‘Qyteti pa seks’ –besnike e traditave në shoqërinë moderne!?

fhatva

Lexim mbi librin “Qyteti pa seks” i autores Randa Abdel-Fatah, botuar nga Shtëpia botuese TOENA

Diana Çuli

diana-culiShtëpia botuese TOENA ka nxjerrë në qarkullim para disa kohësh romanin Qyteti pa seks, të autores Randa Abdel-Fatah. Shkrimtarja ka lindur në Sidnei të Australisë në vitin 1979. Ajo është myslimane me origjinë palestineze dhe egjiptiane. U rrit në Melburn dhe kreu shkollimet në kolegjet katolike, më pas kolegjin islamik, ku dhe mori diplomë mature ndërkombëtare.

Në Melburn studioi në universitet arte dhe jurisprudencë, por njëkohësisht shkruante dhe nëpër gazeta e  aktivizohej gjerësisht në mass media. Randa Abdel-Fattah është një mbrojtëse e zjarrtë e të drejtave të njeriut, sidomos e të drejtave të grave në Islam, të drejtat e palestinezëve, po edhe të azilkërkueseve.

Randa u mbulua me hixhab ( shamia e grave myslimane) kur ishte 15 vjeç, por e hoqi në moshën 17 vjeçare, sepse, siç thotë dhe vetë në intervistat, mendonte se kështu nuk do të mund të realizonte ëndrrën për t’u bërë avokate. Do ta kishte të vështirë të pranohej në studiot e avokatëve, në sallat e gjykatave.. Ajo sot e vendos hixhabin kur shkon në xhami, ku dhe mori shkëndijat e para të shkruante romanin Qyteti pa seks.

Romani i saj Qyteti pa seks, që u bë i njohur shumë shpejt në vende të ndryshme të botës, ka në qendër Esmanë, një vajzë 28 vjeçare, e cila është dhe “moderne”, pra në një hap me kohën e me bashkëmoshataret e saj, me rrjetet sociale, filmat, telefonat e I-pad-et, por edhe e mbyllur për shkak të rregullave të familjes së saj. Ajo, ende e virgjër, po kërkon një burrë, “të duhurin”, i cili duhet të jetë medoemos mysliman. Por, e lodhur nga “gjuajtja” on line, ajo krijon klubin “Qyteti pa seks” me tri shoqe, Lizën, Rubin dhe Nirvanën, të cilat nuk janë myslimane, po të besimeve të tjera, secila të ndryshme.

Randa Abdel – Fattah vendos kështu të zbulojë përpjekjet e një gruaje të re, e cila kërkon njëkohësisht t’i mbetet besnike besimit dhe traditave të saj brenda një shoqërie moderne. Nuk është një detyrë e lehtë.

Në botën e Esmasë, jeta familjare është po aq e rëndësishme sa dhe karriera e saj, po aq sa dhe gjetja e zotnisë së duhur. Prindërit e saj janë emigrantë turq dhe ata bashkohen me të në kërkimin e bashkëshortit të përkryer, por me rezultate herë herë dhe qesharake.

Pjesë e kënaqësisë së klubit është edhe shikimi i serisë së njohur televizive Seksi dhe qyteti, por më tepër diskutimi që katër vajzat bëjnë mbi përvojat seksuale. Lexuesi i simpatizon personazhet, qesh me gabimet e tyre. Randa Abdel – Fattah shpalos katër karaktere grash krejt të ndryshme që janë në kërkim të dashurisë dhe që secila ka pikëshikimin e saj mbi jetën.

Esmaja as nuk e shpie nëpër mend puthjen, aq më keq seksin, përpara martesës. Ajo do të ishte e lumtur ta takonte “kandidatin” e saj në shtëpi, në prani të prindërve. I qëndron fort parimeve të saj dhe, pa u thelluar në përsiatje psikologjike apo emocionale, në fund e gjen lumturinë.

Për Esmanë,”të gjuajë” do të thotë vetëm të kërkojë një partner të përshtatshëm për martesë, megjithëse lexuesit perëndimor kujdesi i saj i duket i çuditshëm.  Dhe, analizat letrare mbi librin vërejnë se, veprat letrare bashkëkohore përqendrohen më shumë mbi vajzat që sillen keq ose të shthurura se sa mbi vajzat e devotshme.  Për fat të mirë, tri shoqet e Esmasë kanë qëndrime tolerante ndaj mikes së tyre, e kuptojnë dhe zbaviten me njera tjetrën.

Autorja krijon dhe një përmasë interesante politike me punën që ndërmarrin Rubi dhe Esmaja me refugjatët dhe azilkërkuesit ( Australia ka një numër të pallogaritshëm keqtrajtimesh mbi ta). Po ashtu, në këtë libër, feministet dhe liberalet mendjehapura do ta kenë të vështirë të identifikohen me kufizimet që Esmaja i vendos vetë vetes.

Megjithatë, edhe krijimet letrare mbi çështjet fetare po shtohen në numër dhe, me këto katër gra me katër fe të ndryshme – myslimane, hebreje, ortodokse dhe hindu – Randa Abdel – Fattah-u patjetër që do të tërheqë një numër të madh lexuesish. Dhe, sipas kritikëve, Qyteti pa seks po tërheq lexues pa masë.

Vetë autorja është besnike e fesë së saj, ajo falet pesë herë në ditë dhe agjëron, gjë që ia ka shtuar lexuesit. Ajo thekson se, nga përvoja e saj si myslimane australiane, e rritur në një shoqëri multikulturore, ka vënë re se pikërisht kjo mënyrë rritjeje i ka afruar me njeri tjetrin  dhe i ka bërë të kuptojnë njeri tjetrin.  Një libër i bukur, intrigues, zbulues, për ta lexuar këtë verë. Përkthyer po kaq bukur nga Maniela Sota.

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 5 gusht 2017

Librin e gjeni te Bukinist, te linku KËTU

Romanin “Qyteti pa seks” mund ta porositni edhe përmes rrjeteve sociale të Bukinist apo përmes telefonit: 044508282

qyteti-pa-seks

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *