Shqipëria pa make up e Zija Çelës

zija-celaaa

Lexim rreth romanit “Ora e Zooparkut” i Zija Çelës: Fati i Martinit të shndërruar tashmë në Mario në Itali është i ngjashëm me fatin e shumë emigrantëve. Edhe pse miku i tij e mban larg organizatës kriminale, ai prapë ushqehet me paret që vijnë nga krimi, trafiku i drogës dhe i femrave

Lazër STANI

Kur një shkrimtar e lexon që në moshe të re, nxënës në shkollë të mesme, siç më ka ndodhur mua me Zija Çelen, kur një shkrimtar e lexon libër pas libri e vit pas viti, vjen një kohë që pa e kuptuar e zëvendëson atë me dikënd tjetër, që për ty është i Ri, sjell vizione, imazhe, histori, dhe emocione të paprovuara më parë.

Në tyezën time të punës, të tjerë libra mbaja në moshen 25 vjeçare, , të tjerë mbaja në moshën tridhjetëvjeçare e të tjerë mbaj sot.

Vitet e bëjnë punën e vet, ne rritemi, bëhemi më të pjekur ose më të çoroditur, në fund të fundit, ndryshojmë: kështu ndryshojnë edhe librat me të cilët jemi në gjendje të krijojmë një emocion dhe një lidhje shpirtërore në aktin e leximit.

Po si me të paktë autorë, anjëherë nuk ka ndryshuar kenaqësia dhe magjia e leximit, befasia e bukur që të shkakton Zija Çela në secilin krijim të tij, në secilin libër të botuar prej tij.

Mbaj mend se në vitet tetëdhjetë, në atë shkreti letrare, ku diktati i realizmit socialist, thante shpirtrat dhe letërsinë, leximi i tregimeve, apo romaneve të Zija Çelës përbënte një befasi të bukur. Pra Zijai të befasonte nga tregimi në tregim, nga faqja në faqe në romanet e tij. Më kujtohet kur u botua në fund të viteve tetëdhjetë, Eklipsi dhe proza të tjera. Çfarë befasie të bukur më pati krijuar Zijai me novelën e tij “Ylli i Plakave”.

Pas nëntëdhjetës,   rilexova prapë romanin e tij të parë në mos gaboj “Një verë pa lamtumirë”. Prapë mbetej një vepër mjeshtri, një roman shumë i mirë, i shkruar me elegancë, shkathtësi, freski, gjuhë dhe tekst letrar solid dhe të përveçëm.

Por të mos zgjatem me diskursin e leximeve të romaneve dhe tregimeve të Zija Çeles, të vijmë te romani i tij i fundit, “Ora e Zooparkut”, që sot lexuesi po e merr në dorë. Ndërsa e lexoja faqe pas faqeje nuk më shqitej nga mendja thënia e Ëystan Hugh Auden-it: “Një libër i vërtetë nuk është ai që lexojmë, por ai që na lexon.”  Pikërisht kjo po më ndodhte me “Orën e Zooparkut” të Zija Çelës: nuk është një libër që e lexon, është një libër që të lexon ty si lexues, lexon njeriun dhe fatin e tij, lexon shoqërinë shqiptare në një moment dramatik të saj, pikërisht në orën e vet zoologjike, që për fat të keq neve na ka zgjatur jo pak në këta dhjetëvjeçarë të Tranzicionit, duke u shndërruar në vektor dominues në jetën tonë.

Pa zbukurime, me një vertetësi të frikshme, shkrimtari ka zgjedhur të rrëfejë anën e errët të shoqërisë dhe të njeriut të kapur në kurthin e vetvetes, i kryqëzuar midis të shkuarës dhe të ardhmes. Jo rastësisht romani fillon me një spirale, e vazhdon me kurthin, sepse në një spirale vërtitet e në këtë kurth gjendet njeriu i Zija Çelës, i kapur keqazi, pa mundur të çlirohet, pa mundur të projektojë një të ardhme normale.

Përsonazhi i romanit, Martin Labora që në faqet e para ndeshet me sfidën e papërballueshme; të pranojë dashnorin që i pallon nënën, e mbetur  e ve, të bashkëjetojë me të, ta vrasë, siç i klith morali i shkruar në gene, apo t’ia mbathë, të zhduket pa shenjë e nishan, të shndërrohet në një të vdekur pa varr për nënën e tij mëkatare dhe të pacipë, që ka zgjedhur të shfryjë epshet me një burrë pothuajse në moshën e djalit të saj, me Terenc Haskodecin – një skilipec?

Me ndihmën e mikut të tij, shokut të hershëm të shkollës Roni Krisili, të shndërruar në Edmond Kristo, pas emigrimit në Itali, ai arrin të zhduket nga Shqipëria, emigron në vendin fqinj, strehohet, merr një identitet të ri, Marian Miromara, shkurt Mario, pandeh se qëron hesapet me identitetin e vet të mëparshëm, Martin Labora,  të cilin e mbyt në lumin Po e ia kumton vdekjen e tij nënës, duke imituar zërin e njërit prej anëtarëve të klanit të Edmond Kristos, Abdullah Melgushës si hakmarrje, si shpagim për poshtërimin e që i ka bërë e ëma, Fjona Kokona, me dashnorin e saj Haskodecin – një biznesmen i vogël.

Fati i Martinit të shndërruar tashmë në Mario në Itali është i ngjashëm me fatin e shumë emigrantëve. Edhe pse miku i tij e mban larg organizatës kriminale, ai prapë ushqehet me paret që vijnë nga krimi, trafiku i drogës dhe i femrave.

Pafajësia e tij e drejtpërdrejtë është fasada, parzmorja pas së cilës fshihet kreu i klanit kriminal. Vitet si emigrant edhe pse duken si vite të bukura, me argëtime dhe femra, prapë nuk e çlirojnë përsonazhin nga makthi i së shkuarës, ndihet herë pas here i kërcënuar, i përndjekur dhe i përsekutuar nga fantazmat kriminale që shtegtojnë në mendjen e tij, që shndërrohen në imazhin e  një përsoni konkret, anëtar i klanit të Edmondit, Abdulla Melgushën, me të cilin ka patur nja dy incidente, që gjithsesi nuk përbjenë një argument për vrasje, asgjësim.

Kthimi i tij në Shqipëri pas pesëmbëdhjetë vitesh, nuk e çliron nga kjo mani përndjekjeje dhe përsekutimi, nga frika e pandashme dhe makthi i përhershëm se e pret një fund tragjik, pikërisht nga dora e pamëshirshme e Abdullahut.

Për të shpëtuar nga përsekutori, xhelati i tij, Mario (Martini) pajton një hetues privat, Tomi Domin, që  edhe pse  e bren dyshimi se ka të bëjë me një agjent i fshehtë policie,  ai i rrëfen për dy gjysmat e tij dhe lidhjet me klanin mafioz. Procesi hetimor zhvillohet në fshehtësi, me rrëfime të njëpasnjëshme deri në atë moment kulmor, kur Mario zbulon se përndjekësi i tij i vërtetë është gjysma tjetër nga e cila është përpjekur të shpetojë.  Dhe çfarë zbulon në fund të fundit: Këtë autori na e rrëfen në mënyrë mjeshtërore:

“ Doja të flakja përgjithmonë nga vetja Martinin njëzet e tre për njëzet e katër vjeç.  Doja ta përjashtoja pa e integruar kurrë në të ardhmen në mënyrë që nga i njëjti Un të krijoja një qenie të ndryshme.

Ndoshta qysh atëherë më ka filluar ajo ndjesi e frikshme e njeriut, i cili ndihet si i ndarë dysh. E çfarë arrita?  Braktisa një gjysmë të përbuzur  dhe mbas gjashtë shtatë vjetësh, krijova një gjysmë tjetër edhe më bastarde. Ndërkohë, sa herë që Mario kryente një lëvizje për t’u larguar, pa e kuptuar si dhe përse, ndjeja të pasohesha edhe nga lëvizja përndjekëse e Martinit”. Sepse, siç shprehet shkrimtari, vetes dhe vdekjes nuk mund t’i shpëtojë askush.

Romani, mbyllet me një skenë vrasjeje, pikërisht në Zoopark, ku kujdestari qëllon njeriun që ishte shtrirë për tokë në kafazin e luanëve. Ngjan si aksident fatkeq, si pakujdesi, si shënjestrim i gabuar, por jo rastësisht autori zgjedh të ndodhë pikërisht kështu: sepse në orën zoologjike, ndryshimi midis njeriut dhe kafshës është i paidentifikueshem, në mos njeriu është dhe me i keq e më barbar se kafsha. Romani mbyllet me fjalët e Martinit (Marios) që gjatë gjithë kohës rrefen në vetë të parë: “Unë kurrë s’kisha mëtuar për të qenë në krye, por s’doja as në fund. Aty s’po ndihesha mirë, kështu që nisa të largohesha duke u çapitur ngadalë, thua se askund s’kisha për të gjetur vendin tim”.

“Çdo jetë njerëzore përfundon në të njëjtën mënyrë, shkruan Hemingëay. Janë vetëm detajet si jetoi dhe si vdiq që e bëjnë dallimin e një njeriu nga një tjetër”.

Nga leximi i romanit lexuesi bindet sa sa mirë di Zija Çela ta bëjë atë distinguishing (dallim) të fateve njerëzore, se sa shumë hollësi, veçori e detaje jep, se sa sy të mprehtë ka, e sa thellë shikon në jetën dhe psikikën e secilit individ, gra e meshkuj, që përbëjnë galerinë e personazheve të romanit. Shkrimtari edhe pse vështron errshëm, arrin të shohë qartë dhe kthjellët, pikërisht atje, në bodrumet e lagësht dhe të pandriçuar të shoqërisë dhe të shpirtit të njeriut.

Faktues, analitik, i thellë, depërtues, me një gjuhë të gjallë e të begatë, me fjali të stilizuara, që të kujtojnë zellin e poetëve të mëdhenj, “Ora e Zooparkut”, vjen si një roman i ri, jo vetëm për ne si lexues, por edhe për vetë shkrimtarin Zija Çela.

Pas kaq shumë krijimesh të suksesshme, që e kanë renditur me kohë emrin e tij në elitën e letërsisë shqipe, me “Orën e Zooparkut”, shkrimtari dëshmon talentin e tij unik, potencialin e tij të pashtershëm krijues, fuqinë e imagjinatës dhe mjeshtërinë e shkrimit, por dëshmon njëkohësisht edhe bukurinë, pasurinë, magjinë, shprehshmërinë, thesarin e pashtershëm të gjuhës shqipe, që në këtë vepër fiton plotninë e saj hyjnore çka e rendit padyshim autorin krahas mjeshtrave më të mëdhenj te lëvrimit te shqipes si Fishta dhe Konica, Noli dhe Kuteli, Poradeci dhe Koliqi.

Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO, datë 13 maj 2017

zija-koprtine

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *