Zogaj në vibrimet e Melankolisë

libri-prc-zogaj

Lexim rreth vëllimit poetik “Ushtrimet e melankolisë”, me autor Preç Zogaj, i botuar në vitin 2016 nga MAPO Editions

Dr. Mimoza Ahmeti

Ushtrimet e melankolisë”, vëllimi i ri me poezi që i erdhi lexesit në dorë nga Mapo Editions, me autor Preç Zogaj, 2016, ushtron të shpërbëjë në shumësi atë që në vite individualiteti poetik i një poeti rreket të unifikojë e kultivojë në njësi, egon dhe signifikimin e saj në mjedisin shoqëror.

Duke transformuar gjuhën kolektive nëpërmjet propozicionit artistik, kusht ky për një mënyre të re mendore të të gjithë grupit nga ku përcillet, kjo poezi kryen një “via de retour”, një rishkrim të objektit- që është vetvetja e spostuar nga “tjetri”.

Të prekurit e perkohshmërise së significancës, të zhvillimit të botës anonime kundrejt asaj që është Unë i shënuar, kjo sfidë lumturuese dhe po aq e hidhur, i dhuron poezisë një dimension të ri dhe një ngjyresë, të cilën nuk e kemi hasur më parë në krijimtarinë Zogiane.

Transformime kuptimore, të përjetuara esencialisht prej autorit, e qe në fakt janë tërësisht formale, si në jetën e çdokujt, krijojnë atë melankoli shoqëruese që mbetet tis i vazhdueshëm në të gjithë veprën.

Bashkë me ndryshimin e botës, që në fakt nuk është objekti parësor i këtij hulumtimi poetik, ka ndodhur edhe spostimi i unit, harrimi i tij, neglizhimi, nën forcën e papërballueshme integrative të së gjithës brenda të gjithës, që mund të quhet ndryshe: Procesi.

Përthyerja e egos nga procesi, humbja e kufijve të dallueshëm të saj dhe e distances së saj prej botës, asimetria e botës së jetuar kundrejt principit drejtues; koncepti që deformohet edhe pse markohet nga fjala e njëjtë, e shndërron poezinë, këtë terminus infinit, në një processor qe nuk perçon tani nga brenda jashtë, si dikur, por në të kundërt: drejt vetes e në të gjitha drejtimet, dhe përsëri kundër vetes.

Zbulimi empirik, i historizmit të egos, shkakton pikërisht gjendjen e një elegjie melankolike, brenda së cilës bëhen ushtrime të pamundura psiko letrare, për të dalë përtej, nëpërmjet figurash e simbolesh, duke pranuar dramatizmin e unit të mbetur diku, përtej, ndoshta edhe përpara të tjerësh, por jo më në qendër.

Është pikërisht humbja e centrizmit që ka shkaktuar kaq shumë përsiatje në poezi, saqë dhimbja buron kënaqësi ndërgjegjësimi. Egoja e suksesit të dikurshëm, e zëvendësuar me atë të pakënaqësisë dhe harrimësisë së tjerësh tashmë, e kthen poezinë në një metaforë sublimimi, por dilema e nevojshmërisë së një sakrifikimi të tillë, e bren vetveten, sepse gjithçka ka ndryshuar… Madje edhe vazhdimi i iluzionit të dashurisë nuk mbahet më në botën mashkullore, poeti endërron ta dojë të dashurën sikurse ajo e don atë:

“ Sa do të doja, e shtrenjta ime ah, sa dua

me të dashtë ty, ashtu pa mend,

si ti mua!

Me pa fytyrën tënde duke ardhur

nga rrezja e prillit,

i bindur plotësisht në vertetësinë

e kësaj shajnie të shikimit.

E kam provuar dikur kur dashuria

e pat shpërbërë kohën time në dritë.

Që ateherë e kam një ide si mund të flasim,

si perëndi me perënditë.

Je e lumtur,e shoh, gëzohem dhe vuaj,

më ke berë zotin tënd pa asnjë të metë.

Me pyet Pader Zefi: Ҁfarë te dhemb, i bekuar?

Më vjen t´i përgjigjem: kjo jetë…Përtej lëngimit, here- herë shfaqet një shfokusim gjuhësor nëpër vargje, një bluritet që vihet re te shumica e poetëve bashkëkohorë sot; mund të themi se turbullira shpërblehet nga pafundësia e kuptimeve, e ambiguitetit të mbresës, e, si me thënë, ky shkatërrim psiko- linguistik e ndjek më me valencë dhe autenticitet kuptimin e pashprehshëm, dhe është per t´u studiuar një fenomen i tillë, se përse sa më e amullt mbetet pika e departure-s (e shkeputjes prej), të një strukture associmi, aq më përgjithësuse e më e plotë bëhet lënda, poetike dhe aq më në simetri me fenomenin kuptimor qëndron ajo.

Pasqyrat e padukshme ku shihet autori japin pamje të dukshme, të cilat vetëm në këtë mënyre bëhen të sinqerta e reale.

Një nga tjetër vlerat e këtij vëllimi poetik do të mbetet përgjimi dhe identifikimi i limiteve të botës interiore, lokale dhe jo pa melankoli procedohet edhe ky gjurmim. Dimensioni dramatik shpërfaqet e zbukurohet nga dorëzimi pa kusht ndaj fatalitetit episodik të jetës, që me sa duket është një burrni më vete për ta pranuar normshëm si kulturë. Procesi i anonimitetit i dyfishtë, dalja nga loja shënuese, sepse vetëm kështu mund të rifutesh në të dhe zbrazëtia e krijuar prej daljes, që është edhe kjo për t´u gjetur se me çfarë tjetër është mbushur, por lihet enkas e pagjetur…

Elemente të identitetit: kombësia, krahinizmi, rrjedha e origjina si dhe amza e tyre japin atmosferën shpesh midis vargjeve, sikur janë ato që kane prevaluar karakterin piktoresk të lëndës dhe trajtuar trajtën kundrejt të pakufishmes si univers në univers. Objekti narraton e transpiron në të gjitha kahet e organizmit krijues, jo vetëm mendja, por fryma, mëria, mërzia, përbetimi, tejkalimi, era; të gjitha, nga të gjitha kahet e mushkërimit krijues, nuk duan te tërhiqen, nëpërmjet tërheqjes, nuk duan të dorëzohen, nëpërmjet dorëzimit.

Preç Zogaj mbetet po aq tërheqes e lirik për lexuesin, si edhe në shfaqen e tij të parë në vitet tetëdhjetë, kur ishte nje shpresë për të menduarit e lirë të poezisë shqipe.

Gjuha dhe fjalori poetik i zgjedhur, pesha e lehtë e fjalës që në kontekst jep rëndesë, nuancat lokale të latimit të hollë të figurës dhe melodia, e bëjnë poezinë e tij të lerë një eko te gjatë, pothuajse organike, te lexuesi.

Melankolia eshte gjendje dhe poezia e gjendjes është e vërtete si gjendja. Gjendja, – thotë M. Foucault, – është presimi i fundit që aksioni i kuptimeve le mbi trupin. Midis vetëperceptimit dhe perceptimit komun, gjendja punon si entropi e rritjes ose e rënies së qenies, e cila vetë ajo, qenia, nuk është veçse një metaforë e të qenit. Në ketë kuptim, Melankolia është një përjetim i përjetimeve me stimuj pendimi e rishikimi, për atë që jeta mund të vazhdonte, të kish vazhduar, edhe ndryshe, ku kushti qe zgjedhja, pasi janë harruar të gjitha shtrëngimet.

Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO e datës 4 mars 2017

Librin mund ta porositni direkt online te linku KËTU, me mesazh në rrjetet sociale të Bukinist apo me një telefonatë te: 35544508282.

ushtrimet-e-melankolise

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *