Një roman që thyen universin e moralit

diana-culi

Një lexim rreth librit “Dashnori i Kinës së Veriut” të Marguerite Duras

Diana Çuli

 

Shtëpia Botuese DITURIA ka nxjerrë në treg një nga romanet e njohur të shkrimtares franceze Marguerite Duras – Dashnori i Kinës së Veriut, botuar në vitin 1991, roman që ka një histori ndoshta tepër të veçantë. Ai  është rishkrim i romanit të mëparshëm të autores,  Dashnori, i cili u botua në vitin 1984, që i dha famë të mëtejshme autores dhe u ekranizua. (Dashnorin e gjejmë gjithashtu në shqip, përkthyer nga Nasi Lera dhe botuar nga Dituria).

Tek Dashnori i Kinës së Veriut, Marguerite Duras ripërfytyron historinë e dikurshme të dashurisë midis një adoleshenteje dhe një kinezi të pasur, por, kësaj radhe nën një këndvështrim më të plotë, ndoshta dhe më të pjekur.

Të dy romanet, që trajtojnë të njëjtën histori, të njëjtin subjekt dhe me të njëjtët personazhe, i vendosin ngjarjet në Vietnamin e  viteve ’20 të shekullit të kaluar, i quajtur asokohe Indokina Franceze. Por, në ndryshim me versionin e parë, versioni i dytë shkruhet si një skenar për film, sikur jemi në një platformë xhirimi ( përfshirë këtu edhe lëvizjet e kamerës dhe gjithë punën tjetër filmuese), gjë që i jep mundësinë lexuesit të ketë një përfytyrim tepër  të gjallë të skenave. Stili magjik i Marguerite Duras-it, megjithë vështirësinë e kësaj ndërmarrjeje, ecën për mrekulli: në këtë libër rëndësi kanë vetëm dy personazhet kryesorë, përshkrimi  i netëve të ngrohta vietnameze me musone, fushat e përmbytura të orizit, pensioni kolonial ku qëndrojnë vajzat e reja – gjithçka i jep lexuesit një mjedis, ku ai të kuptojë se rëndësi kanë vetëm këta dy personazhe, e, në veçanti, vajza katërmbëdhjetëvjeçare. Më pas, si në film, spektatori, pothuajse vetvetiu, përpiqet të analizojë arsyet e personazhit për veprimet e tij. Por, ai nuk depërton dot në ndërgjegjen e brendshme të aktorit. Kjo qasje kinematografike është shumë e efektshme, kur shkrimtari kërkon të luajë me dykuptimësinë ose shumëkuptimësinë e marrëdhënieve njerëzore.

Nga ana tjetër, Marguerite Dumas, që nuk u shkëput kurrë plotësisht nga ndikimi i rrymës së anti-romanit apo të romanit të ri , që u ndoq së shumti në vitet 1940, 1950, 1960 (kujtojmë  mes të tjerësh shkrimtarët Alain Robbe-Grillet, Nathalie Sarraute, Laurence Sterne). Ne gjejmë gjurmë të tilla si fragmentimi i përvojave të personazheve, shpërfillja e rendit kronologjik, zhvillim minimal i personazhit dhe përfundime alternative.  Por, tek Duras-i këto janë ndikime shumë anësore, që shfaqen më tepër në kursimtarinë e gjuhës dhe të përshkrimeve, që gjithsesi, falë origjinalitetit dhe mjeshtërisë së Duras-it, kanë një vlerë të madhe artistike.

Universi moral i Duras-it në këtë roman është mjaft i errët. Ajo nuk i jep përgjigje të qarta lexuesit për veprimet dhe e personazheve, vetëm ata e dinë përse sillen në një mënyrë apo në një tjetër. Lexuesi është i lirë të interpretojë ndjenjat  e tyre.

Meqenëse në roman kemi marrëdhënien midis një adoleshenteje me një burrë të pjekur, shpesh kritika ka hedhur paralele me Lolitën, por, tek Dashnori i Kinës së Veriut nuk kemi modelin e një burri të madh në moshë, delirant dhe të ulët e të një vajzë të vogël viktimë.

Në këtë rrëfim kemi një histori ndryshe nga skema e zakonshme : « fëmija » – siç përcaktohet personazhi kryesor – dhe Kinezi e çmojnë njeri tjetrin, e duan shoqërinë e njeri tjetrit; në këtë roman nuk ka rrethana të dhunshme, konfliktuale, të vështira e me pasione si tek Lolita. Fëmija dhe Kinezi shijojnë shëtitjet mbrëmjeve, i tregojnë historira njeri tjetrit, qeshin dhe i gëzohen njeri tjetrit dhe çastit që përjetojnë. Mbi ta ka një tis melankolie e mallëngjimi, sepse e dinë që do të ndahen së shpejti.

Shkrimtarja bën një përpjekje të dukshme për të mos i treguar lexuesit gjykimin e saj mbi marrëdhënien midis një vajze të vogël dhe një burri të rritur dhe këtu qëndron edhe forca e romanit, që ia lë vetë lexuesit gjykimin. Pra, nuk është fjala as për një roman dashurie, as për një roman që rrëfen për shtypjen e popullit nga kolonizatorët a gjëra të tjera të tilla. Shpesh, kritikët rreken edhe nëse subjekti i vërtetë është trekëndëshi dashuror : dashuria, dëshira, paraja (meqenëse familja e vajzës është tmerrësisht e varfër). Pyetjet mbeten të ngritura : deri në çfarë mase dëshira për para dhe dëshira për marrëdhënie seksuale gërshetohen me njera tjetrën ? Po, ne si lexues, çfarë nxjerrim nga ky libër?

Përgjigjja mund të jetë dhe fare e thjeshtë :  kemi të bëjmë me një letërsi të madhe, origjinale, të veçantë. Që na vjen në shqip nga dora mjeshtërore e Krenar Hajdërit, që na ka dhënë shpesh dhe të tjera shqipërime të përkora të autorëve të mëdhenj botërorë.

Marrë nga gazeta MAPO, datë 10 shttor 2016

Porosite te Bukinist “Dashnori i Kinës së Veriut”

dashuri-ne-korene

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *