Shënime për romanin “Merimanga e Sarajevës” e autorit dhe diplomatit Robert Wilton, përkthyer nga Diana Çuli dhe botuar nga Toena
Agim BAÇI
Vjen një moment që lufta nuk është më problem, por është vetë zgjidhja… Robert Wilton, shkrimtar dhe diplomat, vjen në shqip me një triller me një sfond historik, duke sjellë jo thjesht gjendjen e Evropës në prag të Luftës së Parë Botërore, por edhe “guzhinierët politikë të kohës”, bashkë me jetën e përditshme.
E mbështetur në dokumentet e kohës, por njëkohësisht edhe me një “qetësi” të një shekulli të kaluar mbi ato ngjarje, diplomati-shkrimtar, Robert Wilton, lëviz personazhet e tij nga Londra në Konstandinopojë, Bosnje, Serbi e sidomos në Shqipëri.
Edhe pse Shqipëria nuk ishte epiqendra e botës për krizën apo diplomacinë e kohës, autori sjell atmosferën në një vend që për herë të parë pas një pavarësie të brishtë udhëhiqet nga një princ gjerman, ndërkohë që po shkëputet nga një marrëdhënie e ndërlikuar me turqit, që kanë sunduar për pesë shekuj.
Por, në fakt, cili ishte roli i Britanisë dhe Fuqive të tjera të Mëdha në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore? A nisi agjentura të vendosë një rol të ri të marrëdhënieve mes vendeve të ndryshme dhe të zbulojë marrëdhënie krejt të reja?
Cilat ishin konfliktet e vërteta dhe kush i nxiste konfliktet në këtë pjesë të Ballkanit, nga ku do të kurdisej edhe ndejza e Luftës së Parë Botërore, me vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinand më 28 qershor 1914 në Sarajevë nga pesë serb dhe një boshnjak? Wilton nuk ka synim t’i zgjidhë historikisht, por të sjellë në vëmendje njeriun e kohës nga Londra e zhurmshme dhe kryeqendër e botës e deri në Kelmendin e humbur që udhëhiqet nga kanuni.
Robert Ballantajn dhe Xhejms Keidi janë dy misionarët kryesorë, të një rrjeti që kërkon të ringrejë shërbimin sekret britanik, ndërkohë që prag-lufta ka zbuluar rrjetin e madh të spiunazhit gjerman brenda Londrës.
I pari nën petkun e antropologut, dhe i dyti, si përfaqësues i një firmë të sukseshme, bëhen dëshmitarë të asaj që duhet të rrëfejnë nga Ballkani dhe Konstandinopoja. Personazhe të shumtë, britanikë, shqiptarë, turq, austriakë, gjermanë, serbë, boshnjakë e shumë të tjerë, bëhen pjesë e këtyre marrëdhënieve, duke ndërtuar jo thjesht një histori konflikti, por histori njerëzore.
Është një përshkrim me personazhe që ke dëshirë t’i njohësh e të udhëtosh me shumë prej tyre. Gjuha është plot lirizëm, por edhe me një përmbajtje diplomatike, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e autorit për të rrëfyer njohjen e tij me shqiptarët dhe ngjarjet në Ballkan, ashtu edhe me diplomacinë që e ka në profesion.
“Burim Balaj nuk ishte njëri me fat…
..Ai përpiqej, por nuk i ecte kurrë. Fshatarët thoshin se ishte njeri pa fat, ai dhe i vëllai. Thoshin se ishin të mallkuar.
Burri duhet të dijë t’ia dalë mbanë sa më mirë të mundet. Nganjëherë të bëjë dhe gjëra që nuk duhen bërë, por të mos jetë i dëshpëruar. Nganjëherë jeta është luftë për mbijetesë. Një burrë i pafat nuk mund t’ia lejojë vetes të shesë mend para të tjerëve. Në qoftë se Kelemndi ta kërkon ta bësh një punë për të, përse jo? Dhe një herë ai u erdhi për vizitë me atë të huajin e frikshëm. Aq i qetë. Përshpëriste kërcënime dhe mërmëriste premtime. Gjithë të tjerët në fshat silleshin shumë mirë me të huajin e tyre, më atë anglezin. Përse, atëherë, Burimi të mos ndihmonte të huajin tjetër, të fshatit të Kelmendit? Në shkëmbim do merrte një shpërblim…”. (Robert Wilton, “Merimanga e Sarajevës”, Toena 2017, f. 55-56, përkthim nga Diana Çuli)
Autori rrëfen mënyrën se si thureshin intrigat që nga më të voglat, nga më banalet e zënkave në një fshat të humbur, që më pas ishin vemdimtare në kancelaritë që përpunonin të dhënat e agjentëve të tyre në terren.
Në rrëfim bie në sy një përshkrim i botës së shqiptarëve si pjesë e debateve të kohës, si dhe një portretizim në kufijtë e naivitetit të diplomacisë dhe shërbimit sekret të asaj kohe.
I ardhur si triller, por njëkohësisht edhe si një zgjim i historive që kemi ende nevojë t’i lexojmë, “Merimanga e Sarajevës” është një histori që lexohet me ëndje. Veçse pikëpyetjet që ngre e kalojnë trillin dhe vijnë e bëhen pyetje: A e dimë realisht se si kanë qenë gjyshërit tanë përballë bashkëkohësve të tyre?
Wilton provokon me një rrëfim që ka gjithë ngjyrat e betejave të përbotshme dhe të jetës së përditshme.
Shkrimi është marrë nga gazeta Panorama e datës 25 korrik 2017.
Librin “Merimanga e Sarajevës” e gjeni te linku KETU