Autiku dhe pëllumbi – jeta e vështirë

Bukinist-Rodaan-Al-Galidi-

Lexim mbi librin “Autiku dhe pëllumbi” i autorit iraken me banim në Holandë, Rodaan Al Galidi, i sjellë në shqip nga botimet Pegi

diana-culiDiana ÇULI

Rodaan Al Galidi, i lindur në vitin 1971, në Irak dhe  jeton në Hollandë që në vitin 1998, kur u arratis nga vendi i tij. Ai ka studiuar për arkitekturë, por karriera tij në të vërtetë është ajo letrare.

Shkruan shumë poezi dhe prozë në gjuhën hollandeze, të cilën e mësoi në  mënyrë autodidakte. Ka fituar një numër të madh çmimesh letrare në Hollandë, si dhe Çmimin Europian për Letërsinë (2011) me romanin Autiku dhe pëllumbi.

Ky roman është përkthyer në disa gjuhë, ndër të cilat përmendim: danisht, suedisht, maqedonisht, çekisht, bullgarisht, tashmë edhe në shqip, botuar nga shtëpia botuese PEGI. Këto vitet e fundit ai ka botuar vëllimin me poezi Drita e frigoriferit dhe romanin e tij të gjashtë “Zbulova një talent për të jetuar”.

Për biografinë e tij thonë edhe gjëra të çuditshme, si përshembull se atje ku jetonte në Irak nuk kishte regjistra lindjeje dhe ai nuk e di datën e saktë të lindjes – ndoshta ka lindur në ndonjë fshat të largët. Kur po rrezikonte ta rekrutonin në shërbimin ushtarak, ai u arratis duke kaluar përmes, Jordanisë, Tailandës, Vietnamit e Malajzisë derisa mbërriti në Hollandë, ku pati jetë të vështirë, sepse nuk mund të merrte dokumente të rregullta dhe nuk ia pranuan kërkesën për azil. Nuk e lejuan as të regjistrohej në kurset e gjuhës hollandeze, por ai e mësoi vetë në mënyrë autodidakte.

Më vonë, në vitin 2007, Rodaani përfitoi nga një ligj i parlamentit hollandez për azilkërkuesit e arritur në vend përpara vitit 2001 dhe sot konsiderohet si një nga shkrimtarët më në zë të letërsisë hollandeze.  Romani i tij i fundit që përmendëm më sipër, sot është bestseller në Hollandë.

E bëra këtë hyrje të gjatë për këtë shkrimtar, sepse ai është një nga shembujt e integrimit të shoqërive, i forcës së talentit që përmbys edhe paragjykimet më të ashpra.

Raste si i Rodaan Al Galidit, nga një zonë e largët në Irak, ku nuk dihet as data e lindjes së njeriut, arrin të diplomohet në Hollandë për arkitekturë dhe më pas të bëhet një nga shkrimtarët më të njohur jo vetëm hollandezë, por edhe europianë, është vërtet shumë mbresëlënës.

Personazhi kryesor i romanit, “Autiku dhe pëllumbi” është Gereti, një djalë autik. Nëna e tij, Zhanina, mbetet shtatzanë aksidentalisht në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, në një party. Meqenëse nuk e gjen dot se cili nga pjesëtarët e asaj mbrëmjeje mund të jetë babai i tij dhe meqenëse prindërit e saj tepër fanatikë nuk do t’ia pranojnë fëmijën, ajo vendos të bëhet vetë e gjithë familja për të: nënë, babë, gjyshe, gjysh. Ajo vetë është e alkoolizuar, por djali përfshin të gjithë vëmendjen e saj.

Fëmija është autik, por edhe një gjeni, njëkohësisht. Ai e merr gjithçka fjalë për fjalë, sikurse i thuhet.  Për shumë vite me radhë ai nuk shkëputet dot nga e ëma, i kalon mbrëmjet në shitoren përballë, ku ajo punon. Nuk e përfytyron dot jetën pa të. Kur e ëma i thotë , për shembull,  të shkojë e të blejë një krevat, ai e pyet: a na nxë ne të dyve? Lidhja e tij me të ëmën zgjati plot tridhjetë e shtatë vjet.

Por, atij i pëlqen të merret me sendet, të kombinojë mekanizma të ndryshëm dhe të ndërtojë sende të reja. Deri ditën kur zbulon talentin e ndërtimit të violinave dhe fillon biznesin e shitjes së tyre me një tregtar gjerman.

Deri ditën kur bëhet një ndërtues i famshëm violinash. Atë ditë Zhanina i thotë se është koha që ai të jetojë më vete. Në shtëpinë e re, ku kishte banuar më parë dikush që i donte pëllumbat, një pëllumb postar ia ndryshon jetën Geretit.

Ky pëllumb kthehet gjithnjë tek Gereti, sado larg të shkojë, sado larg të fluturojë. Sado të shkëputura të duken këto veprime  dhe fiksime nga njeri tjetri, ato në thelb formojnë unitetin e personalitetit të Geretit dhe lexuesi hyn në brendësinë e tij të çuditshme, por magjepsëse, në mendjen e tij të pastër e të pafajshme.

Romani është përkthyer në gjuhën shqipe nga Irena Rama dhe, kuptohet, me një subjekt të tillë, puna e përkthyeses ka qenë mjaft e ndërlikuar. E përgëzojmë për shqipërimin e bukur të veprës, me një shqipe të pasur  jo vetëm në leksik, por edhe në strukturë të zhdërvjellët gjuhësore.

Shkrimi është marrë nga gazeta MAPO e datës 12 gusht 2017

Librin e gjeni te linku KETU, por mund ta porositni edhe me një mesazh në rrjetet sociale tek Bukinist apo përmes një telefonate tek: 044508282

autiku-dhe-pellumbi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *