Lexim i romanit “Ora me rërë”, me autore Vera Bekteshi, botimet MAPO Editions
Dr. Mimoza Ahmeti
Ҁështja e subjektit mbetet ende një çështje qëndrore e prozës shqipe. Subjekti nuk është thjesht ngjarja ashtu siç mund të mendohet. Jo vetëm sepse përbën interpretim, por sepse qëllimohet nga qëllimi përse tregohet dhe si do të tregohet, në funksion të përsesë që tregohet. Pak subjekte të sinqerta mund të gjejmë në veprat e romancierëve, madje botërorë, pasi qëllimi rrëfen ngjarjen, ndërsa ngjarja vetë mbetet e fshehur. Kjo është arsyeja që megjithëse lexojmë, pak na jepet nga ajo që lexojmë si kujtesë sqaruese për jetën. Gjindemi në bregun e një bote të ekzpozuar nga qëllimi, që nuk është bota vetë, por bota qëllimore. Bota natyrore e besimeve, bota e besimeve të esencave inoçente, ruhet e fshehur në fenomenologji, si një organizëm mishi nën lëkurën e gjuhës, për të cilin mendja u kujtua vetëm kur simptoma e tronditi dukurisht atë.
Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i subjektit letrar është që ai zakonisht i ka rrënjët në një të shkuar. Pasqyrë e një dëshmie, subjekti, i cili, duke përsëritur momentin e fikson atë, ruan të njëjtat raporte kuptimore të momentit, bëhet burim për konflikte, dasira, ashtu sikurse ishin atëherë, atëherë si koha tani prej kujtesës-atëhere, të sjellë në tani. Dhe ndihet e natyrshme por e dhunshme të jetojmë memorjen si kohë, kur i japim memorjes prezencë.
Kur mora në dorë romanin e parë të autores Vera Bekteshi, “Vila me dy porta”, duke paramenduar kalvarin e jetës së një familjeje të mirënjohur shqiptare, besova se do të lexoja një vepër letrare denoncuese kundër regjimit, siç është krejt e natyrshme në kësi rastesh. Por gjeta një subjekt letrar të asnjëanësuar(anihiluar) në një mënyrë sinqerisht të gëzueshme, pa asnjë lloj sedre të vrarë apo ambicioni të dëmtuar. Megjithëse u bënë vite që e kam lexuar veprën, impresioni i inoçensës së saj, ende ka lënë efekt në ndërgjegjen time dhe mund të them se ajo ende nuk e ka absorbuar plotësisht atë. Ideja e vlerës absolute të jetës, kudo që të ndodhesh (i vlerësuar apo i zhvleftësuar nga shoqëria), ka tejkaluar të gjitha idetë e tjera të nëpërshkruara prej narracionit letrar nëpër ngjarje.
Nga buron forca për të kuptuar elementin absolut të jetës? Nga vjen asnjanësimi i anësisë dhe hierakisë që ka prodhuar shoqëria, për më tepër, nga logjika e reflektimit të një autoreje që ka pësuar nga shoqëria? Si mundet subjekti i formatuar prej shoqërisë të tejkalojë formatin dhe të gjejë kuptimin e jetës thjesht në qenien natyrore në jetë? Pyetje të tilla sigurisht më vijnë tani në mendje, duke kujtuar veprën letrare dhe impresionin që më pat lënë deri në përfundim leximi i saj, ku jeta në internim, në një terren të një vështirësie fizike të paimagjinueshme, mund të kthehej në një ekskursion të gëzeshëm vitesh, që nuk kanë asfare perceptimin e ndonjë humbjeje a cfilitjeje, por kushtin e një aventure sociale! Kjo fuqi për të asnjanësuar raportin, e autores Vera Bekteshi, është e veçante në letërsinë shqipe dhe ende nuk kam gjetur një model të dytë.
Levinas, ka thënë se, qëllimi i jetës sime është investimi në një formë pavarësisht me- drejt një tjetre, dhe kjo është në frymën time, pavarësisht se çfarë jam. Kjo frymë e kërkon lidhjen në një frymë tjetër, pra, fryma ime, nuk është thjesht një manifestim moral i përgjegjësisë (për të pasqyruar konfliktin ashtu siç qe) në atë që shkruaj. Mirësia është esenciale në jetën e frymës thotë ai. Lavdia e Hyjnores, e infinitit, shton Levinas qëndron në çfarë mund të bësh ndaj asaj që ishe dëshmitar, sepse vazhdon ai, hyjnorja qëndron në relacionin tim me tjetrin; etika qëndron në vizionin absolut të pasqyrimit të paanshëm të kësaj lidhjeje.
Në romanin e dytë “Ora me rërë”, megjithëse jemi në terma të tjera të zhvillimit të ngjarjes, mund të themi se prapë jemi në një vijim analize, vetëm se problemi është spostuar nga objekti te subjekti, nga shoqëria te individi. A është ky i fundit më i mirë sesa ajo? A është individi më i mirë se shoqëria. Nëse ai e ka lirinë, a e tregon veten ai, dhe cila është ajo vete që ai tregon?
Drama e lirisë është më e rëndë se ajo e robërisë, sepse te kjo e fundit kufizimin duket sikur ta vë tjetri, por, në liri, kufizimi vjen prej esencave të tua, pra, problemi është vetja. Kuptimi i jetës duket edhe më i turbullt në liri, ku çdo gjë është e lejueshme. Problemi i zgjedhjes së bërë bëhet edhe problemi i egos, i pakënaqësisë dhe rënies së saj. Edhe këtu autorja vjen në të njëjtin përfundim. Kemi prej saj një seri persiatjesh e dilemimesh, të të njejtit rreth diskuri në via de retour:
“Në lidhjen e njeriut me jetën gjindet diçka shumë më e fortë se të gjitha pakënaqësitë e botës, ndaj dhe ai e shtyn këtë jetë dhe e mbron me thonj deri në fund.
Ditë pas dite shpirti filloi të marrë nga trupi, duke e kaluar në masë atë, duke e zhvleftësuar. ..instinktivisht kishte filluar të kuptonte karakterin qesharak të këtij procesi ..që ushqente mungesën e arsyes për të jetuar…Jemi të ngërthyer si rëra në orën e vet, ku grimcat lëvizin veçse përbrenda orës së qelqit, sillen aty rrotull pa mundur të dalin, sipas dorës që i lëviz nga jashtë. Liria është veçse një iluzion, sepse trurit tonë i duhet koha e mjaftueshme për ta kuptuar dhe për ta besuar, i duhet ora (me rërë).
..unë lexoj të kundërtën tënde, është një gjë për të qeshur dhe më duket plot fantazi, sepse kjo është mënyra jonë, të qeshim me çdo gjë, jemi mësuar të kalojmë gjithçka me pakëz lojë, kjo më duket vlerë e madhe e jetës.” Vlera e esencave mentale që na udhëheqin është njëkohësisht edhe krenaria jonë për to; krenaria e cila prodhon inferioritet, dhe inferioriteti aksionin e hakmarrjes.
Ngjarje të vetëlargimit nga jeta dhe të tradhëtimit ndjekin rënien e esencave dhe hakmarrjen prej krenarie, në roman. Autorja ka përpunuar një sinops aksioni dhe personazhe për të animuar këtë veprim social. Reflektimi posteriori i saj thotë: “Ҁfarë rrengjesh na punon jeta, çfarë shakash të rënda, afrohemi me njerëz që nuk i duam aspak dhe lëndojmë ata që duam, pse përzihemi me ngjarje që nuk duhet dhe frenohemi aty ku duhet të veprojmë. …Sepse njeriu para së gjithash është ajo çka ai ka menduar të jetë, jo ajo që ai dëshiron të jetë.”
Disa herë autorja vë në funksion filozofimi vargje nga autorë të thellë të mendimit, si këto më poshtë:
Asgjë s´është e sigurt
Për at`orë, kur t´na bjerë
E nga e cila do ndryshohemi krejt…
Shpirtërat e sertë ruajnë kufinjtë e zakoneve.
Me gjithë dekompozimin e marrëdhenieve dhe rënien e njeriut si model qëllimor i vetvetes, autorja në personazhin Unë, vazhdimisht ruaj forcën për të pohuar se asgjë nuk e rivalizon jetën e të qenit me qenien si produkt social. Të jesh nuk do të thotë të ngujohesh në prishmërinë e përgjegjësisë që i ke ngarkuar vetes dhe as në kllapën e gjykimit të të tjerëve. Siç thotë vetë ajo, askush nuk është pardon i asaj për të cilën ndjejmë e veprojmë, por hakmarrja për krenari është vesi që deformon marrëdhënien dhe zhvillimin normal të marrëdhënies, pavarësisht kufizimit që ajo bart, pasi është marrëdhënie pikërisht prej kufizimi dhe për të mënjanuar atë.
Konotacioni gjeografik Ballkanik e rajonal i jep fizik romanit. Peizazhe natyrale e rurale si dhe ato paradoksale e të shëmtimit urban të qyteteve, prej bumit demografik dhe tregtar të ndryshimeve sociale ekonomike, që padukshmërisht janë edhe shkaku i ndryshimeve shpirtërore dhe raporteve shoqërore që kondicionojnë edhe daljen jashte loje të esencave dhe pritshmërive qytetare, sfondojnë lëvizjen e personazheve, klimën e tyre shpirtërore dhe riforcojnë bindjen e autores, se diçka më e madhe se të gjitha formulimet diferencuese, është në vetvete jeta. Gjithçka është tranzite para jetës, edhe pse ajo mund të konsiderohet e shkurtër, kalimtare.
Asnjanësimi i rëndësisë dhe i prishmërisë, i ëndrrës torturuese apo i shkrimit për mungesën, është një proces, përvoja dhe koha vetëm e pohon këtë. Dhe në fund mbetet asgjëja, si ndërgjegjja e ndërgjegjes, si kompletësia e saj. Autorja citon Borges për këtë, si qëllim të veprës dhe jetës, në vetvete dhe për të tjerë: “Dëgjoj zogun e fundit, i lexoj asgjënë askujt”.
Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO, datë 22 prill 2017
Nëse do ta bësh pjesë të leximeve kë roman, porosite online, te linku KETU.