Nobelisti në letërsi për vitin 2016 dërgon një mesazh falenderimi për Akademinë Suedeze mbrëmjen e dhënies së çmimit. Emocionet, çmimi, letërsia, arti, muzika etj., të rrëfyera në pak fjalë: “Kur më mbërriti lajmi suprizë, isha në turne dhe m’u deshën më tepër se disa minuta për ta përtypur, gëlltitur dhe kuptuar siç duhej”
Bob Dilan*
“Mirëmbrëma të gjithëve! U përcjell përshëndetjet e mia më të ngrohta anëtarëve të Akademisë suedeze si dhe gjithë të ftuarve të tjerë të nderuar që gjenden sonte në audiencë. Më vjen keq që nuk jam aty me ju, por ju lutem të jeni të sigurt se me shpirt patjetër që ndodhem aty, i nderuar madje që po marr një çmim të tillë kaq prestigjoz.
Nderimi me Çmimin Nobel është diçka që nuk do ta kisha përfytyruar kurrë ose ta kisha parandjerë. Që në moshë të vogël jam njohur, kam lexuar dhe përthithur veprat e atyre që u shpallën të denjë për t’iu dhënë një vlerësim kaq të shquar si Kiplingu, Shou, Tomas Mani, Përl Baku, Alber Kamyja, Hemingueji. Këta gjigantë të letërsisë, veprat e të cilëve mësohen nëpër klasa shkollash, apo strehohen në librari kudo në botë dhe për të cilat flitet me përulje kanë lënë një përshtypje të madhe. Fakti që tani po i bashkëngjitem një liste të tillë është diçka për të cilën nuk ka fjalë që ta përshkruash.
Nuk e di nëse këtyre burrave dhe grave u ka shkuar ndonjëherë ndërmend ta fitonin Çmimin Nobel për vete, por mendoj se çdokush që shkruan një libër, poemë ose dramë në cilindo cep të botës, mundet ta ushqejë atë ëndërr në fshehtësi brenda vetes. Ka mundësi që të jetë varrosur aq thellë saqë edhe ata vetë nuk e dinë që gjendet aty.
Nëse dikush do të më kishte thënë se kisha qoftë edhe mundësinë më të vogël për të fituar Çmimin Nobel, do të mendoja se kisha po aq shanse që një ditë të bukur të shkelja në Hënë. Në të vërtetë, atë vit kur kam lindur unë, si dhe për disa vite të tjerë pasues, në botë nuk gjendej askush që të konsiderohej i denjë për ta fituar Çmimin Nobel.
Kështu që e kuptoj se tashmë ndodhem në mes të një shoqërie të zgjedhur, për të thënë më të paktën. Kur më mbërriti lajmi suprizë, isha në turne dhe m’u deshën më tepër se disa minuta për ta përtypur, gëlltitur dhe kuptuar siç duhej. Nisa të mendoj për Uilliam Shekspirin, atë figurë të madhërishme të letërsisë. Ma ha mendja se ai e shikonte veten si dramaturg.
Ideja se po shkruante letërsi nuk besoj se ia kishte përshkuar mendjen ndonjëherë. Fjalët e tij shkruheshin për t’u vënë në skenë. Synimi ishte që ato të fliteshin dhe jo të lexoheshin. Jam i sigurt se kur po shkruante Hamletin, ai e vriste mendjen për turli farë gjërash të ndryshme: “Cilët do të ishin aktorët e duhur për këto role”? “Si duhej vënë kjo në skenë”? “A kam nevojë vërtet t’i vendos ngjarjet në Danimarkë”?
Nuk ka fije dyshime se vizioni krijues dhe ambiciet e tij ishin mendimet që ia turbullonin më tepër mendjen, por e brenin edhe çështje të tjera më të rëndomta, tëcilave duhej t’u jepte zgjidhje: “A kam financime të mjaftueshme”? “A kanë vende të mira përkrahësit dhe ndjekësit e rregullt të artit tim”? “Ku do të gjej një kafkë njeriu”? Vë bast se gjëja e fundit që vërtitejnë mendjen e Shekspirit qe pyetja: “A është vallë letërsi kjo”?
Kur nisa të shkruaja këngë në kohën e rinisë së hershme, madje edhe kur fillova të fitoja pakëz famë nga aftësitë e mia, aspiratat e mia për ato këngëcakun e kishin deri aty. Mendoja se do të dëgjohesha nëpër kafene apo bare, ose mbase më vonë në vende si “Carnegie Hall” në Nju-Jorkdhe “Palladium” i Londrës. Nëse ëndërroja pa kufi, ndoshta mund ta përfytyroja veten duke regjistruar një album dhe më pas, duke i dëgjuar me ëndje këngët në radio.Në mendjen time ky ishte çmimi i madh me të vërtetë.Të regjistroje këngë dhe t’i dëgjoje ato duke u transmetuar në radion, nënkuptonte se por mbërrije deri te audienca e gjerë dhe që kishe mundësi për të vazhduar të bëje atë për të cilën e kishe mbledhur mendjen që në fillim.
Epo ja që unë kam vazhduar të bëj pikërisht atë të cilën ia vura si synim vetes para shumë kohësh.Kam regjistruar duzina albumesh dhe kam dhënë me mijëra koncerte anembanë botës,por janë këngët e mia ato që përbëjnë qendrën jetike të pothuajse gjithçkaje që bëj. Ato duken sikur kanë zënë vend në jetët e shumë e shumë njerëzve që u përkasin kulturave të ndryshme dhe unë ndihem mirënjohës për këtë.
Më duhet të them diçka: Kam luajtur si artist para 50 mijë spektatorëve dhe kam luajtur gjithashtu edhe vetëm për 50 vetë dhe mund t’ju them që ka qenë ku e ku më vështirë të luaje para këtyre të fundit. 50 mijë spektarorë janë një person i vetëm, por nuk ndodh kështu me 50 të tillë. Secili ka një identitet të veçantë vetjak, ka një botë më vete.Ata mund t’i kuptojnë gjërat më qartësisht. Aty vihet në provë ndershmëria jote dhe mënyra se si ndërlidhet me thellësinë e talentit që zotëron. Nukmë ka shpëtuar fakti që vetë Komitetit i Nobelit është kaq i paktë në numër.
Edhe unë, si Shekspiri shpesh herë jam i zënë duke ndjekur përsiatjet e mia krijuese e duke u rrekur të merrem me të gjitha aspektet e çështjeve të rëndomta të jetës:“Cilët mund të jenë muzikantët më të mirë për këto këngë”? “A po i regjistroj ato në studion më të mirë”? “A po luhet kjo këngë në çelësin e duhur muzikor”? Janë disa gjëra që nuk ndryshojnë dot, as për 400 vjet.
Asnjëherë nuk kam pasur kohë ta pyes veten: “A janë letërsi këngët e mia apo jo”?
Kështu që e falënderoj Akademinë suedeze si për kohën që gjeti për t’u menduar rreth asaj pyetjeje, ashtu edhe për t’i dhënë përfundimisht një përgjigje të mrekullueshme.
Me urimet e mia për të gjithë ju,
*Fjala e pranimit të Çmimit Nobel nga Bob Dilani. Përktheu: Edvin Shvarc
Në gjuhën shqipe është përkthyer nga Edvin Shvarc vëllimi poetik i Bob Dilan “Strehë nga stuhia”.
Dërgo mesazh ose telefono te 044508282. Porosite online te LINKU.
Transporti FALAS në të gjithë Shqipërinë dhe pagesa në momentin që merr librin