E vërteta e Stonerit; – të dijmë kush jemi!

diana-culi-stoneri

diana-culiDiana Çuli

Lexim rreth romanit “Stoneri” John Williams-it, përkthyer nga Piro Misha dhe botuar nga IDK. The New York Times thotë se ai “është romani i përkryer, i rrëfyer e i shkruar aq bukur, dhe aq emocionues, saqë të lë pa frymë”.

Botimet IDK kanë sjellë së fundmi në treg, në gjuhën shqipe një nga romanet më të njohur të letërsisë amerikane të shekullit të 20-të, Stoneri, të shkrimtarit John Edward Williams (1922-1994), lindur në Teksas në një familje fshatare.

Ai mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore me trupat e SHBA në Indi e në Birmani. Më pas jetoi në Denver, në Kolorado, ku dha mësim në universitet deri në fund të jetës së tij. Përveç romanit Stoner ai është autor edhe i tre romaneve të tjerë dhe disa vëllimeve me poezi. Është nderuar me National Book Award.

Botuar për herë të parë më 1965 e më pas pothuajse i harruar, Stoneri i John E. Williams-it u ribotua më 2003 nga «New York Review Books», duke ngjallur interes të madh tek kritika dhe lexuesi. Në Europë e solli përkthimi i Anna Gavaldës, shkrimtares së njohur franceze, të cilën IDK gjithashtu e ka botuar në këto vitet e fundit.

Stoneri është rrëfimi  i jetës së një njeriu në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Uilliam Stoneri, bir fshatarësh të thjeshtë, që punon tokë në fermën e varfër të prindërve të tij, arrin të diplomohet dhe të emërohet pedagog në universitet.

Ai martohet, ka dhe një vajzë, përballet me ngjarje të zakonshme të jetës, sëmuret e vdes. Nuk ka shumë lëndë premtuese – ka vënë re kritika – për  roman, e megjithatë, në një lloj mënyre, gati misterioze, John Williams ia del të na japë, përmes jetës së Uilliam Stonerit, këtij heroi të normalitetit, një histori plot pasion, të thellë e mbresëlënëse.

Dhe ky njeri, mes ingranazheve të jetës së tij tejet të zakonshme di t’i japë kuptim punës, dashurisë, pasionit. Madje, ndonjë kritik ka shkruar që në titull: Misteri i romanit Stoner.

Kush e mbaron së lexuari Stonerin rikthehet e reflekton, i rikthehet kësaj historie, e krahason me të vetën, siç ndodh gjithnjë kur në dorë të bie një roman i përkryer, siç e kanë përcaktuar Stonerin.

Po përse vallë, ky sukses i një libri që rrëfen një jetë të zakonshme? Në një pikëvështrim romani mund të duket edhe si një shembull atipik i një campus novel, por, në këtë rast mjedisi universitar shërben vetëm si skeleti për të mbështetur rrëfimin, ku ka diçka më shumë se një histori të thjeshtë. Stoneri nuk na flet vetëm për një njëri të zakonshëm dhe mesatar në gjithçka, për ngjarjet e jetës së tij mediokre dhe pa thelb  – ndryshe nuk do të paraqiste asnjë interes, por për mënyrën se si ajo u bë e rrëfyeshme dhe mbi të gjitha, e paharrueshme.

Stoneri është vetëm njëzet vjeç, por e kupton se e fshehta e letërsisë dhe e ekzistencës së saj bazohet mbi dashurinë për jetën, mbi dëshirën për t’i marrë asaj sa më shumë që të jetë e mundur.

Eksperimenti i shkrimtarisë së përdorur tek Stoneri  qëndron në shndërrimin e këtij koncepti në një metodë të shkruari, të shenjtë për të, si një shenjtëri laike rreth gjithçkaje që protagonisti i do me gjithë shpirt, punën, vajzën e tij, Katerinën, megjithëse, ose pikërisht sepse, e di se do t’i duhet t’i braktisë së shpejti.

Stoneri e di se ai është i përkohshëm, ai e përpunon idenë e vdekjes që ngre natyrshëm pyetjen: përse të jetojmë, kur e dimë që në fillim se kemi per të vdekur, me përgjigjen: pikërisht për këtë arsye. Ky qëndrim i Stonerit përçon një urtësi mistike, e cila është krejt e kundërt me carpe diem-in hedonist.

Të dimë kush jemi, kush kemi qenë, është e vërteta e Stonerit, e shndërruar në kuptimin e vetë veprës, përveç të gjitha mesazheve të tjera që u përpoqëm të nxirrnim në pah në këto pak rreshta.

Dhe, këtë vepër të thellë, të shkruar nga një dorë mjeshtri, mund ta sillte në shqip vetëm një tjetër dorë mjeshtri – ajo e Piro Mishës. Në vitet e gjata të sulmeve të papërgjegjshme, të ndërgjegjshme ose jo, të mendjelehtësisë dhe të padijes ndaj gjuhës shqipe, Piro Misha nuk reshti dhe nuk resht së pasuruari, së lëmuari e së ndriçuari këtë gjuhë.

Me një qëndrim të paepur për të mos e rënduar më kot, por për të ndjekur zhvillimin e saj, me elegancë, me vëmendje, duke marrë prej saj atë që është më e ndritshme, më e vërtetë dhe më e përshtatshme për kohën së cilës i drejtohet, ai vazhdon të japë pambarim këtë kontribut të vyer.

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 18 shkurt 2017.

Librin mund ta blini direkt online me një klik KËTU, me një mesazh në rrjetin social Facebook.com/Bukinist.al apo me një telefonatë te: 35544508282. Transport KUDO. Paguani sapo ta merrni në dorëzim

stoneri

One thought on “E vërteta e Stonerit; – të dijmë kush jemi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *