Rrëfim për atë që mbetet

gimi-hidet

Shënime për romanin “Hide mbi kalldrëm” të Tom Kuka. Autori duket se ka zgjuar gjuhën me të cilën është rritur, por edhe krenarinë për një qytet që po tret zakonet e së shkuarës së tij me shpejtësinë e së përditshmes. Përshkrimet e lagjeve dhe shtëpive, gjuha  komunikuese dhe debatet lidhur me “besimin tjetër” ruajnë një Tiranë në kohë tjetër.

Agim Baçi

A kanë kohë të tashme bisedat për njeriun, për jetën, për dashurinë? Askush që flet apo shkruan nuk mund të thotë se po rrok të tashmen e njeriut dhe se mund të ketë kohë të ndalur për ta përshkruar atë. Tom Kuka, autori i romanit “Hide mbi kalldrëm” ka fshehur në rrëfimin e tij jo vetëm emrin e vërtetë, por edhe të tashmen në të shkuarën.

Rrëfimi përshkruan një qytet me dashuri, vrasje, tradhti, hetime dhe “jetë pas perdes”. Përshkrimi i rrugëve, të dhënat për shtëpitë dhe gjuha e përdorur nga autori rikthejnë Tiranën që kemi njohur për vitet 30, e madje edhe shumë vite më pas. Caraci, pusi dhe budallai i fisit janë pasaporta se po flet pikërisht për ata që kishin krenarinë e ndërtimit të këtij qyteti, ndërkohë që hetimi, personazhet dhe vrasjet janë të përbotshme dhe një motiv për çdo qytet të madh apo dhe qytezë.

Autori duket se ka zgjuar gjuhën me të cilën është rritur, por edhe krenarinë për një qytet që po tret zakonet e së shkuarës së tij me shpejtësinë e së përditshmes. Përshkrimet e lagjeve dhe shtëpive, gjuha  komunikuese dhe debatet lidhur me “besimin tjetër” ruajnë një Tiranë në kohë tjetër.

Ndërkohë që problemet lidhur me vrasjet, prostitucionin, marrëdhëniet me paranë e sidomos “jetën e shthurur” nuk janë vetëm të saj kohe. Ata më shumë janë një çështje për një kryeqytet në miniaturë që has sot përditë motivet e shtuara, por jo të ndryshuara nga ajo që jo vetëm Tirana, por mbarë bota ka njohur në kohë.

Vënia në qendër të rrëfimit të hetuesit Di Hima është një gjetje që lehtëson rrëfimin në zbulimin e asaj që shpesh nuk e themi, që duket sikur nuk na përket, se nuk do ta marrë vesh njeri, se është vetëm e jona.

Por, ai ka zgjedhur të hetojë, e përmes hetimit edhe të na njohë me jetën e pathënë. Ka nota të një përshkrimi magjik, ku vdekja dhe dashuria nuk kanë kufij të ashpër, por as të qartë. Që në nisje, Di Hima është në mes të procesit fizik të dashurisë me Sadijen e tij, kur vijnë ta lajmërojnë për vdekjen e Andonit, tregtarit grek të floririt.

Më pas gjithçka nis si një spirale për të mbërritur te motivet – që janë të përbotshme dhe të përhershme. Një dashuri e ndaluar, një e pathënë, një kalim caku.

Di Hima hodhi përtej fundçen e duhanit dhe doli nga rrugica e Saraçëve, te Selvia, në Rrugën e Dibrës. Zallahi e madhe në rrugë, njerëz që bërtasin, që shesin, që të kapin për mënge. Njerëz me bark të fryrë që hyjnë e dalin nëpër qebaptore, burra të thinjur me mustaqe fshesë dhe vetulla kërleshe që pinë raki qysh në mëngjes. Erë mëlçish, gabzherrësh që skuqen me gjalpë. Kanë fjetur këta njerëz? Kanë parë ëndrra dje? Përse lëvizin të gjithë në një vorbull të vazhdueshme? Sa shumë që mbllaçiten? Shpretka e gjakosur sapo është futur në gojën e parruar të këtij katundari që përmbys sytë nga kënaqësia, shkund duhanin përtokë, ngjyen hudhrën e njomë në gjizë dhe e kafshon gjithë gaz…. Me këtë qytet takohet çdo mëngjes Di Hima, që mbylli derën e la pas shpine lulen e tij, Sadijen, e cila fle si gur. Ajo nuk flet kurrë për ëndrra, si dhe ai, nuk sheh syresh. Ndaj sot Diu mbeti pa fjalë që Vasilika paskësh parë një ëndërr, madje e paskësh parë aq të qartë sa dukej paralajmëruese”. (Tom Kuka “Hide mbi kalldrëm”, Pegi 2016, F.76)

Provokative është edhe fakti se autori Tom Kuka e ka vendosur edhe personazh Tom Kukën, si një varrmihës. Pra, një rrëfyes që njësohet  edhe si njeriu që hedh dheun e fundit mbi diçka që nuk duhet folur, edhe pse rrëfimi nis me një zbulim pas vdekjes së “Andon grekut”.

Nga hetimi më pas del dashuria dhe rivaliteti i tij me Il Qosen për shegertin Fitim, inatet e së shoqes Vasilika për këtë “shkarje trupi” dhe gjithë jeta nën dhe e një qyteti ku jetojnë edhe Fili, komisionari italian, edhe Mit’hati librar, Xhepi “budall i fisit” dhe Il Qosja. Ky i fundit është në betejë me “grekun” për “të njëjtën sevda” me djaloshin, që për Andonin është Taqi, ndërsa për Ilin Timi. Një sevda që shkakton edhe krimin, që bëhet pasqyra e përshkrimit të jetës në një qytet ku jetojnë të gjitha.

Autori e mbështet rrëfimin tek grotesku, ironia dhe humori. Nuk synon “të përshkruajë të vërtetën”, por të gjejë rrugën për të shkuar drejt pikëpyetjeve të përhershme. Përshkrimi gati piktoresk ndërton Tiranën si një pikturë të vjetër, po ku ka vend gjithnjë për “interpretues të rinj të ngjyrave”. Mundet që rrëfimi të mos kacavirrej shumë pas gjetjes së unazës e as pas hapësirave të mëdha të “dashurive të shkara mes të njëjtave gjini” që ndonjëherë kalojnë rrëfimin për dashurinë e përditshme. Por proza e Tom Kukës i ka të gjitha ngjyrat, madje edhe aromat, të cilat në fund të librit të bëjnë të shohësh rreth e rrotull se mos edhe ti ke gjithë aromat e gatimeve mbi rrobat që ke mbajtur gjatë leximit.

Shkrimi është botuar te gazeta MAPO e ditës së shtunë, 7 janar 2017.

Librin mund t’a porositni direkt online me një Klik te LINKU, me mesazh në favebook.com/bukinist.al, ose me telefon, te 35544508282. Ua sjellim librat KUDO. Paguani në dorëzim.

hide-mbi-kalldrem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *