Sonatë për të mirën dhe shpresën

ernesto-sabato

Shënime për romanin “Mbi heronjtë dhe varret” të Ernesto Sabatos, botuar nga Pika pa sipërfaqe

agim-baciAgim BAÇI

Ku janë të fshehura gjërat që kërkojmë, diku larg, apo thellë në zemrën tonë? Ernesto Sabato ka sjellë një prozë që të mbetet gjatë në mendje, ku ndërthuren të shkuarat dhe të përditshmet  me qëllimin e vetëm të mbërrijmë si njerëz drejt ëndrrës sonë.

Alehandra, Martini, Olmosi, Bruno, Fernando e mjaft personazhe të tjerë të duken sikur kanë bashkudhëtuar me ty, duke të kujtuar hapin që ke menduar dhe hapin që hedh.

Raporti me veten, me tjetrin, me vdekjen, me vetminë dhe me dashurinë vijnë përmes një vallëzimi tronditës të ëndrrës dhe dëshirave të njeriut, por edhe një përshkrimi thellësisht tërheqës të së përditshmes dhe të së papriturës.

Ndërthurja e personazheve dhe ngjarjeve të sjellin në mendje pyetje të cilave ke nevojë t’u japësh një përgjigje, nëse kërkon vërtetet të lësh një gjurmë në udhën tënde: Ç’është dashuria, ëndërr apo zgjim, realitet apo dëshirë? Ç’është verbëria, paaftësi e syrit apo e shpirtit dhe mendjes? Ç’është më e rrezikshme, ajo që dyshojmë vetë apo ajo që dyshojnë të tjerët te ne?

Sabato na fton t’i shqyrtojmë përmes vëzhgimit të asaj që kemi fare pranë nesh, asaj që shohim përditë, pa ia ndarë sytë rrugës që dëshirojmë të marrim. Rastësitë dhe thellësia e zemrës kanë kryqëzimet e veta, ndërkohë që pyetjeve tona u nevojitet fuqia e pranimit të realitetit.

Fëmijëria dhe adoleshenca qëndrojnë si një dorë mbi sup, që herë të mban hapat e herë të shtyn për të mbërritur sa më shpejt drejt asaj që mendja jonë ka thurur në net të errëta apo nën dritën e hënës, herë me zë të lartë, e herë në heshtje të plotë.

Vite më pas, gjatë kohës kur Martini u kthye nga jugu, një nga temat e bisedave të tij me Brunon qe ajo marrëdhënia midis Alehandrës dhe Molinarit. Kthehej e më fliste për Alehandrën, – mendonte Brunoja – si ai që përpiqet të ribëjë një shpirt tashmë tërësisht në dekompozim e sipër, një shpirt, të cilin do të kishte dashur të ishte i pavdekshëm, por që tani e ndiente se po plasaritej e shpërbëhej pak nga pak, si të ndiqte kalbjen e trupit të vet, sikur na qenkësh e pamundur të mbijetonte shumë kohë pa mbështetjen fizike të tij dhe mund të rronte më tej vetëm aq kohë sa zgjat emëtimi i lehtë i substancave të avullta të atij trupi në çastin e vdekjes”. (Ernesto Sabato, “Mbi heronjtë dhe varret”, f. 162, përkthim nga Bajram Karabolli)

E mira dhe e keqja, vetmia dhe vdekja, që vijnë të përshkruara me një mjeshtri të jashtëzakonshme, me një stil të thjeshtë, na vënë përballë vijave të dukshme dhe të padukshme të së tashmes sonë, që në pushtetin e së shkuarës, apo të ëndrrave tona, rrezikon të mos lexohet si duhet, apo në kohën e duhur.

Sabato na fton ta kuptojmë vetveten dhe realitetin duke hapur sytë mirë ndaj asaj që na shfaqet, ndaj asaj që na ofron çasti.

Sabato e shfaq hapur në rrëfim angazhimin e tij social, qëndrimin e tij mbi politikën, luftërat e pa dyshim mbijetesën.

Personazhet e tij janë pjellë e heroizmave të zmadhuara apo të mashtrimit. Ashtu si vetë ai, i angazhuar dhe i zhgënjyer nga politika, personazhet e tij e bartin këtë shinë dyshimesh dhe ëndrrash.

Këto pyetje të rëndësishme dhe stili i thjeshtë i të thënit të gjërave e ka kthyer romanin e Sabatos në një kirurgji të njohjes, duke e bërë ndoshta një nga prozat që bashkon gjuhë e zakone të përbotshme.

E ndoshta metafora më e madhe mbi atë që s’mund të shohim dot, vjen në pjesën e tretë, “Raport mbi të verbrit”, një gërshetim i konspiracionit dhe së keqes që vjen e bëhet një gur gati i pamundur për t’u tërhequr nga njeriu, i cili, ashtu si Sizifi, mund ta mendojë se, sado që ta ngrejë, ai do t’i kthehet sërish me shpejtësi pas, duke e ndjekur e duke e ndjekur, deri sa një ditë të hapë vërtet sytë e të bëjë pyetjen e duhur: Përse jetojmë? Pas kësaj të gjitha përgjigjet vijnë dhe marrin kuptim.

Mbi heronjtë dhe varret” vjen si një sonatë për të mirën dhe shpresën, por duke na kujtuar se as shpresa e as e mira nuk vijnë vetëm, se janë shpesh të mbuluara nga e keqja, smira, pafuqia dhe si i takon njeriut që të gjejë kurajën e t’i shquajë pavarësisht errësirës që shpesh kërkon të na ngadalësojë hapat.

Marrë nga gazeta Panorama.

Librin mund ta porositni direkt te linku KETU, ose përmes rrjeteve sociale të Bukinist apo me një telefonatë te: 044508282

mbi-heronjte-dhe-varret

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *