Një romancë gjermanike në vigjilje të luftës

virgjeresha-ok

Marente De Moor, fituese e Çmimit Europian të Letërsisë, 2014, prezente në Tiranë me rastin e promovimit të romanit në shqip, “Virgjëresha holandeze”, vlerësuar si një roman i jashtëzakonshëm, botimet “Dituria”, është përkthyer nga Albana Shala

Eni Myrtollari

I përkthyer tashmë në disa gjuhë, teksa e lexon këtë roman sa mistik aq edhe dramatik, nuk është e vështirë të kuptosh arsyen pse ky roman ka fituar Çmimin Europian të Letërsisë për vitin 2014. I shkruar me delikatesë dhe gjuhë të përzgjedhur, me një histori që të mban të ngërthyer, duke qenë se ngjarjet sillen rreth një teme të veçantë, sportit të skermës.

“Një romancë gjermanike në vigjilje të luftës”, e kanë quajtur kritikët. Dhe, në fakt, në këtë libër ka pak nga të gjitha: luftë, dashuri, sekrete, të vërteta, personazhe interesante me të shkuar të pasur, si ata shërbëtorët që flasin në dialekt, duke qenë se ngjarjet zhvillohen në një zonë në kufirin mes Gjermanisë dhe Holandës.

“Ka pasur disa fakte dhe rrethana që më kanë intriguar, shkruan vetë shkrimtarja me rastin e një interviste. Njëri prej tyre ishte arti i skermës. E dyta është jeta në kufirin e tre vendeve (Holanda, Gjermania dhe Belgjika). Unë jetoj në kufirin e këtyre shteteve, i vizitoj ato çdo ditë – nga shtëpia ime në Holandë, përmes Belgjikës dhe në kthim.

Dhe takoj njerëz që jetojnë gjithnjë mes kufijve: njerëz që janë shënjuar nga ky fakt interesant. Dhe vec kësaj më ka hipnotizuar Helene Mayer, një nga sportistet e para të skermës që mori pjesë në Lojërat Olimpike në Amsterdam, në vitin 1928 dhe periudhën midis dy luftërave botërore. Ka një tension të vazhdueshëm në libër midis egërsisë në natyrë ose në pasionet e pakontrolluara nga njëra ane dhe racionalitetit te njeriut, nga ana tjetër. Në skermë, beteja mes mendjes dhe zemrës është e gjithëpranishme: nuk duhet të humbësh asnjërën nga te dyja.”

Jana, një skermëtare e re dhe e talentuar, shkon në Gjermani, në shtëpinë e mikut të babait të saj, fisnikut Egon fon Boetiger, mjeshtër skerme dhe njeri me të shkuar të errët, të stërvitet dhe të perfeksionohet në këtë sport. Përballja e parë me këtë njeri enigmatik dhe tërheqës, që ka moshën e babait të saj, është e fortë dhe mbresëlënëse. Kush është ky burrë me vraja në fytyrë dhe çfarë fsheh ai? Cili është sekreti që lidh Egonin dhe  mjekun Zhak, babain e Janës? Letra që Zhaku i jep së bijës me vete, si përpjekje për  t’u pajtuar me mikun e vjetër, është fillimi i romanit, por edhe pika ku zgjohet kërshëria e lexuesit, sepse, kuptohet, një e fshehtë e madhe i pret deri në faqen e fundit të romanit.

Për lexuesin, përgatitja dhe stërvitja e Janës, lëvizjet dhe goditjet e kundërshtarit – janë grishëse, po aq sa linja tjetër e subjektit: marrëdhënia e Janës me Egonin. Për të thënë të vërtetën, tensioni i lojës ndihet në të gjitha marrëdhëniet  në shtëpisë e  madhe e të errët. Është vera e vitit 1936 teksa Gjermania ka nisur të marrë tipare naziste, por Fon Boetigeri ka mbetur me kokën pas në një të shkuar kur zhvilloheshin ndeshje mensuri, një lloj tradicional skerme, gjatë të cilave dyluftuesit i linin vraja në fytyrë kundërshtarit, si shenjë trimërie dhe nderi. Jana është e vetmja që do të arrijë të çarmatosë këtë burrë të hidhëruar e të zymtë, ta shërojë e ta shpëtojë nga fantazmat e së shkuarës, që e përndjekin në çdo dhomë të errët të shtëpisë së pluhurosur në Raeren. Por cili do të jetë çmimi që do të paguajë vajza e re për këto javë qëndrimi në Gjermani?

Në shtëpinë e mjeshtrit nuk do të jetë  vetëm ajo studente, por edhe dy binjakë të bukur e identikë si dy pika uji, që kërkojnë vëmendjen e saj. Shumë gjëra ndodhin në ato pak javë në Raeren, dhe Jana, që niset nga shtëpia e vet si një vajzë naive, kthehet grua pasi ka kaluar në pasione të rrezikshme e të forta.

Romani është pjesë e projektit të rëndësishëm “Storytelling the life”, botuar me mbështetjen e Programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian.

Shkrimi eshte botuar ne gazeten MAPO, date 10 qershor 2017

Librin mund ta porositni direkt edhe te linku KETU

virgjeresha-holandeze

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *