Vajzat e rritura le të qajnë, por mbi të gjitha, të veprojnë

vajzat-e-rritura-nuk-qajne

Në foto: Kopertina e romanit “Vajzat e rritura nuk qajnë” i shkrimtares Fay Weldon

Nga Ilir Baçi

Në një intervistë të shkurtër, dhënë revistës Elle më 6 mars 2015, pyetjes “Çfarë keni kuptuar gabim sa i takon feminizmit?”, shkrimtarja britanike, Fay Weldon, iu përgjigj: “Shpresonim të arrinim të kishim një botë ku lindja e një vajze do të pritej po aq mirë sa ajo e një djali. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar thuajse ia kemi arritur. Por kjo fitore e ka pasur një kosto: tashmë rroga e një mashkulli nuk mjafton më për të mbajtur familjen—prandaj u duhet të dyve, edhe burrit, edhe gruas, të nxjerrin nga një rrogë.

Ne, revolucionaret feministe, qemë të reja, plot shëndet dhe energji, vinim nga shtresa e mesme e shoqërisë dhe mezi ç’prisnim të punonim jashtë shtëpisë. Kujtonim se flisnim në emër të të gjitha grave, por në fakt, jo.”

A mund të jetë ky një gabim i aktivisteve të feminizmit? Si burrë mund të them se po. Burrat nuk janë problemi. Ata janë dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Por le të kthehemi te shkrimtarja Fay Weldon, sepse unë mendoj se historia e saj si aktiviste e feminizmit ilustron më së miri gabimet që janë bërë dhe që duhen evituar.

Në një artikull të publikuar në Sunday Times në mars 2015, ajo tregon se “Kur jam njohur me një feministe për herë të parë, mbante veshur kominoshe ngjyrë kaki dhe kambale ushtarake, nuk mbante sytjena, nuk kishte unazë martese në gisht dhe nuk pranonte t’u buzëqeshte burrave. Ndodhi në festën e vitit të ri, në lagjen Primrose Hill të Londrës, në vitin 1970. Pavarësisht përpjekjeve të saj, gjithsesi ajo qe vajza më e bukur në atë sallë. Ky ka qenë edhe prezantimi im me vitet ’70.” Ky prezantim çoi në një jetë aktivizmi pro të drejtave të grave në Angli dhe në mbarë botën. Edhe sot e kësaj dite Fay Weldon flet me zë të lartë për këto të drejta.

Mua më bën përshtypje ky fakt, si mjaft i ngjashëm me skenat hapëse të romanit “Vajzat e rritura nuk qajnë”, ku një grusht vajzash të reja, të ndryshme nga njëra-tjetra por të lidhura rreth një ideali—barazisë gjinore—vendosin të krijojnë një shtëpi botuese përmes së cilës t’i japin zë pikërisht këtij ideali. Duke qenë se vetë Fay Weldon ka qenë protagoniste në zhvillimet feministe në Anglinë e asaj dekade, por edhe të dekadave të pasuan, ajo është në gjendje të përdorë tehun e mprehtë të ironisë për t’i kritikuar këto vajza të reja për gabimet e tyre. Sidomos për “braktisjen e burrave”, si të panevojshëm për çuarjen përpara të kauzës së tyre. Të mos harrojmë se feminizmi i sotshëm më shumë i ka rrënjët në Evropën e pasluftës sesa te aktivistet e të drejtës së votës të fillimshekullit XX. Dhe të mos harrojmë se konteksti historik ishte tejet i polarizuar. Lindje-Perëndim. Komunizëm-Kapitalizëm. Lufta e ftohtë qe në majat e saj. Prandaj edhe kjo lëvizje nuk kishte se si t’i shpëtonte këtij polarizimi: mashkulli qe shtypësi, femra e shtypura. Ky qe edhe gabimi që nënvizon Fay Weldon në romanin e saj “Vajzat e rritura nuk qajnë”.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se feministet kishin gabuar se kishin vepruar. Dhe kush vepron, edhe gabon. Siç e thotë edhe Weldon në roman, feministet “kishin bërë plot gabime, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë politik, mirëpo kush është ai që i bën të gjitha siç duhet? Kishin qarë e kishin ulëritur, kishin bërtitur e kishin protestuar, kishin dashuruar e kishin qeshur më shumë se të tjerët.”

Periudha e dekadës që nisi në vitin 1970 më ngjan në shumë aspekte me Shqipërinë e përpjekjeve demokratike, sa i takon feminizmit. Përtej emancimit industrial të femrës në Shqipërinë komuniste, pak qe bërë për ta vendosur atë në rang dinjiteti të barabartë me partnerin mashkull. Me përpjekjet e reja në vend, arritje janë bërë, por më shumë duhet bërë nga vetë gruaja—si nënë, si motër dhe si shoqe. Anglezi thotë se “bamirësia fillon brenda shtëpisë”. Edhe edukimi, gjithashtu. Nuk mjafton të jesh grua, por edhe të veprosh si e tillë. Dhe, për mua, kjo do të thotë se gratë duhet të militojnë për të drejtat e tyre që në rritjen e brezit të ri, pa tabu dhe pa klishe gjinore të së shkuarës.

Të drejtat që gëzojnë sot gratë në botë nuk kanë ardhur pa sakrifica. Bëhet fjalë për të kthyer zhvillime sociale të mijëra vjetëve, një shtypje gati të përhershme të grave. Humbjet në njerëz kanë qenë të larta. Vetëvrasje, prishje familjesh; shumë prej nesh kemi mbetur vetëm ngaqë askush nuk na duron dot, plus që as ne nuk i durojmë dot të tjerët. Jeta bëhet rraskapitëse kur çdo fjalë këqyret me imtësi për pasojat, kur vlerësohet se mos përbën gabim politik. Është më e lehtë të zgjohesh në mëngjes në një shtëpi të heshtur, e qetë, të dëgjosh radion dhe t’i bësh të gjitha punët e shtëpisë vetë pa ndjekur një listë detyrash të vendosur në mur. Të paktën kështu më duket mua. Dashnorët shkojnë e vijnë. Nëse qëndrojnë gjatë, grindem.”

Le të punojmë të gjithë në Shqipëri—burra dhe gra—për të arritur, jo barazi mekanike, por dinjitet të barabartë midis gruas dhe burrit dhe për t’i çuar më tej të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa pasur një ndarje gjinore politike. Le të mos përsëriten nga aktivistet gra gabimet që përshkruan Fay Weldon në romanin “Vajzat e rritura nuk qajnë”.

 (Romani “Vajzat e rritura nuk qajnë” i shkrimtares Fay Weldon, shqipëruar nga Ilir I. Baçi, është botuar në vitin 2014 nga Botime PEGI.)

Fay_Weldon Ilir_baci

Në foto: Autorja Fay Weldon dhe përkthyesi Ilir Baçi dhe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *