Fjalimet TED: Udhërrëfyesi zyrtar i të folurit në publik

fjalimet-OK-TED

Valbona Nathanaili

valbona-nathanailiLibri “Fjalimet TED” i presidentit të TED, Chris Anderson, doli në qarkullim për herë të parë në gjuhën shqipe në Panairin e Librit të Tiranës, 2016 dhe ishte një nga librat më të kërkuar në stendën e botimeve që vinin nga Kosova.

Libri është pritur shumë mirë jo vetëm sepse është shkruar nga Chris Anderson, personi që ktheu edhe një herë vëmendjen drejt të folurës në publik dhe e vendosi në piedestalin nga e kishin rrëzuar, por edhe sepse vlerësohet si “manuali i shekullit XXI për një komunikim vërtet efektiv”.

Libri klasifikohet si “duhet-lexuar” për çdo njeri që është i gatshëm të ndikojë publikun me idetë e tij. Autori tregon se si “një fjalim i shkurtër, por i mbajtur me mjeshtëri, shndërrohet në faktor për çlirimin e empatisë, nxitjen e entuziazmit, shpërndarjen e dijes dhe krijimin e një ëndrre të përbashkët.”

Në libër trajtohet, në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi, nga mënyra se si mund të bëheni mjeshtër në hartimin e përmbajtjes së fjalimit që do të mbani në publik, deri në të qenit sa më efektiv në skenë.

Sigurisht, në libër nuk do të gjeni këshilla specifike se si të flisni në një rast të caktuar përpara një rrethi të ngushtë shokësh, por do të gjeni mjete dhe njohuri që mbështesin çdo formë të të folurit në publik që kërkon të shpjegojë, frymëzojë, informojë ose bindë, pavarësisht nëse ka lidhje me biznesin a arsimin, pavarësisht nëse mbahet në një skenë publike a në një studio televizioni dhe, në një vështrim më të gjerë, sa herë që do ju duhet të flisni përpara një publiku.

Chris Anderson e ndan të gjithë procesin e përgatitjes dhe mbajtjes së një fjalimi në publik në katër faza: Baza, mjetet e fjalimit, procesi i përgatitjes dhe dalja në skenë.

Për secilën fazë, Anderson, në mënyrë teorike dhe praktike, shpjegon që nga teoria e prezantimit dhe mënyrat për ndërtimin e idesë, deri te lidhja që duhet të vendoset me publikun, mënyrën e veshjes dhe të qëndrimit në skenë apo edhe përdorimin a jo të mjeteve të shumta që ofron teknologjia e sotshme.

Autori është i kujdesshëm për të vënë përballë mënyra “të mira dhe të këqija” prezantimi, sikundër edhe të na paraqesë, me shumë sinqeritet të gjitha hezitimet që ai vetë ose folës të tjerë kanë pasur deri në çastin që kanë dalë përpara publikut për të ndarë me të idetë e tyre.

Shumë nga shembujt e sjellë në libër janë nga “Fjalimet TED,” mbajtur në periudha të ndryshme, si për shembull  nga Sir Ken Robinson, Amy Cuddy, Elizabeth Gilbert, Salman Khan, Dan Gilbert, Monica Lewinsky etj., sepse sipas autorit këto fjalime, në vetëm pak vite kanë arritur të ndikojnë në shpërndarjen e ideve të fuqishme në të gjithë botën dhe të gjenerojnë shumë entuziazëm në fushën e të folurit në publik.

Por, ajo që është më e rëndësishmja për autorin janë idetë. Ju duhet të flisni vetëm nëse keni një ide për të ndarë. “Kemi nevojë për ide, në gjendje t’u japin zgjidhje problemeve të mprehta. Kemi nevojë që këto ide të mos mbeten të padukshme a të izoluara, thjesht sepse njerëzit e shkëlqyer që i kanë në mendje, ose kanë mungesë vetëbesimi për t’i paraqitur, ose nuk dinë si t’i ndajnë me të tjerët në mënyrë efektive. Kjo është një tragjedi.

Në çastin që një ide e duhur paraqitet në mënyrën e duhur, ajo mund të shpërndahet, me shpejtësinë e dritës, në mbarë botën, duke zënë rrënjë në mendjet e miliona njerëzve, për të përfituar prej saj ose treguar se sa e mirë është, si ju dhe folësi që kërkon të flasë, ashtu edhe pjesa tjetër e njerëzimit, që ka nevojë të dijë se çfarë keni për të thënë.”

Për “Fjalimet TED

E folura në publik është një art i lashtë, ngulitur thellë në mendjen tonë. Zbulimet arkeologjike tregojnë se qindra mijëra vjet më parë të parët tanë mblidheshin rreth zjarrit, në vende të caktuara, për të mbajtur takime të rregullta.

Në çdo kulturë të planetit tonë, me zhvillimin e gjuhës, njerëzit mësuan të ndajnë historitë, shpresat dhe ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin.

Përfytyroni një skenë tipike. Ka rënë mbrëmja. Zjarri bubulon. Drurët kërcasin dhe lëshojnë shkëndija nën një qiell xixëllues. Një i moshuar ngrihet. Sytë e të gjithëve nguliten në fytyrën e tij të zgjuar dhe të rrudhur, ndriçuar nga drita e zjarrit që vallëzon në të. Historia fillon. Ndërsa i moshuari flet, secili nga dëgjuesit përfytyron, me mendjen e tij, ngjarjet që po tregohen.

Përfytyrimi ngjall të njëjtat emocione që përjetojnë edhe personazhet e historisë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, një formatim i drejtpërdrejtë i shumë mendjeve në një.

Për një kohë të caktuar, të gjithë njerëzit rreth zjarrit veprojnë sikur të jenë një formë e vetme jete. Ata ekzaltohen së bashku, kërcejnë së bashku, këndojnë së bashku.

Nga një gjendje e tillë e përbashkët, pak i ndan nga hapi tjetër, dëshira dhe vendosmëria për të vepruar së bashku, për të ndërmarrë një udhëtim, nisur një betejë, ngritur një ndërtesë a festuar për një rast.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe sot. Për një udhëheqës, ose mbrojtës të një kauze, e folura në publik është çelësi për të ndjerë empati dhe nxitur kurajë, për të ndarë njohuri dhe ndryshuar perceptime, për të promovuar një ëndërr që mendon se duhet të jetë e përbashkët.

Po, e folura në publik sot ka fituar dimensione të reja pushteti. Hapësira e vogël rreth zjarrit e të parëve tanë, sot ka marrë përmasa globale, është bërë gjithë planeti ynë. Falë internetit, një bisedë e vetme, në një teatër të vetëm, mund të përfundojë në sytë e veshët e miliona njerëzve. Pikërisht sikundër shtypi i shkruar amplifikon pushtetin e autorëve, uebi amplifikon pushtetin e folësve.

Aksesi në ueb mundëson çdo njeri, në çdo vend të botës (pak a shumë, brenda një dekade, ky akses do jetë i mundshëm pothuaj edhe për çdo fshat) të lidhet direkt me mësuesit më të mirë dhe të mësojë direkt nga ata, nga shtëpitë e tyre. Papritmas, ky art i lashtë ka marrë përmasë globale.

Ky revolucion është shkëndija e rilindjes së të folurës në publik. Shumë nga ne kanë vuajtur vite të gjata mërzitjeje leksionesh në universitet, predikime pafund në kishë, ose kanë zgurdulluar sytë ndërsa dëgjojnë fjalimet stereotipe të shumë politikanëve. Nuk duhet të ndodhë më kështu.

Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim mund të elektrizojë dëgjuesit në një dhomë dhe transformojë pikëpamjet e tyre. Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari. E shkruara na jep fjalët. E folura mbart një tërësi elementesh të rinj.

Kur ne ngulim sytë tanë në sytë e atij që flet, dëgjojmë tonin e zërit të tij, ndjejmë dobësi, inteligjencë dhe pasion, në mënyrë të pavetëdijshme, sinkronizohemi me aftësi të gdhendura brenda nesh prej qindra e mijëra vjetësh, aftësi në gjendje të galvanizojnë, të japin pushtet e frymëzojnë.

Për më tepër, këto aftësi, sot, jemi  në gjendje t’i shumëfishojmë në përmasa që shkojnë përtej çdo përfytyrimi të të parëve tanë. Ne jemi të aftë të tregojmë, me bukurinë e një qartësie që shkon deri në detajet më të vogla, çdo imazh që një njeri mund të fotografojë ose përfytyrojë.

Ne jemi të aftë të bëjmë një video ose muzikë. Ne jemi të aftë të hartojmë një projekt kërkimor që përfaqëson gjithë dijen njerëzore, të arritshëm nga kushdo që ka një aparat smartphone.

Lajmi i mirë është që këto aftësi mund të mësohen. Absolutisht po. Kjo do të thotë që ekziston një superpushtet i ri, nga i cili mund të përfitojë çdokush, i ri a i vjetër qoftë. Quhet teoria e prezantimit.

Ne jetojmë në erën ku, mënyra më e mirë për të lënë gjurmë në këtë botë, nuk është më t’i shkruash letër botuesit ose të publikosh një libër. Por, thjesht të ngrihesh dhe të flasësh… sepse, si fjalët, ashtu edhe pasioni me të cilën ato thuhen, mund të shpërndahen në të gjithë botën me shpejtësi disa herë atë të dritës.

Në shekullin XXI, teoria e prezantimit duhet të mësohet në çdo shkollë. Në të vërtetë, përpara erës së librit, teoria e prezantimit ishte pjesë e mësimeve bazë në shkollë,[1] ndonëse me një emër disi të modës së vjetër, retorikë.

Sot, në erën e internetit, duhet të ringjallim edhe një herë këtë art fisnik dhe ta bëjmë dimension të katërt të shkollës. Pra, fëmijëve t’u mësojmë lexim, shkrim, mbledhje e zbritje… dhe retorikë.

Kuptimi kryesor i fjalës është thjesht “arti i të folurit me efektivitet”. Katërcipërisht, ky është qëllimi i këtij libri. Të rimodelojë retorikën për erën moderne. Të ofrojë pika të dobishme referimi për një të mësuar të ri të prezantimit.

Librin Fjalimet TED mund ta porositni te linku KETU por edhe me një mesazh në rrjetet sociale Facebook.com/bukinist.al apo me një telefonatë. Paguani në momentin që merrni librin në dorëzim

fjalimet-ted

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *