Sherlok Holmsi, dedektivi i vërtetë që duhet të zbulojë lexuesi shqiptar

aventurat-sherlokut

Viktoria Ruci*

Më 1893, dy vite pas debutimit të Sherlok Holmsit në revistën Strand, Artur Konan Dojl kishte vendosur ta hiqte qafe detektivin e përkëdhelur një herë e përgjithmonë, “…edhe sikur në atë greminë të varros dhe llogarinë time bankare.”

E tillë ishte mirënjohja ndaj personazhit, që e bëri Dojlin autorin më në zë të kohës së tij, që i fali prestigjin që gëzon dhe sot shkrimtari britanik. Sepse e tillë ishte marrëdhënia e tyre shkrimtar-personazh: krenari e pasuar nga zili, mirënjohje e ndjekur nga frikë, një lojë ndjenjash të përziera. Një kontradiktë, ja ç’qe, si vetë karakteri i Sherlok Holms.

Si vetë krijuesi i tij, i lindur më 1859 në Skoci, në një familje me pasion për artin dhe kulturën, Dojl refuzoi të vazhdonte traditën dhe vendosi të maste forcat në fushën e mjekësisë. Por, nevojat financiare e detyruan t’i kthehej krijimtarisë letrare si burim të ardhurash, që në vitet e para të studimeve në Universitetin e Edinburgut.

Pas përfundimit të shkollës, shërbeu si mjek nëpër anije që udhëtonin drejt Afrikës dhe Arktikut, për t’u sistemuar përfundimisht në Londër, ku vazhdoi të ushtronte profesionin e tij si mjek. Por nga letërsia nuk hoqi dorë asnjëherë. Ai vazhdoi veprimtarinë e tij krijuese krahas profesionit, duke ndjekur kështu një karrierë të dyfishtë.

Në 1886 botoi romanin e parë ku debutoi detektivi ekscentrik Sherlok Holmes: “Etyd në tone të purpurta”, i pasuar nga “Shenja e të katërtëve” në 1890.

Asnjë nga romanet nuk pati aq sukses, sa ta nxirrte shkrimtarin nga gjendja e vështirë ekonomike, megjithatë Dojl tentoi përsëri në 1891, duke botuar në revistën Strand një aventurë të re të Holmsit me titull “Një skandal në Bohemi”.

Shitjet kaluan çdo parashikim dhe më në fund Dojl pati mundësinë t’i përkushtohej tërësisht letërsisë, duke hequr dorë nga karriera mjekësore. Fytyra e zbehtë dhe e hequr e detektivit londinez, figura e gjatë dhe hollake, pak e kërrusur, me xhamin zmadhues në dorë dhe llullën ndër buzë, u bë qendra e jetës londineze.

Dojl kriijoi një personazh-mister, një lojë copëzash karakteri, një rrëmujë tërheqëse vesesh e virtytesh të spërkatur me detaje të pafundme, por të pamjaftueshme. Për Sherlok Holmsin, autori na tregon shumë: thotë se ku jetonte, me se merrej, cilat ishin klubet e tij të preferuara, dimë çfarë llulle përdorte, çfarë kaçeleje mbante; madje, dhe çfarë mund të gjeje në dhomën e tij kaotike. Vogëlsira domethënëse për karakterin e tij të jashtëzakonshëm.

Autori na jep shumë detaje të çuditshme, që nuk i dimë për asnjë personazh tjetër të historisë së letërsisë, e megjithatë jo mjaftueshëm. Nuk dihet asgjë mbi prejardhjen, familjen e tij, mbi moshën apo pamjen e jashtme.

Krijuesi i tij u tregua aq i zoti të na njihte me personazhin nëpërmjet çdo detaji të vogël, duke e bërë atë shumë të afërt për imagjinatën e lexuesit. E megjithatë, ishte aq i kujdesshëm sa ta linte të paplotë, në mënyrë që Sherlok Holms të mbetej një mister, ku lexuesi sfidon vetveten.

Artur Konan Dojl bëri një punë aq të përkryer me veprat e tij, sa u pendua. Trillimi i fantazisë u bë armiku i karrierës së tij letrare. Banoret e Londrës, jo vetëm mendonin se në Baker Street jetonte vërtet një detektiv privat, që zgjidhte misteret e përditshme të jetës viktoriane, duke i kushtuar të njëjtën rëndësi dhe çështjeve shtetërore, por i drejtoheshin çdo ditë autorit të tij me letra ku i kërkonin ndihmë me pyetje dhe mistere të ndryshme që i mundonin.

“Kulmi arriti, kur më vinin të paktën një duzine letrash në ditë, që nisnin me `I dashur Z. Sherlok Holms…’.”

Dojl e kuptoi se fama e personazhit ia kishte kaluar vetë autorit, se nga ” A.K. Dojl” ishte kthyer në “autorin e Sherlok Holms” dhe ndjente se krijimi i tij po bëhej një hendek në karrierën si shkrimtar serioz. Kështu vendosi ta vrasë.

Në historinë “Çështja e fundit e Holmsit” (The Final Problem), Sherlok Holms bie nga një humnerë gjatë një dyluftimi me armikun e tij të betuar, Prof. Moriarti. Reagimi i publikut qe i papërshkrueshëm.

“Fillova të merrja dhe më shumë letra se më parë dhe të paktën gjysma nisnin me —maskara, i pashpirt, vrasës, si guxon…”. Në rrugë shihja njerëz që shkonin në punë me një shirit të zi të lidhur në krah dhe madje vetë familja mbretërore me shkroi duke më shprehur indinjimin e saj shkaktuar nga historia e botuar. Një mbretëri e tërë po mbante zi për Sherlok Holms.”

Kur e pyetën pse e vrau Sherlok Holmsin, Dojl u përgjigj: “Mos më fajësoni mua, ishte një akt vetëmbrojtjeje. Nëse nuk do ta kisha vrarë, do të më kishte vrarë ai mua. Por e di se publiku anglez nuk fal lehtë. Në atë humnerë nuk varrosa vetëm personazhin tim të preferuar, por dhe logarinë time bankare me tërë fitimet që mund të kisha bërë.”

Për rreth 8 vjet Doyle i rezistoi presionit të publikut, duke u marrë me letërsi serioze”, siç shprehej ai. Shkroi vepra të ndryshme, analiza, ese dhe kryesisht romane historike, por, edhe pse kritikat u treguan të sjellshme -daj tyre, asnjëra nuk pati suksesin që autori kishte njohur me aventurat = Sherlok Holmist. Ndoshta kjo ishte mënyra e publikut për tu hakmarrë.

Pas tetë vitesh përpjekjesh të kota dhe vështirësish financiare, Dojl shkroi një roman kriminalistik: “Qeni i Baskervijës”. Kishte historinë e përkryer, por i duhej një personazh. Përse të shpikte një të ri, kur mund të rikthente një tashmë të njohur e të dashur?

Reagimi i publikut ndaj rikthimit të shumëpritur të Sherlok Holmsit qe i habitshëm: mijëra kopje u shitën që në javët e para, kritikat ishin më pozitive se kurrë dhe Dojli mori titullin “Kalorës” nga Mbreti Eduard.

Nën një presion të tillë, autori u detyrua ta ringjallte detektivin tekanjoz, duke e bërë të pavdekshëm deri në përjetësi. Tashmë nuk kishte rëndësi, nëse ekzistonte vërtet dikush që jetonte në Baker Street dhe merrej me misteret e vogla të jetës londineze apo jo, nuk kishte rëndësi nëse Sherlok Holms ishte prej mishi e kockash apo ishte thjesht i trilluar.

Ai ishte i vërtetë, sepse jetonte në historitë e tij të pavdekshme. Ai, që nuk lindi kurrë, e prandaj nuk mund të vdesë. Kushedi sa mbretër e heronj do ta kishin zili, duke ditur se gjurmët e tij mbeten të pashuara në dunat e kujtesës njerëzore…

Sherlok Holms është dhe do të mbetet përjetë një pikë e patundur në një botë përherë në lëvizje. Është simboli i gjithçkaje që nuk jemi dot, por do të donim të ishim. E shohim si mishërimin e dëshirës sonë për të dënuar të keqen dhe për të ndrequr padrejtësitë që kanë pllakosur botën. Ai është Prometeu që sjell zjarrin e aventurës në ekzistencat tona përsëritëse, është Sokrati, që me arsyetimet e tij të qarta, çmpin mendjet e ndryshkura nën lagështinë e mërzisë. Është suksesi i dështimeve tona, arratisja nga burgu i botës reale. Para një shekulli ai u shfaq para publikut anglez si një pishtar i forcës të së mirës në një kohë, kur Evropa, e madje e gjithë bota, ndjenin në ajër rrezikun e Luftës së Popujve që afronte. Figura e drejtësisë së palëkundur, e inteligjencës, gatishmërisë, vetëmohimit, arsyes së ftohtë dhe gjykimit të drejtë të përvijuar lehtazi nga një fije ndjenjash njerëzore: dhembshurie e madje dashurie, ishte pamja që i dha një kombi të tërë shpresën dhe forcën për t’u përballur me luftën më të madhe që kish njohur deri më atëherë historia botërore. E duke njohur natyrën njerëzore, e dimë se botës do t’i duhen gjithnjë idhuj të tillë. Në kohë të vështira, ku sprovohet arsyeja dhe domethënia e drejtësisë, do të kemi gjithmonë nevojë për siluetën e detektivit pranë zjarrit, me majat e gishtave bashkuar para kraharorit e fjollat e tymit të Ilullës që treten në pafundësi. Megjithatë, si çdo histori e bukur, dhe e Sherlok Holmsit e pati një fund, sepse një artist i vërtetë, e kupton kur është koha për t’u tërhequr nga skena e për t’i lënë vendin dikujt ndoshta më të zotë.”Një përshëndetje e fundit” (His last bow) ishte mënyra si Holms u nda me pubilkun e tij besnik: një histori ku Holms dhe Uatson, krah për krah, shpëtojnë botën një herë të fundit dhe dalin nga skena mes duartrokitjesh të pafundme, që nuk shuhen kurrë. “Kam frikë, se Sherlok Holms mund të kthehet në një prej atyre tenorëve të famshëm, që edhe kur u ka kaluar koha, i tundon ideja të bëjnë një përshëndetje, një përkulje të fundit para publikut te tyre. Kjo nuk duhet të ndodhë, ai duhet të ndjekë rrugën e tij, të tërhiqet e ndoshta të gjejë pak paqe në ndonjë cep të Valhallës së heronjve romantikë. Prandaj, me këtë libër të fundit i them lamtumirë nga ana e Sherlok Holms publikut anglez dhe e falënderoj për besnikërinë e tij ndër vite.”

Kështu përshëndet Artur Konan Dojl në 1924, në parathënien e aventurës së fundit të Sherlok Holmsit, lexuesit e tij të pandarë, të cilët shoqëruan rrugëtimin 41-vjeçar të detektivit më të dashur të të gjitha kohërave.

Fatmirësisht, lexuesit shqipfolës s’do t’i duhet të presë aq gjatë. Do të arrijë të njihet me të madhin Sherlok Holms nëpërmjet një trilogjie vëllimesh, që të lënë pa frymë, që nuk lexohen por përpihen, një seri veprash që nuk duhej t’i mungonte kaq gjatë publikut shqiptar. Por siç thotë fjala e urtë shqiptare “Më mirë vonë se sa kurrë”.

Gjithsesi, ndjej nevojën t’ju paralajmëroj, se ndarja nga Holms do të jetë më e vështirë se ç’mendoni. Ndihem e detyruar fju them, se faqja e fundit që do të ktheni, do fju duket më e rëndë se të tri vëllimet së bashku, se pastaj do të shfletoni rrëmbimthi fletët e fundit, me shpresën se do të shumëfishohen vetiu, se aventura e Sherlok Holms do të vazhdojë edhe ca, dhe pak fare, dhe një përjetësi më shumë. Por lejomëni t’ju them me keqardhje (dhe pak krenari), se ai do të jetë fundi. Pas romanit të katërt nuk ka më një të pestë, pas aventurës së gjashtëdhjetë, nuk ka një të gjashtëdhjetë e një. Aty mbaron vërtet. Urime, keni njohur Sherlok Holmsin. Mirësevini, keni rënë në dashuri me të.

*Teksti është marrë nga parathënia e vëllimit të parë të “Aventurat e Sherlok Holms” përkthyer nga Aleksandër Koli dhe botuar nga Argeta LMG gjatë vitit 2016. Titulli është redaksional

Vëllimin e parë porosite direkt te linku KETU

11

Vëllimin e dytë porosite direkt te linku KETU

21

Setin me 2 libra porosite direkt te linku KETU

set-2--sherloku

Librat mund ti porositni edhe me mesazh te Facebook.com/bukinist.al, ose me telefon te 35544508282. Transport KUDO. Paguani në momentin e dorëzimit të librave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *