Mes profetit e profetit

Musa-Ramadani

Lexim i romanit “Profeti nga Praga” të autorit Musa Ramadani, botuar nga Mapo Edition, fituesi i Çmimit Kadare për vitin 2017 nga Ledia Dushi: Gjëja e parë që ndjeva pasi përfundova së lexuari dorëshkrimin e romanit Profeti nga Praga, është përqasja e tij si një dritare nëpërmjet së cilës kalojnë faqe nga ditaret dhe veprat e Kafkës. Është jo vetëm kujtese, por edhe njohje me veprën e tij.

Ledia Dushi

Sartri thoshte: “Shpirti ka më shumë të drejtë se asgjë”. E di se jeta është më shumë arsye se shpirt, por kur flasim për artin, e mendoj se për këtë e ka edhe Sartri, pa diskutim jeta duhet të jetë më shumë shpirt se arsye. E them këtë sepse mendoj se arsyeja asgjëson vetveten, ndërsa shpirti është forma më e lartë e qenies njerëzore.

Sot kemi një ngatërresë të madhe ndërmjet atyre që e duan letërsinë me letrarët, pra me ata që  gjakojnë ta krijojnë atë. Kjo nuk ndodh vetëm ndër ne shqiptarët, por në të gjitha ato vende që nuk e kanë ndërtuar si duhet historinë e letërsisë. Kur lexojnë  një poezi, meqenëse dinë shkrim e këndim, shumë e mendojnë veten poetë, fillojnë të shkruajnë dhe kështu e ndjejnë veten të rëndësishëm. Nuk kuptojnë se arti nuk e përdor shpirtin, por i shërben atij. Krijojnë një letërsi të sforcuar e cila shkatërrohet nga përplasja e fjalëve. Të gjithë ata që mendojnë se në letërsi suksesi lidhet me konsumin, kanë hyrë në një rrugë të pasigurt. Konsumi ndoshta edhe mund të lulëzojë, por ndërkohë arti me gjasë ka marrë arratinë.

Gjëja e parë që ndjeva pasi përfundova së lexuari dorëshkrimin e romanit Profeti nga Praga, është përqasja e tij si një dritare nëpërmjet së cilës kalojnë faqe nga ditaret dhe veprat e Kafkës. Është jo vetëm kujtesë, por edhe njohje me veprën e tij. Ne kemi nevojë ta shikojmë me sytë e të sotshmes veprën e Kafkës.

Me dashuri dhe art na e sjell atë autori Musa Ramadani, për të gjithë ata që e duan dhe dëshirojnë ta njohin letërsinë ose ndjejnë brenda vetes grishjen që i fton për t`i shërbyer ndjenjës dhe fjalës.

Autori shkruan për atë që ndjen dhe përjeton. Këtë gjë e realizon si rrëfim dhe si dokument.

Diku në faqen e tretë të dorëshkrimit ndava dy rreshta nga dialogu ndërmjet Maksit të gjallë e të plakur dhe Francit, i cili pas një mungese vinte i ri si dikur…

“Më thoni pra takimi me mua ju gëzoi apo ju pikëlloi…” . Ndoshta kjo ishte pyetja që kishte në mendje Franc Kafka para 41 vjetësh  kur ai shkruante: “ Jeta ime është e tillë, sikur unë të isha i sigurt në një jetë të dytë”.

Dhe përgjigjja vjen si nga një jetë tjetër: “Trupi len gjurmë mbas vetes, e shpirti i mbulon ato…” Autori nuk ndërton një kufi ndërmjet fjalës së tij dhe asaj që Kafka kishte shkruar dikur. Fjalët kalojnë nga shkrimet e Kafkës tek fjalët e autorit. Të dyja vinë si ndjenja, përqasen me metafora dhe unë ashtu do mundohem t`i paraqes. I japin jetë njëra-tjetrës si dy dallgë që mbasi takohen përzihen e shkumbojnë, këndojnë lehtë një sonatë të cilën autori ia dedikon Kafkës duke u “harruar” në të.

Them se nuk lodhet së kaluari nga çudia në përhumbje. Ai e din fort mirë se faji i parë i Kafkës ishte leximi në rini të cilin e pasoi në moshë të rritur, me  fajin e të shkruarit. E nis aty ku Kafka

“nën shënjestrën e dashurisë së dikurshme”  filloi të ndjejë e të shkruajë. Ndryshe nga surrealistët të cilët “Kundërshtonin vetveten nga brenda, me anë të vetvetes”,  Kafka vetëm pranon se qëllimi i njeriut kthehet tek vetvetja, duke qenë njëkohësisht dështimi dhe suksesi i tij.

Dihet se Kafka me ato që jeta shkroi në shpirtin, krijoi personazhet . Autori mundohet të krijojë veprën e tij me ato çka vepra e Kafkës shkroi tek ai. Vepra në një farë mënyre kthehet në një thirrje. Gjithmonë kam menduar se kjo gjë është një vlerë. Thirrja s’është gjë tjetër veçse një shpirt i kthyer në substancë.

Duke kaluar nga faqja në faqe, autori na e sjell Kafkën si një njeri të zakonshëm . Ashtu si të gjithë ne e niste ditën me shpresa që nxisnin në shpirtin e tij emocione te reja, si  të gjithë ne që sapo hyjmë në lumin e përditshmërisë, emocionet i merr me vete vala e zhgënjimit. Në marrëdhënie me të tjerët ne transformohemi apo shformohemi?  Kërkojmë të vërtetën e kësaj marrëdhënie je, ashtu siç shkruan Kafka: “… por, në të vërtetë, papritur, isha dëbuar nga shoqëria…” As Kafka e as autori nuk kërkojnë fajësinë e kësaj gjëje. Autori shprehet se: “Unë ende mendoj se një nga gjërat më marroqe në rruzullin e kësaj toke është të shqyrtosh seriozisht çështjen e fajësisë”.  Këtë na e sjell nëpërmjet Kafkës që është personazhi i tij.  Ne e dimë se Kafka nuk ishte modeli i protestuesit.

Autori me nota të mrekullueshme përshkruan vendin ku kaloi rininë Kafka. Një heshturimë heshtuese, përcakton gjendjen e tij shpirtrore. Mundohet ta shikojë nën shënjestrën e dashurisë së dikurshme të Kafkës, aq sa lexuesi mund të mendojë se më këtë forcë është dhënë dashuria e autorit për qytetin.

Në faqet e librit, personazhi i tij vjen më shumë i ndrojtur se sa i frikësuar. Kafka ndjehet në vitin 1965 njësoj si para 41 vjetësh, i ndryshëm nga bashkëkohësit. Ai vazhdon të besojë se bota nuk është thjesht e padeshifruar, por e padeshifrueshme. Ajo është e fshehur aty ku shpresa përplaset me realitetin. Bota është labirinti që Kafka nuk e përmend, por që Borgesi e vëren aq qartë.

Sigurisht ka njerëz që s`e kanë dëgjuar kurrë emrin e tij. Kujdesi shtetëror është qesharak. Kryesisht të rinjtë e të rejat lexojnë thënie, bluajnë mendime, përtypin aforizma të asketit, kabalistit e profetit F. K. Më kujtohet thënia e Kafkës: “Unë mbaj mbi supe negativitetin e kohës time”. Ai nuk e lufton, por në një farë mënyrë e përfaqëson atë. Shpirti i tij gjen prehje në katin përdhes. Atje, thotë ai, është vetmia ime. Ndërsa sot e kalojnë katin përdhes. Zhyten thellë në vetminë dixhitale, në atë që një miku im e quan “bira e dreqit”.

Autori tani fillon të flasë sa me Kafkën, aq edhe me veten e tij. E ndjen veten zbrazur dhe të pazotin për të shpëtuar nga kjo jetë e mbrapshtë. Shkruan pjesën “Kafka me Kafkën” dhe e quan aksident.

“Unë nuk jam gjë tjetër veçse një plangprishës: një njeri që ka ikur nga shtëpia”  ndërsa Kafka i vitit 1965 i thotë: “Krejt e kundërta juaj: unë jam ai prej të cilit ka ikur shtëpia”… Për ta duket sikur ekziston vetëm ferri. S’është ndonjë çudi e madhe.

Njeriu kërkon të vendosë një ballancë apo të të krahasojë kërkesat e kohës të cilat gjakojnë të jenë të arsyeshme me argumentin logjik. Pikërisht këtu duket se humbin qëllimet e mira të njeriut. Ato treten në përditshmëri. Në fakt ato ekzistojnë, por nuk janë. Ne endemi në kufijtë e dijes tonë, duke u rrekur të tregojmë më shumë se sa dimë.

E ndoshta kjo gjë e shtyn Kafkën të bëjë thirrjen rrëqethëse: “Kufizimi i pathyeshem i trupave njerëzorë të kall datën”.

Ndërsa Musa Ramadani shkruan: “Me energjinë time shpirtërore, përpiqem të tejkaloj atë fizike deri në pikën e fundit”. Kjo thirrje duket se të kthen bukur herët në kohë, kur dyzimi i përjetshëm i nënshtrimit ndaj ligjeve të Hyut dhe ligjeve të vdekjes, do të grishte vetë Shën Palin në thirrje: “…Kush do të më çlirojë nga korpi i kësaj vdekjeje?” E më tej, “Prandaj, pikërisht unë me mendje përnjëmend i shërbej ligjit të Hyut, ndërsa me mish, ligjit të mëkatit”.

Libri përshkohet gjithkah nga poezia. Poezia futet në dialogje të kjarta ku ndjehet hapësira midis dy kohëve dhe mandej të lë shteg të mendosh edhe për kohën e sotme. Lehtësisht dallohet se kemi të bëjmë me një poet, dramaturg, shkrimtar, piktor, kompozitor…

Për mua, të flasësh, do të thotë të veprosh. Të gjithë këtu e dimë se ekziston fjala e jetuar dhe e takuar. Vetëm fjala e jetuar mund të kthehet në art.

Autori niset në kërkim të vetes e në këtë rrugëtim, gjëja e parë që kupton është se ne nuk jemi krijuesit e qenies,  por thjesht zbulues të një pjese të saj. Ne nuk e krijojmë artistin.

Ai është brenda nesh. Thjesht përpiqemi ta zbulojmë, përndryshe do të flisnim pa thënë asgjë.

Musa Ramadani,  ashtu si Kafka i tij, nuk është një krijues teorish, as arkitekt i sistemit; ashtu si Kafka ai ndjek ëndrrat e veta, krijon metafora e asocacione të befta; kallëzon histori; është poet… Por, ndërsa Kafka ishte poet i çrregullimeve të veta,  Musa Ramadani është poeti i përpjekjes eterne të shpirtit dekadent, ngujuar në muranën e rrënueshme të trupit.

Shkrimi eshte marre nga gazeta MAPO, date 24 qershor 2017

Porosite direkt online te linku KETU

profet-nga-praga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *