Festat e Nëntorit dhe shqiptarët përmes 104 librave

104-vjet-104-libra

Albert Gjoka*

E ku ka mjet më të mirë sesa libri për të njohur një periudhë të caktuar të historisë, për të kuptuar të shkuarën e një individi, të një momenti, të një ngjarje apo një shteti, – e në këtë mënyrë, – për të qenë më i qartë për të shkuarën tënde teksa jeton dhe punon për të ardhmen në shoqërinë që jeton.

Këtij synimi i shërben në mënyrë tërësore edhe lista e rekomandimeve të Bukinist.al, “Shqipëria, 104 vjet – 104 libra” e cila iu adresohet të gjithë lexuesve dhe miqve të platformës në vigjilje të festave të Nëntorit: Janë gjithësej 104 tituj të autorëve apo grupautorëve, shqiptarë dhe të huaj, të shkruara në periudha të ndryshme. Kjo është një përpjekje për të ndërtuar një “kullë babeli”, një bibliotekë në të cilën secili prej nesh mund të gjejë atë që do në një copëz Shqipërie; të gjejë vetveten dhe të shohë se çfarë thonë të tjerët; të mësojë dhe të kujtojë nga historia e këtij vendi në shtegtimin e tij mijëravjeçar, të njohë më shumë personazhe me peshë në ngjarje apo periudha historike. Kësaj përzgjedhje dhe transportit falas të librit që mundëson Bukinist.al, ne i kemi shtuar edhe një tjetër avantazh; uljen në masën 10% të të gjithë këtyre titujve, duke iu dhënë mundësi të shumëfishta të gjithëve, e sidomos bashkëatdhetarëve tanë nëpër botë, që të bëjnë pjesë të tyren vlera të të gjithë asaj Shqipërie që gjendet brenda këtyre librave. Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë janë hedhur në qarkullim shumë botime dhe albume si ai i autorëve Aleksander Meksi dhe Xhevahir Lleshi, Blendi Fevziu, Kristo Frasheri, Ndriçim Kulla, Romeo Gurakuqi, Ilir Ikonomi, etj.

Sigurisht, kjo listë ka mungesa të shumta, por ne kemi përzgjedhur ato që kemi bërë pjesë të librarisë tonë online përgjatë këtyre 6 muajve dhe ato libra që kanë entet botuese në qarkullim, duke shpresuar fort se 105 vjetori do të sjellë një shoshitje të fortë të kësaj liste. Por, për miqtë tanë duam t’iu shpjegojmë se çfarë përmban kjo listë me 104 tituj:

1-Të gjithë serinë e mendimit shqiptarë, me autorë si Eqrem Bej Vlora, Gjergj Fishta, Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Mithat Frasheri, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Aref Mathew etj. Në krye të saj qëndron kolana me tre vëllime Enciklopedia e Mendimit Shqiptar që ka përgatitur studiuesi Ndriçim Kulla dhe një botim “Kush jemi ne shqiptarët” të të njëjtit autor.

2. Udhëpërshkruesit, me veprat e tyre, që nga kohët e hershme deri në ditët tona, janë një mundësi dhe një dëshmi e fortë me përqasjet e tyre për ta kuptuar më mirë rrugëtimin tonë në histori dhe për të parë edhe defektet tona: Prandaj kemi përzgjedhur veprat e Edith Durhan, Indro Montanelit, Paolo Petta, Ugo Ojetti, Nilo Borgia, Fuvlio Cordigniano, Ami Boue, Zef Valentini, Jacques Boucarts, Albert Mouccet, Carl Otten, Justin Godart, Antonio Baldacci, deri në ditët tona me Fred Abrahams, Andi Andoni, etj.

3. Pajtetër që vendin më të rëndësishëm e përbëjnë botimet e studiuesve dhe akademikëve shqiptarë: Kostë Çekrezi, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Aurel Plasari, Paskal Milo, etj. Po ashtu, në këtë momente festive janë përzgjedhur edhe kolanat e veprave të dy autorëve shqiptarë, Ismail Kadare dhe Gjergj Fishta të cilët kishin edhe përvjetorë të lindjes së tyre gjatë vitit 2016.

4. Biografitë për njerëz me peshë në historinë e këtij vendi, i Ahmet Zogu, Enver Hoxha, mbretëresha Geraldinë, etj, janë pjesë thelbësore e këtyre rekomandimeve. Pa emrat, pa studimin e personaliteteve dhe individualiteteve është e vështirë të kuptosh ngjarjet dhe historinë e një vendi.

5. Te 104 librat janë përfshirë edhe studimet më të mira për gjuhën shqipe nga albonologë të huaj dhe studiues dhe gjuhtarë shqiptarë, të shekullit të kaluar por edhe të ditëve tona. Në këto studime trajtohen aspekte të origjinës së gjuhës shqipe, raportet me pellazgjishten dhe gjuhët indeoeuropiane, por edhe punime të ditëve tona; përfshirë studime të veçanta, për leksikologjinë, dialektologjinë, frazologjinë.

6. Në morinë e rekomandimeve janë edhe disa enciklopedi të karakterit historik, por edhe botime të veçanta, fjalorë historikë, albume fotografish, etj.

7. Bukinist.al ka listuar edhe botime të karakterit arkivor dhe dokumentar, si pjesën e arkivave italiane dhe britanike për historinë e Shqipërisë

8. Një vend të rëndësishëm zënë edhe botimet për të drejtën kanunore, statutet, dhe studimet që janë bërë për të dhe të drejtën ndër shqiptarë gjatë shekujve, ku më të spikaturit janë ato për Kanunin e Lekë Dukagjinit, të bëra nga At Zef Valentini.

9. Lista ka edhe libra për historinë e shtetit shqiptar, për historinë e ushtrisë apo të institucioneve të tjera të cilat trajtojnë dinamikën dhe problemet në rrugëtimin e shtetndërtimit te shqiptarët.

10. Në këtë listë sjellim edhe disa botime speciale si Heraldika, Himni, simboli i Flamurit Shqiptar, kodikët, teknologjia e shtypshkrimit, të përgatitur nga autorë, ekspertë të fushës. Bashkë me të gjitha këto rekomandime kemi përfshirë edhe çështje të veçanta si kulinaria tradicionale shqiptare.

Bukinist paraqet një listë rekomandimesh – sprovë në tentativë për të krijuar një traditë, e cila vitin tjetër do të jetë shumë më e goditur, dhe më me vlerë për të kuptuar të shkuarën tonë dhe për të na shërbyer librat për të reflektuar dhe ndërtuar një të ardhme me vlera, teksa traditat e mira dimë që ti ripërtërijmë dhe respektojmë përherë.

Bashkë me listën ne përcjellim urimet më të mira për të gjithë shqiptarët anembanë botës, duke shpresuar, besuar dhe punuar fort për më shumë dije, më shumë libra dhe më shumë punë për një Shqipëri më të mirë.

Autori është menaxheri i platformës Bukinist.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *