Grackat e Blushit me “KM Kryeministri” dhe leximet që ofron vepra

km-blushi

Një lexim i romanit KM Kryeministri i Ben Blushit, i hedhur në qarkullim nga enti botues “Mapo Editions”

Albert Gjoka

Në këtë roman rrëfehet historia e një komandoje shqiptar në Afganistan, i cili bie në kontakt me islamin radikal dhe frymën antiamerikane, përmes një bashkëatdhetari të tij, të quajtur Uinston Harasani, anëtar i Otzit.

Jeta në Herat, lufta, raportet e ushtarëve amerikanë me afganët, vrasjet e fshatarëve që kultivonin opium dhe nxitja e urretjes amerikane nga disa persona që ishin pjesë e të ashtuquajturit “zemërimit inteligjent”, vijnë të rrëfyera në optikën e një shqiptari që sheh përkime të herëpashershme me realitetin e vendit prej nga vinte. Autori ka sendërtuar një realitet të Shqipërisë dhe botës së vitit 2021. Personazhi i trajnuar si sjanperist merret peng nga anëtarët e organizatës Otzit, që e drejtonte shqiptari Harasani dhe shpëtohet me kusht që të rrëfejë të gjithë komandot që ekzekutuan fshatarët afganë që po kultivonin drogën.

Pasi vriten shokët e tij të misionit, amerikanët vendosin rikthimin në Shqipëri të komandos, i cili sapo shkon në fshatin e lindjes, në periferi të Tiranës, sheh thuajse të njëjtin realitet si në Afganistan. Të gjithë anëtarët e familjes së tij kultivonin kanabis dhe këtu lind konflikti i ushtarakut me të atin dhe vëllezërit.

Përqasja e dy realiteteve; të Shqipërisë dhe të Afganistanit, mënyra e jetesës dhe zgjidhja e alternativës së kultivimit të drogës si mënyrë jetese, – janë aspekte tronditëse, që rrëfehen përmes personazhit që do të jetë një shërbëtor besnik i shtetit. Këtu personazhi i romanit vendos të braktisë familjen dhe të jetë besnik i ligjit.

Komandon e caktojnë në Gardën e Republikës, me ruajtjen e kryeministrit. Pikërisht në këtë moment vijnë ndiesitë e para për kreun e qeverisë, të cilin familja e tij dhe ai e admironin, pasi konsiderohej si shpresa e shqiptarëve. Drejtuesi i vendit shfaqet në disa këndvështrime; të gardistit që ia donte edhe detyra ta respektonte, të anëtarëve të familjes së tij që ishin të zhgënjyer me të, dhe të personave të tjerë afër kabinetit të tij. Këtu ndërtohet edhe profili i një kryeqeveritari thuajse surealist, në një botë kaotike dhe një realitet që nuk ishte as Perëndim dhe as Lindje.

Por, gardistit i rikthehet si peng sërish historia e Heratit, teksa kishte vrarë fshatarin afgan dhe dekonspiruar shokët në aksion, si dhe fakti se anëtarët e familjes së tij kultivonin lëndë narkotike. Këto të dhëna janë të mjaftueshme që këshilltari i kryeministrit, gazetari Kim Kurani, ta shantazhojë me burg nëse nuk pranon propozimin për t’i bërë atentat drejtuesit të qeverisë. Ky skenar justifikohej me faktin se qeveria kishte vrarë tre protestues dhe mazhoranca rrezikonte të humbte zgjedhjet që do të mbaheshin pas një muaji.

I ndodhur në qark, pa rrugëdalje, gardisti pranon të bëjë detyrën e snajperistit, për të qëlluar ndaj kryeministrit në një takim elektoral në një shkollë. Por, në vend që ta plagosë, ai e vret atë dhe më pas shkon në burg. Por, si ndodhi vrasja? E vrau apo u vetëvra kryeministri? Çfarë ndodh në mendjen e personazhit, i cili jetonte edhe brenda edhe jashtë botës së “zemërimit inteligjent”; kishte dyshime mes të qenit shërbëtor i shtetit apo i besimit, apo…

Rrëfimi në këtë libër ngjizet me detaje dhe reflektike plot ankth dhe frikë, mes besimit dhe radikalizimit të tij në njërën anë; dhe terrenit që lë bosh politika dhe qeverisja e degraduar, duke i lënë njerëzit pa motiv dhe pa shpresë.

Në këtë skizmë të madhe, Blushi gjen hapësirat për të sendërtuar personazhet e botës radikale të një islami që kërcënon sot, jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën. Pak kush do të gjejë Kryeministrin që mendojnë në këtë roman të Ben Blushit, por shumëkush ka të drejtë të dyshojë realisht se Shqipëria e vitit 2021 do të ketë të njëjtat trajektore dhe të njëjtat skenare të mundshme si ato që parashikohen në librin e Blushit.

Leximi si një fiction, pa paramendime dhe paralelizma të realitetit që jeton autori i romanit, e shpëton veprën dhe i jep lexuesit fuqinë për ta përpirë menjëherë romanin, fati i të cilës sot kushtëzohet nga pikëndarja mes botës së autorit dhe botës së veprës artistike. Këtu është vështirësia edhe për lexuesin, i cili në këtë roman, të shkruar me gjuhën e sprovuar të romancierit, por të ngjyer edhe me penelatat e gazetarit dhe politikanit elokuent, e bëjnë veprën “sui generis” në natyrën e vet dhe në mënyrën sesi komunikon me lexuesit.

Porosite direkt romanin “KM Kryeministri” me një telefonatë apo me një klik dhe libri vjen brenda pak orësh në adresën që doni ju.

km-kryeministr

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *