Poezia nuk mbushet me mend…

kunder-perfytyrimi

Një i lexim i shpejtë i vëllimit poetik “Kundërpërfytyrimi”  të Natasha Lakos

Preç Zogaj

Jam duke  lexuar librin e  ri me poezi  “Kundërpërfytyrimi” të poeteshës Natasha Lako. Ndoshta do të duket e pazakonshme që po shkruaj këto rreshta pa e përfunduar. Pasi t’ju them arsyen, besoj se lexuesve të rubrikës nuk do t’u duket  e tillë. Arsyeja është se një libër i mirë me poezi nuk përfundon ndonjëherë së lexuari  sipas kuptimit që kemi për librat në prozë. Për një libër të mirë në poezi  gënjejmë po të  themi e mbarova.  Kjo është pa kuptim. Libri i mirë  me poezi është pa fillim dhe pa fund.

Libri i mirë me poezi  ka gjithnjë  kërshërinë dhe shijen  e leximit si për herë të parë edhe kur lexohet për herë të dytë, të tretë apo të  tridhjetë. Kjo më  ka ndodhur mua me  disa vëllime poetike të autorëve shqiptarë apo të huaj. Për të përmendur një prej tyre  po zgjedh  vëllimin e nobelistit suedez “Perandoria e barit”  të  cilin e ka përkthyer pikërisht Natasha Lako.

Kjo poete e njohur  herët për  talentin  e saj të spikatur vjen me  vëllimin e saj të ri “Kundërpërfytyrim” pasi  solli në shqip  poezinë e madhe të Trastomerit. Ndjehet  se ka kaluar nga  shkolla, apo  më saktë nga lartësia e mjeshtrit suedez, pa u rrëzuar në plagjiaturë, pa e tradhtuar  dhuntinë prej poeteje  të lindur, por është bërë  më e thellë, më fine, më  brilante, më e sigurt  në përftimin,  kontrollin, seleksionimin dhe  pasqyrimin estetik të kombinacioneve të pamunërta  metaforike që ofron  realiteti.

Pasi kam lexuar  ngadalë pjesën më të madhe të poezive të përfshira në këtë vëllim, mendoj dhe ndjej atë që thashë  më lart: vëllimin e Natashës duhet ta vendos në radhën e librave që nuk mbarojnë se lexuari ngaqë u kthehemi e u rikthehemi vazhdimisht,  siç ndodh vetëm me poezinë e mirë, e cila  në çdo lexim  fsheh çfarë  na ka zbuluar dhe zbulon  çfarë na ka fshehur.

Unë ëndërroj si të dal e  veshur një ditë me të gjitha stinët/

Që të kem një puthje vendimtare” ( nga poezia  “ Në dollapin e rrobave”)

Çfarë herorizmi ka zemra nuk e dimë/ gjera të tjera kërkojnë të  flasin, por nuk i kemi ende/edhe unë dua të shfaqem e të bukurohem nga mendimet” ( nga poezia “Gjëra të ditura e të paditura”)

Si t’ja bëj unë me diamantët  e syve/në këtë botë që po vjen” ( nga poezia “Kërkohet urgjentisht një univers tjetër”)

E nisur jam edhe unë nga ndonjë qiell që nuk më  gjen më/e mbërritur jam dhe unë nga çdo lloj mbretëri” ( nga pozia “Pozë e përjetësisë”)

Si t’ia bëjmë  me dashurinë e tepërt/Ndërron rrugën e së vërtetës nga jargavani në jasemin/ në përzgjatimin e luleve” (nga poezia “Kur avitet bota”)

Duket nuk është e volitshme/ të të kem të  gjithin ty” (nga poezia “Godinë fjalësh”)

Këto janë  disa vargje  që  unë i mora nga “grumbulli”,  thjesht duke futur dorën,  siç thuhet, për t’i hedhur  si brilante në vitrinën e imagjinuar  të këtij libri që në  fakt është  vetë libri. Janë vargje të një bukurie të rrallë, plot  kuptim, ndjeshmëri, elegancë dhe muzikë,  ku  gjejmë të  dendësuar  vetitë me të qënësishme të poezive  të  autorës: ato bashkojnë magjepsjen  e gjenezës me inteligjencën  e lartë,  spontanitetin me filozofinë poetike,  ku fëmija dhe e rritura  marrin pjesë  bashkarisht, në unitetin e tyre  brënda  subjektit  krijues, në kompozimin e vargjeve.

Kundërpërfytyrimi, fjala e përngjitur që i ka thënë titullin vëllimit, ka valencën e një përkufizimi të ri të vetë poezisë. Është  shpërberja e lidhjeve të njohura e të dukshme,  duke i rikombinuar në lidhje të reja, metaforike,  prej nga përftohet  poezia. Kështu, poezia e kundërpërfytyrimit  bëhet   poezia e krijimit të  një bote  artistike  që nuk e  gjejmë  e  nuk shohim kurrë perveçse me sytë e poetit dhe  poezisë.

Kujtohesha edhe unë se e kisha gjithnjë me vete atë labyrinth/ që kalon mespërmes   ca brimëzave të komçave të xhaketës/ku giithnjë del briri/ i vlimit  të një drite tjetër”  (nga poezia “Kulla e Babilonit”)

Apo: “Qyteti ka vënë në mendje një protezë metali/ heshtja dashuron” (nga poezia “Hyrje nëpër natë”)

Ndoshta është më mirë të vazhdojmë të hedhin vargje në vitrinë se sa të  formulojmë  sentenca.  Por duhet të themi edhe një konsideratë tjetër:  vëllimi i  Natasha Lakos  tregon  se poezia vazhdon të mos mbushet me mend, vazhdon të ngulmojë   në pushtetin e gustos, vazhdon të mbledhë nga është e nga s’është  atë dhimbjen e botës që  jehon në akorde të larta, vazhdon të  ekzistojë jo si kundërbota, por si pamja tjetër e saj.

Shpalosjet metaforike  të këtij rrafshi,  si të endura  me dritë dhe trishtim shpeshherë, marrin fuqi nga  përdorimi me masë i sentencave poetike të mrekullueshme, që  nisen nga uni-poetik  por kanë një rezonancë pavetore: “Më mundon kjo largësi që largësi pjell”. Apo “Prej perendie e kam lumturinë”.

Vëllimi  poetik “Kundërpërfytyrimi”  është  një ngjarje  e vërtetë për poezinë tonë   bashkëkohore.  Ai  dëshmon  sërish  atë që kemi thenë  më parë  se ka shumë poezi në botë, në Shqipëri. Edhe atëherë kur duket se gjithçka e ka vënë poshtë cinizmi, egoizmi dhe degradimi.

Ekziston kjo përtëritje e vazhdueshme e frymës dhe inteligjencës artistike, s’ka të mbaruar ky hir i epshëm i jetës që është poezia. Por duhet të vijë poeti  për t’i dhënë jetë, artikulim. Duhet të vijë poeti për të lexuar me sy mbyllur tekstin e stuhisë, dhimbjes  apo të ajrit. Duhet të vijë  një Natasha Lako për  shkruar vargje si këto : “E dëbuar prej qiellit më ndjek prapa/Çdo ndodhi e jashtme mbremësore”.

Shkrimi eshte marre nga gazeta MAPO.

Porosite librin me një telefonatë, te 35544508282, me mesazh ose me nje klikim te LINKU

Transport KUDO. Paguaj në dorëzim.

kunderperfytyrimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *