Lexim i librit të Robert Wilton “Merimanga e Sarajevës”, i përkthyer nga Diana Çuli, i botuar nga Toena
Diana Çuli
Në dimrin e kaluar u mora me përkthimin e një libri që e quaj të veçantë: me romanin Merimanga e Sarajevës, shkruar nga shkrimtari anglez Robert Wilton, njohës i mirë i Kosovës e i Shqipërisë për shkak të detyrave të tij zyrtare. Ai ka qenë këshilltar i kryeministrit të Kosovës në vitet e para të pavarësisë së saj, ka punuar atje shumë vite dhe prej kohe është dhe zv/ambasador pranë OSBE-së në Tiranë.
Por, unë rashë në kontakt me Robert Wiltonin në përmasën e tij letrare, i njohur dhe i vlerësuar në Britaninë e Madhe si autor i romaneve historikë dhe thriller dhe më kureshtoi ky autor që, midis të tjerash, shkruante dhe për Ballkanin, për historinë e tij, ku, padyshim, zinin vend jo të vogël dhe pjesëza historie të Shqipërisë.
Madje, romani që sapo botoi TOENA dhe për të cilin po shkruaj këto radhë i kushtohet shqiptarëve me fjalët: Shqiptarëve, në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen e përhershme dhe për shpresën se ata mund t’u shpëtojnë trillimeve historike.
Fjalë që më tërhoqën vëmendjen për përmbajtjen e dyfishtë – pra të një vëmendjeje të thelluar ndaj një populli të cilit autori ia ndjen dhe ia kupton kontradiktat, dritëhijet, rrugën e vështirë dhe të mundimshme drejt përparimit.
Subjekti i romanit zhvillohet pak përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, në kohën kur Princ Vidi sapo ka ardhur në Shqipëri, kur nacionalistët serbë po komplotojnë vrasjen e arkidukës Franc Ferdinand të Austrisë (dhe që e vranë më 28 qershor 1914).
Në një kohë, gjithashtu, kur të gjitha Fuqitë e Mëdha të Europës po aktivizonin si kurrë më parë rrjetet e tyre të spiunazhit për të kuptuar në të gjitha hollësitë se çfarë po ndodhte në vendet ballkanike, ku, pas rënies së Perandorisë Osmane mbretëronte kaosi, pasiguria, aleancat e brishta, varfëria dhe mungesa e një perspektive të qartë shtetërore.
Për të kuptuar se çfarë do të ndodhte me vetë Europën dhe me perandorinë austro-hungareze në shkërmoqje e sipër. Jo vetëm për të kuptuar, por, siç dihet, edhe për të ushtruar ndikimin e tyre në zona të caktuara ballkanike apo europiane.
Dhe, në këtë situatë që zien paprerë, Foreign Office-i dërgon katër agjentë të tij specialë, për të zbuluar kryeagjentin armik, Merimangën, i cili prej shumë vitesh e sfidon institucionin e vjetër e të rëndë britanik.
Këta agjentë të rinj, të marrë nga profesione të ndryshme dhe jo me përvojë spiunazhi vijnë në Durrësin ku gëlojnë të gjitha agjenturat e mundshme dhe ku qeveria e princ Vidit është diçka butaforike, shkojnë në malësitë shqiptare, ku përfshihen në marrëdhëniet lokale e në rreziqet e agjentëve gjermanë – kundërshtarë, që kanë depërtuar dhe ata deri atje; përfundojnë në Stamboll, Beograd, Berlin e Vienë.
Një roman i pangjashëm me askënd tjetër të këtij zhanri, ku historia, spiunazhi dhe letërsia ndërthuren si një e tërë, ku ankthi i zbulimit të agjentëve shoqërohet me kureshtjen për të lexuar dokumentet sekrete, për të kuptuar intrigat e oborrit të perandorit, për të ndjekur fillin e mendimit të drejtorit britanik, mbyllur në zyrën e tij në hitehall, prej nga drejton me virtuozitet origjinal dhe me përvojën e tij të gjatë këtë operacion të rrezikshëm, për jetë a vdekje.
Dhe, mbi të gjithë, përfshirë dhe atë vetë, qëndron si shpatë e detyrueshme Damokleu la raison d’état.
Agjentët nuk janë thjesht agjentë tipikë spiunazhi. Dikush antropolog, një grua – historiane, një tjetër tregtar, e një tjetër studiues arti. Secili me tiparet, karakteristikat e botëkuptimin e tij, secili me ëndrrat që mund t’u ndërpriten në mes.
Ata vënë jetën në tehun e briskut për t’i shërbyer vendit të tyre, por, ndërkohë, në vendet ku duhet të punojnë e të jetojnë jetë paralele, janë dhe vëzhgues të zakoneve e të kulturës së popuve me të cilët bien në marrëdhënie.
Një perde që ngrihet mbi ngjarjet e atij preludi të përgjakshëm, një afresk kulturor e politik i Ballkanit dhe Europës, me kundërshtitë, magjinë dhe ndjenjën e perhershme pezull të asaj që mund të ndodhë çdo ditë e çdo sekondë, një shqyrtim gjithashtu i karakterit njerëzor në situata ekstreme dhe i kontradiktës së detyrës me jetën personale.
Narracioni është gjithashtu origjinal, në regjistër nëntekstesh që zbulohen si kutitë kineze, ashtu siç zbulohet dhe vetë subjekti, dialogje ritmikë dhe të prerë, sipas rastit dhe suspense-it. Figuracion i matur, i përmbajtur, që shoqëron me elegancë ngjarjet dhe personazhet.
Dhe, në fund ngjarja, që është shpërndarë pakuptueshëm në katër drejtime të panjohura edhe për vetë agjentët, zgjidhet duke mbledhur fijet në një nyje të vetme, në Vienë. Në atë, ditë, siç shkruan autori në fund të librit, kur Europa u ndodh “buzë greminës”.
Marrë nga gazeta MAPO, datë 8 korrik 2017
Librin “Merimanga e Sarajevës” të Robert Wilton mund ta porositni direkt këtu.
Bukinist.al i sjell librat te ju edhe me një mesazh në rrjetet sociale apo telefonatë te: 044508282