Pandjeshmëria, një dukuri për shtjellime romaneske

geverina-muzhaqi

prec-zogaj-2Preç Zogaj

Lexim rreth romanit “I pa(n) djeshmi” i autores Geverina Muzhaqi, botuar nga botimet Dudaj në vitin 2016

Geverina Mushaqi është një shkrimtare e re e talentuar, përkthyese nga italishtja gjithashtu,  me  njohuri të mira për letërsinë dhe për zanatin e të shkruarit  falë studimeve  që ka kryer në Universitetin “La Sapienza” në Itali dhe falë  ushtrimeve  të saj në të shkruar.

Ajo ka  debutuar në letrat shqipe me romanin befasues “Stina e pestë” ( 2014)  botuar nga “Dudaj”.  Një vit më vonë,  botoi librin poetik “Këmbëzbathur nëpër hënë”  dhe së fundi  romanin “I pa(n) djeshmi” nga e njëjta  shtëpi botuese.

Që në romanin e parë, cilësia e prozës së saj parajmërontë ardhjen e një shkrimtareje shumë premtuese. Po të kishte në Shqipëri një vëmendje të ngritur për prurjet  e reja letrare, debutimi i saj do të kishte bërë bujë.

Por gjithsesi  nuk është se kaloi pa u vënë re.  Me interes  të veçantë do të pritej  romani i saj i dytë sepse, siç ndodh shpesh,  i dyti  konfirmon  ose jo vazhdimësinë, talentin, shkrimtarin.

Dhe  ja ku kemi romanin me  njëqind e shtatëdhjetë  faqe  “I pa(n) djeshmi”. Ky roman  përforcon dy tipare të  stilit të kësaj autoreje: dinamizmin    dhe frymëzimin.

I pari,  dinamizmi, del në pah  sidomos  kur shtjellohen  episode të llojit të aksionit apo  inkursione psikologjike në dritëhijet dhe kontadiktat e  brendshme të perzonazheve, siç është për shembull përballja e Donit, perzonazhit kryesor të librit, me  objektin e pasqyrës, e cila, “e heshtur si vdekja dhe dinamike  si jeta,  e fiksuar rrënjësisht në hapësirë dhe kohë, është e vetmja që më bën të kuptoj se cili jam  në të vërtetë: një njeri kallp”, thotë Doni  për veten e tij.

Frymëzimi  nga ana tjetër është kudo ku ka skena lirike apo erotike, evokime dhe meditime që shpalosin me  elegancë  poezinë e  dashurisë.

Romani  është  një lloj skaneri letrar i  njeriut të pandjeshëm  dhe pa të djeshme.  Ky është Doni, personazhi qendror i librit, një drejtues i ri i suksesshëm  në një televizion kombëtar,  i pashëm, shijues i jetës së bukur,  narcizist, vanitoz,  i  përciptë,   donzhuan i  shfrenuar në lidhje sipërfaqësore,  një i varur nga  dy tabutë e kohës: seksi dhe paraja .

“Ai nuk provon kurrfarë empatie;  interesi që ka për të tjerët mbetet përherë i përciptë , por ndjesia e të qenit i admiruar e bën të ndihet i rëndësishëm  dhe i fuqishëm”, thotë autorja  për të.

Pandjeshmëria dhe padjeshmërie ( tabula rasa)   tregohen si anë të së  njëjtës medalje  te ky personazh që deri në një   pikë të caktuar  të romanit personifikon  të suksesshmin e  kohës sonë.

Autorja  kërkon  ta ekzaminojë pandjeshmërinë e personazhit,  këtë dukuri  vërtet  të tmerrshme,  të denjë  për shtjellime romaneske. Një libër thellë-thellë duket të ketë në boshtin e vet një  gjetje apo një temë të tillë organizuese që i jep kuptim letrar ekzistencës së tij,  siç  janë fjala vjen “Njolla” në romanin homonin të Filip Roth apo “Turpi” në romanin  gjithashtu  homonim të  Selman Ruzhdi.

Geverina Mushaqi e   është vetëdijshme se  ku ekzaminim është i vështirë, rrënjët e pandjeshëmërisë  ku nuk të çojnë; ai  mund të realizohet ose nëpërmjet  përfshirjes  së personanzhit  në  një lidhje jetësore  ngjarjesh  që  bëjnë të  shpërthejnë  në dritë demonët që kanë marrë peng ndjeshmërinë e  njeriut, ose në  formën e  një hulumtimi  social dhe psikologjik që do ta  hidhte romanin në krahët e esesë, ose nëpërmjet një forme vetërrëfyese  të  momenteve  dhe detajeve  pikante të jetës si një mënyrë  ekzorcioni, nxjerrje të së keqes  nga shpirti  dhe,  për aq sa është e mundur, edhe  katharsisi.

Autorja ka zgjedhur  këtë formë të tretë për të ekzaminuar të pandjeshmin dhe të padjeshmin e librit të saj.  Vetë romani është ndërtuar në formën e  një letre të gjatë   të Donit për  Rean, në të cilën  ai i rrëfen gjithçka,  që nga frakturat psikologjike dhe shpirërore të fëmijërisë dhe pastaj me radhë emigrimin në Itali, kthimin, ngjitjen në të përpjetën e suksesit,  shoqëritë e kalbura,  historitë me femrat,  bashkëjetesën me Borën, një prej femrave të adhuruara  të shtratit të tij,  vdekjen e vajzës ferishte nga  kjo  bashkëjetesë.

Në rrefimin e  dyfishtë para letrës për  Rean  dhe pasqyrës  që është shoja e tij e vetmisë, Doni, pushtuesi  me lehtësi i të gjitha kështjellave femërore, që ka ngecur  si një përbindësh i dënuar  prej vesit të tij  para lartësisë  së Reas, fillon të  shqiptojë gjuhën e dashurisë, të vuajtjeve të saj, të suplesës,  të venerimit për gruan. Rea  sikur merr  hak për gratë e lënduara  nga mëtuesi  i saj i përgjunjur, por  ky nuk  duket të jetë qëllimi i autores. Ajo kërkon të pohojë  me forcën e  subjektit letrar  fuqinë transformuese  të dashurisë.

Romani ka faqe të  shkruara shumë bukur me një gjuhë   të zhdërvjellët, lakonike, të pangarkuar panevojë; ka  persiatje tërheqëse  dhe zhbirime të thella për çëshje të shpirtit, të zhgënjimeve, të dobësisë, të  vetmisë, të caqeve, të qëllimeve…; ka  tablo  dhe skena  të gjalla siç është darka në shtëpinë e Ministrit të  Financave  që sjell pasqyrimin në letra të një  fragmenti të oligarkisë sonë.  Romani  pra ka  plot xhevahire   letrare të shpërndara andej-këndej;  dhuntitë e Geverinës si shkrimtare me bagazh  gjuhësos e kulturor spikasin  sërish.

Por  del  edhe tek “ I pa(n)djeshmi”   problemi që kemi vënë re e kemi trajtuar në disa reçensa  të mëparshme për libra të caktuar. Autorët  janë  mjaft të përgatirur, zotërojnë mjetet shprehësë, kanë kulturë, shkruajnë bukur, por kur mbaron së lexuari  këto libra kupton se  mungon diçka në to, ndoshta  esenciale për t’i kategorizuar si letërsi plotësisht e realizuar.

Ose subjekteve dhe personazheve u mungon  aura jetësore ,ose mungon boshti organizues i veprës që u jep bashkë me arsyen pse duhen shkruar edhe fuqinë e perjetimit dhe emocionit  nga ana e lexuesit. Me fjalë te tjera,  janë më shumë  ushtrime letrare  që paralajmërojnë   vepra, se sa vepra.

Geverina Mushaqi është  padyshim një hap përpara  në këtë aspekt.  Ajo vetë e ka ngarkuar me  ekzigjenca pritjen e lexuesve të saj.

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 18 shkurt 2017.

Librin mund ta blini direkt online me një klik KËTU, me një mesazh në rrjetin social Facebook.com/Bukinist.al apo me një telefonatë te: 35544508282. Transport KUDO. Paguani sapo ta merrni në dorëzim

i-pandjeshmi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *