Një zbulesë e realitetit që jetojmë çdo ditë

kishim - nje enderr

diana-culiDiana Çuli

Lexim rreth romanit “Kishim një ëndërr” të Nasi Lerës, botuar nga Living gjatë vitit 2016

Krijimtaria e Nasi Lerës në këto vitet e fundit ka qenë shumë prodhimtare, veçanërisht në gjininë e romanit : Sytë e Sofisë-2011, Të gjallë dhe të vdekur– 2013, Të gjithë premtojnë Parisin-2014, “Kishim një ëndërr” (2016). (Ky i fundit botuar nga Botimet Living).

Pa përmendur shumë romane të tjera që kanë parë dritën e botimit pas viteve ’90.  Në këto vite ai ka ndjekur, në një ndjekje paralele, zhvillimin e kohës, të cilën pastaj e ka përpunuar, filtruar e shndërruar në lëndë letrare.

Temat e ditës, përpjekjet e shoqërisë shqiptare në këto vitet e tranzicionit, emigrantin, trafikantin, njeriun e zakonshëm, vajzat e reja me shpresë dhe pa shpresë, qytetet në shndërrim, mentalitetitet në shndërrim të paprerë…gjithçka gjëllon dhe krijon një jetë tjetër në veprat e Lerës, që në kompleksitetin e tyre përbëjnë një cikël romanesh mbi jetën e përditshme shqiptare.

Kritika i ka vlerësuar paprerë vlerat e romaneve të fundit, ka theksuar natyrshmërinë e rrëfimit, tisin poetik, megjithë  notat e herëpashershme tragjike, përfytyrimin e ndezur , absurdin e jetës sonë, të keqen që nxjerr krye, por edhe peizazhet tona, edhe vrullet shpirtërore, edhe butësinë shpirtërore.

Kishim një ëndërr  është romani për njeriun e zakonshëm, për atë që shohim përditë të ecë në rrugë, të pijë një kafe në bar, të takojë dikë, një mik, një mike, por që në sytë e tij ne nuk kuptojmë asgjë: çfarë po ëndërron ? A ka një dashuri ? A ka punë të mirë apo ka mbetur pa një dysh? Ka shtëpi? Mos ka dhe borxhe? Mos e kanë tradhtuar shokët?

Asti, një prej “rrëfimtarëve” të romanit është një njeri i tillë, që ne e takojmë në bar, pa i ditur hallet e tij. Pa ditur agjë për të. Dhe ai, përmes romanit, na rrëfen dramën e tij. Që ka studiuar për regjisurë, që ka ëndërruar të vërë në skenë Beketin e të tjerë autorë të mëdhenj botërorë, por që, me gjithë përpjekjet, në qytetin e tij nuk ka vend për këtë ëndërr.

Dhe ai gjen një punë për të ndjekur kreditë e këqija të bankave. Shkon në rrethe të vogla, takon njerëz të shumtë, dëgjon pamundësitë e tyre, ngërçet e tyre dhe dalëngadalë pamundësia e tij nuk është e vetmuar, ai jeton një jetë të ngjashme me shumë të tjerë dhe ai, në mënyrë paradoksale, përjeton dramën reale, në vend të dramës që ka në mendje.

Frida, personazhi tjetër “rrëfyes”, ish ëndrra dashurore e Astit, është vajza e re, e aftë, e cila përsëri nuk e gjen dot vendin në jetë pa sakrifikuar integritetin e saj, parimet që ka patur dikur për formimin e personalitetit të saj.

Edhe Frida ndeshet me meskinitetin, vogëlsinë, dhunën psikologjike, më shumë se atë fizike “të të pasurve” të sotëm, me mashtrimin, maskën, gënjeshtrën.

Ndeshemi në këtë libër me një galeri personazhesh, të rastësishëm dhe jo të rastësishëm, të cilët na zbulojnë një jetë që e kemi parasysh, por që syri dhe pena e autorit, e zbulon mengadalë, duke na tërhequr vëmendjen për çaste që na duken jo dhe aq të rëndësishme, por që në të vërtetë janë thelbësore për jetën e njeriut.

E gjithë kjo tablo e jetës shqiptare, përmes rrugëtimit të personazheve kryesore dhe jo kryesore, na jepet përmes stilit gjithnjë në përsosje të Nasi Lerës, që zhbiron, vëzhgon, afrohet tek tabloja jetësore dhe na i risjell atë me kujdes, pa ndërhyrë asnjëherë vetë, duke qëndruar si një shikues ndoshta jo i ftohtë, por patjetër logjik e racional. Emocionin e përjetojmë ne që e lexojmë, që ndjekim atë që ndodh sikur të jemi vetë aktorë të ngjarjes, aq shumë ky stil të përfshin e të rrëmben.

I gjithë libri është si një kaleidoskop, që ngado ta kthejmë ne do të shohim skena që në dukje ngjajnë të shkëputura, por janë pashmangshmërisht të lidhura me njera tjetrën.

Dhimbja, trishtimi, mungesa e shpresës ndihen fort në roman. Por, gjithsesi, bukuria e përshkrimit të personazheve dhe e ndjenjave të tyre, sepse na shtyn të mendojmë se ata një ditë, mund ta shndërrojnë në siguri dhe realizëm hyrjen e tyre të vështirë në jetë. Dhe, padyshim, në një roman tjetër, kjo ëndërr mund të jetë në të ardhmen.

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 25 shkurt 2017.

Librin mund ta blini direkt online me një klik KËTU, me një mesazh në rrjetin social Facebook.com/Bukinist.al apo me një telefonatë te: 35544508282. Transport KUDO. Paguani sapo ta merrni në dorëzim

kishim-nje-enderr

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *