Lexim rreth librit “Ëndrra e doktorit” të Besnik Mustafaj, i hedhur në qarkullim nga Botimet Toena
Agim Baçi
Një ëndërr drejt pushtetit nuk ka … kohë. Një ëndërr drejt pushtetit ka bërryla, mosmirënjohje, ego që nuk njeh kufi dhe, natyrisht, kërkimin e rrugëve të pafundme për të shënjuar emrin plot merita, pavarësisht nëse mund t’i mbash ose jo ato merita, apo në qofshin apo jo të tuat idetë. Besnik Mustafaj ka huazuar nga vepra Pas vdekjes” e Andon Zako Çajupi një figurë që ka kontradiktën e dijes dhe pushtetit në rrugëtimin e tij – doktor Adhamudhin-, si për të paralajmëruar lexuesin se ajo çka pret që ta njohë në këtë jetë, ka ndodhur edhe më parë, e do të ndodhë sërish sa të rrojë njeriu. Por njëkohësisht, Mustafaj ka veshur kostumin e Çajupit për të rrëfyer atë që ai mundi ta hidhte në letër, si për të përligjur fuqinë e pashtershme të artit, që e lë pas kohën e egos dhe pushtetit dhe fiton kohën për të tjerë që do të vijnë më pas.
Korrier Zeneli, zonjëza Lulush, deputeti Haxhi Ali, e mjaft personazhe të tjerë mund t’i gjesh gjithkund dhe kurdo, mjafton të shohësh pak me vëmendje, se ç’fshihet pas tyre në rrugën për të kërkuar lavdinë dhe pushtetin. Parabola artistike e Mustafajt mund të rrokë shumë emra që janë bashkëkohës me këdo prej nesh, por metafora e vetme mbetet një shoqëri e mbytur nga mediokriteti, ku kushdo guxon dhe merr flamurin e patriotizmit, pavarësisht nëse mund ta valëvisë apo jo.
Gjetja artistike e një rishkrimi të “të pathënave” mes Çajupit dhe personazhit të tij, doktor Adhamudhit, (në fakt edhe ai një personazh real i kohës së Çajupit) e fut lehtësisht Besnik Mustafajin në një trill tërheqës, duke u bërë “ndërmjetës” mes një historie të njohur dhe të asaj që troket thuajse çdo ditë. Dyfytyrësia dhe propaganda pikturohen përmes dëshirës së një mediokri për pavdekësi – Adhamudhi kërkon të themelojë Abetaren që të mbetet i pavdekshëm mes bashkatdhetarëve të tij. Një ëndërr që, kur është e zhdrejtë me aftësitë që zotëron, sjell edhe gjithë zinxhirin e keqkuptimeve, por edhe të një jete plot hipokrizi.
“Shkrimtari Andon Zako-Çajupi tashmë ishte në të drejtën e tij për t’i zgjatur dorën i pari kur do të ndaheshin. Ai kishte fituar sakaq një epërsi, të cilën Doktor Adhamudhi do ta pranonte vetëm aty për aty. Vështrimet e tyre u kryqëzuan tek i uronin njëri-tjetrit natën e mirë. Por errësira e pengonte vështrimin e Doktor Adhamudhit për të hetuar nëse në sytë e shkrimtarit vazhdonte të lëvrinte qesëndia si bisht i gjelbëremë hardhuce.
Në vazhdim, kur do të fillonte të punonte për alfabetin për Abetaren, ai do t’ia mohonte sidoqoftë epërsinë Andon Zako-Çajupit, duke harruar shpejt nga e kishte marrë shtysën për një punë të tillë të jashtëzakonshme. Për të forcuar vullnetin, ai kishte nevojë të bindej plotësisht se gjithçka ishte pjellë vetëm e mendjes së tij të pashoqe. Shkrimtari, nga ana e vet, në takimet e mëvonshme, gjithmonë të rastësishme e gjithmonë në mjediset e Klubit, nuk ia zuri më kurrë në gojë çështjen e Alfabetit”. (Besnik Mustafaj, “Ëndrra e doktorit”, Toena 2016, f. 16-17)
Përmes një stili tërheqës, ku duket se herë zbulon e herë lexon se ç’ka ndodhur, Mustafaj ka mundur të na sjellë një rrëfim sa lokal aq edhe të përhershëm. Duke vënë përballë fuqinë e fjalës dhe pafuqinë e medikroit për të kuptuar poezitën e tij në jetë, autori i hap udhë disa pyetjeve të përhershme që lidhen me pavdeksinë dhe athedhun. E herë nën kostumin e Çajupit, e herë si “hamendas i ngjarjeve” Mustafaj ndërton groteskun e tij për këtë përjetësi dëshirash mes të vdekshmëve.
Si për ta sjellë edhe më shumë në kohë, Mustafaj merr lehtësisht autoritetin për të rindërtuar historinë duke përfshirë edhe një rivalitet mes gazetashkruesit Vruko (Çajupit) dhe doktor Adhamudhit për të fituar zemrën e zonjëzës Lulushe, mësueses së çupave që është llogaritur të mësojë vajzat me abetaren e re.
Një shkak që jo pak herë vendos në përditshmërinë tonë, jo vetëm politike. Duke u pozicionuar si një lexues i “të pathënave” të komedisë së shkruar nga Çajupi, Mustafaj sjell dilemat e njeriut përballë vdekjes, të përhershmes dhe dashurisë. Si autor që ka të drejtë “të rishkruajë” Mustafaj i ka dhënë hapësirë përjetimeve të personazheve, e përmes këtyre përjetimeve të vërë përballë sublimen dhe qesharaken, duke përshkruar groteskun e përhershëm të kësaj loje.
“Në pyetjen e Gazetashkronjësit Vurko ka një qortim të përmbajtur për Zenelin, sytë e të cilit rrotullohen ngadalë në foletë e veta si kërmij. Ai gërmon për një çast në vështrimin e Gazetashkronjësit, me një shpresë të dobët për të zbuluar tek ai shakanë. Doktor Adhamudhi do të kishte dashur të afrohej tek të dy rrogtarët e tij.
Gazetashkronjësin Vurko do ta kishte përgëzuar nxehtësisht. Ndërsa Zenelin do ta kishte qortuar rreptë. Nuk i lejohej Zenelit gjithë ai ngurrim për të pohuar se, Doktor Adhamudhi kishte përmbushur pa dyshim një vepër të madhe në shërbim të kombit, duke i çelur kështu vetes derën e ngushtë të pavdekësisë. Por ai ishte i mbërthyer atje ku ishte, pa asnjë mundësi për të lëvizur. Ishte atje ku duhej, në fakt…”. (Besnik Mustafaj, “Ëndrra e doktorit”, f. 225).
“Ëndrra e doktorit” është një “rishkrim” vepre që lë dyert e hapura të interpretimit, por njëkohësisht të shijimit të rrëfimit.
Botuar në gazetën MAPO, datë 14 maj 2017
Librin mund ta porositni direkt online te linku KETU