë na ndez e çfarë na shuan.
Është një rrëfim pikturuar me imagjinatë, me një gjuhë në shtratin e poezisë. Për Meksin nuk ka ndonjë kufij tokësor për atë çfarë kërkojmë. I vetmi kufi është kuptimi dhe moskuptimi i dashurisë. I ka përkëdhelur fjalët. Fjalitë duket sikur janë përkundur një e nga një deri sa të gjejnë djepin e duhur të afshit përshkrues. Dhe nuk ka kohë për gjykime, sepse duhet t’i japim formë “orëve të squllura” që ka paralajmëruar Salvadore Dali.
Por, në fakt, ç’janë “orët ë squllura”? Mos janë orët që ne nuk kemi ditur se ç’drejtim do të duhet t’u japim gjërave tona, ndjesive tona, njohjeve tona? Askush ndoshta nuk e di se ç’është koha e vërtetë, “koha pa muskuj” për aq kohë sa nuk i ka dhënë kuptim pasioneve, brengave, dëshirave.
Nuk është mungesa e dashurisë, por moskuptimi i saj ajo që sjell një rrugëtim drejt të shkuarës. Dhe kërkojmë shumë larg, deri atje ku besojmë se është fillimi i botës. Me shpresën se ka pasur edhe më shumë zgjidhje kur kemi humbur rrugën, por që kemi nevojë që të zgjohemi e t’i shohim.
Por, zgjidhja nuk mund të ketë hiret e joshjes. Është vetëm zgjimi i zemrës, dëgjimi i tik-takeve dhe i guximit për të pohuar vetveten ajo që mund të ndezë dritën brenda nesh. E.. nëse na ka humbur dashuria, le ta provojmë sërish. Por, me zemër në kraharor, me guximin për të shkuar në kufijtë e së pamundurës. Sepse, siç thuhet në një tekst kënge të Celine Dion: “Të dashurosh deri në pamundësi, është e mundur!”.
Botuar në gazetën MAPO, datë 20 gusht 2016