Konteksti i “Klithjes” si vlerë artistike

klithja-ndergjegjes

Recension rreth librit “Klithja e ndërgjegjes” e Ramadan Bozhlanit, i botuar nga shtëpia botuese “Uegen”

Albert Gjoka

Të vërtetat  e mëdha, dhimbjet, dramat apo tragjeditë e kanë vlerën e tyre dhe e gjejnë lexuesin e vet në çdo kohë teksa rrëfehen edhe me gjuhën e thjeshtë, por narracioni i stërholluar pa ngjarjen e peshuar mirë ka pak gjasa për sukses. Autori i romanit “Klithja e ndërgjegjes”, Ramadan Bozhlani ka zgjedhur të tregojë me gjuhën e shtruar gjithë atë dramë që përjetoi dhe ka ende brenda trupit të vet populli i Kosovës: Fatin e të zhdukurve dhe brengën e të gjallëve, të cilat nuk vijnë vetëm një ngjarje që rëndojnë si gur varri mbi të tashmen.

Historia e veprës ndërtohet mbi amanetin që ka Atdhe Arbëri, një gjimnazist që fatkeqësitë e njëpasnjëshme në familjen e tij nuk ia kanë zhbërë vetëdijen personale dhe kolektive, nuk e kanë zbrapsur për të gjetur eshtrat e të vëllait, Fisnikut, i cili është ekzekutuar nga serbët. Por, këtu vetëm sa nis drama e personazhit, i cili i ka humbur të gjithë anëtarët e familjes dhe sërish ka fuqinë të mendojë, të reflektojë, të reagojë, të ndërtojë, të dashurojë, – dhe mbi të gjitha, të sfidojë një të keqe të madhe që ka lëshuar rrënjë mbi gjakun dhe dramën e një populli të tërë.

Këtu është vlera thelbësore e veprës, e cila noton edhe në semiosferën artistike të traditës letrare kosovare (si te romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”), gjendet në sintoni me krijimtarinë bashkëkohore, por, mbi të gjitha, shërben si një aksion qytetar për të denoncuar fenomenet negative që po bjerrin dita-ditës institucionet dhe shoqërinë kosovare.

Historia ka treguar se heronjtë dhe viktimat në betejat për çlirimin e atdheut, jo vetëm nderohen dhe shpërblehen, por ato shërbejnë edhe si një etalon morali në sistemet që ndërtohen. Bash, krejt e kundërta po ndodh në Kosovën e sotme, prandaj brengosen me të drejtë heronjtë e Bozhlanit. Këtu sendërtohet klithja e Atdhe Arbërit, i cili, edhe pse i ri në moshë, e kupton se serbët janë armiku i së shkuarës, që bota e madhe e vlerave dhe qytetërimi i ka ndëshkuar, teksa e tashmja dhe e ardhmja rrezikohen nga përmbysja e këtyre vlerave. Korrupsioni, cenimi i demokracisë, blerja dhe shitja e legjitimitetit të pushtetit, zhbërja e vlerave, shkatërrimi i rendit në një shoqëri janë brenga jo thjeshtë të konstatuara, por edhe të denoncuara pa dorashka.

Personazhet e Bozhlanit nuk pajtohen me të keqen dhe luftojnë me gjithë fuqinë e shpirtit kundër aleancës së antivlerave që ka zënë rrënjë të thella në shoqëritë tona. Ftesa e sinqertë për tu kthyer te drama e së shkuarës, për të kuptuar shkaqet e saj deri në rrënjë nuk shtrohen në diskursin narrativ si betejë ndaj makabritetit që ka kaluar, por si një apel që loti dhe gjaku ndërtojnë moralin e së ardhmes në një shoqëri me parime. E drejta dhe e mira nuk merr jetë me forcën e parasë dhe arrogancën e pushtetit.

Ndonëse kjo “klithje” artikulohet me thjeshtësi dhe sinqeritet, me mjete jo aq të sprovuara narrative, me teknika të thjeshta, vepra e fiton betejën me lexuesit për shkak të misionit që ndërmerr.

Shpeshherë artit i bie barra që të ndërmarrë misionin social, duke u distancuar dhe denoncuar të keqen; duke ndëshkuar ata që prishin sistemet e vlerave në një shoqëri dhe duke kërkuar rikthimin e moralit dhe të ligjit.

Gjaku është ende i njomë në Kosovë, varret janë ende të hapura, kujtesa ndjell ende ankthe dhe trazime, por mesazhi që përcjell “Klithja e ndërgjegjes” është i fuqishëm sepse ai nuk ndërtohet as duke apeluar për hakmarrjen, as kërkon harresën dhe as lyp mëshirën. “Varret e heronjve”, gjaku i tyre, akti që kanë bërë për vendin janë edhe shenja e kujtesës, edhe fuqia e moralit që ndërton një shoqëri e së nesërmes. Rinia, shkolla, mësuesit shihen si faktorë me përgjegjësi të shtuar, përkundër asaj që kanë bërë apo po bëjnë politika, institucionet apo shteti.

Ramadan Bozhlani ka rrokur një histori të madhe, me forcën që ka brenda tij, me kurajën e pazbrapsur, duke vënë në dispozicion gjithë kapacitetin intelektual dhe artistik. Kjo është një sprovë e re në një zhanër si romani për këtë autor. Tek-tuk hasen shmangie kohore në narracion, zhvendosen shpejt fokuset narrative, personazhet kalojnë shpejt para lexuesit, teksa rrëfimtari do të rrëfejë çdo gjë në mënyrë lineare. Lexuesi e kupton rëndesën e përgjegjësisë në rrëfim teksa drama rritet në romanin “Klithja e ndërgjegjes”.

Nëse do ta lexojmë si të tillë, ky libër do ti vlejë shumë çdo lexuesi në Kosovë apo gjithë shqiptarëve në përgjegjësi, për të reflektuar thellë në historinë tonë dhe për të mos e kthyer sërish në dramë të ardhmen e shqiptarëve. Prandaj ne duhet ta çmojnë sprovën e këtij autori sepse fuqia e mesazhit dhe thirrja për reflektim, – sidomos në kontekstin në të cilin vepra komunikon me lexuesin, – ia shtojnë ndjeshëm vlerat këtij romani. Sepse në momente të caktuara misioni i artit përmes veprave letrare përgjatë historisë ka luajtur rol social dhe ka afektuar vlera kombëtare më shumë sesa elitat politike apo institucionet e një vendi.

Autori është menaxheri i projektit Bukinist.al

Veprën “Klithja e ndërgjegjes” e gjeni edhe në platformën online

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *