Lexim i romanit “Kostandina” i shkrimtares shumë të njohur greke Alki Zei, i sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese “Dituria”
Diana Çuli
Në ditët që shkuan lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë në Tiranë patën rastin të takohen me shkrimtaren shumë të njohur greke Alki Zei. Jeta e saj është një jetë e mbushur me ngjarje, zhvendosje për shkak të luftërave e regjimeve, vepra e saj është vlerësuar me çmime prestigjioze të panumërta letrare, të marra jo vetëm në Greqi, por ngado në Europë.
Këtë autore na e sjell në shqip me dy romane Shtëpia Botuese “Dituria” – “Kostandina” dhe “Çadra e purpurt”. Në këtë shkrim të shkurtër, do të shkruaj për romanin Kostandina, i cili ka patur një jehonë shumë të madhe brenda dhe jashtë Greqisë.
Por, më përpara le të themi dy fjalë për vetë Alki Zein: Ajo ka studiuar flozofi në Universitetin e Athinës, dramë në Konservatorin e Athinës dhe shkrim skenari në Institutin e Kinemasë në Moskë.
Që në vitet e pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo luftoi aktivisht për liri, drejtësi sociale dhe demokraci, duke qenë pjesë e rezistencës. Për këtë shkak ajo u detyrua megjithë të shoqin të jetonte disa vjet si refugjate politike në Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1964 kthehet në Greqi, por detyrohen të largohen përsëri, kësaj radhe në Paris, të dëbuar nga Junta ushtarake. U kthye përfundimisht në Greqi në vitin 1974, kur u vendos republika parlamentare.
Alki Zei ka filluar të shkruajë që shumë e re, derisa arriti sukseset e saj të njohura, të cilat filluan veçanërisht me librin “Tigri i vitrinës” – një nga librat më të mirë të letërsisë për fëmijë në nivel ndërkombëtar.
Për Alki Zein kritika shkruan se ajo është shkrimtare për fëmijë e të rinj, por që e lexojnë me shumë vëmendje dhe interes edhe të rriturit. Kritika vlerëson shumë mënyrën e drejtpërdrejtë të narracionit, koherencën dhe integritetin gjuhësor, humorin dhe depërtimin në ngjarjet e faktet me një mënyrë të sajën origjinale. Shumica e librave, disa prej të cilëve janë klasifikuar në best-seller-at klasikë të letërsisë bashkëkohore greke janë të frymëzuar nga përvojat e saj personale, të bazuar edhe në historinë e sotme të Greqisë, po njëkohësisht janë edhe subjekte universale.
Veprat e Alki Zeit janë përkthyer në mbi 20 gjuhë të botës. Edhe ajo vetë ka përkthyer në greqisht vepra të Xhani Rodarit, të Vera Panovës e autorëve të tjerë të njohur botërorë.
Siç thamë dhe më sipër, Alki Zei shkruan kryesisht për fëmijë, por veprat e saj shpesh i drejtohen edhe të rriturve. Edhe kur ajo i shndërron përvojat e saj në një vepër letrare, gjithsesi duke krijuar një distancë nga elementi autobiografik, personazhet e saj kanë pikëpamjet e tyre mbi botën ku jetojnë. Dhe, pavarësisht nga konteksti historik apo grimcat biografike, kryesorja është se vepra e Alki Zeit është një vepër mirëfilli letrare, e shkruar me talent dhe mjeshtëri të shprehjes artistike e letrare.
Kredoja e Alki Zeit është se fëmijët janë pjesë e jetës së përditshme dhe ata nuk duhet të trajtohen si të vegjël. Kostandina e romanit me të njëjtin titull është një vajzë trembëdhjetëvjeçare, që jeton një jetë të këndshme në Gjermani, kur befas bota e saj përmbyset. Prindërit duan të divorcohen e të rimartohen me partnerë të tjerë. E ëma madje pret një fëmijë nga burri tjetër. Kostandina nuk e sheh të lindë këtë foshnje dhe e vuan rrethanën.
Ajo kthehet në Greqi tek gjyshja, e cila jeton në të shkuarën dhe nuk e kupton mbesën e saj. Alki Zei hyn në skutat më të thella të psikës së adoleshentes- personazh, duke trajtuar tema – tabu në shoqërinë greke si droga, për shembull, arsyet përse të rinjtë dhe adoleshentët shpesh i drejtohen lëndëve narkotike. Për shkak të problemeve në familje, po edhe kur nuk ka probleme.
Alki Zei e bën lexuesin të përfshihet në ndjesitë që përjeton vajza adoleshente, e hedhur në një botë që nuk e njeh më, që e lë vetëm, që humbet brenda një kohe të shkurtër dashurinë e natyrshme për të cilën kishte nevojë. Nuk i ka më prindërit që ta puthin para se të bjerë të flerë e t’i thonë “gjumë të ëmbël”. E gjithë kjo histori, që duket si subjekt i thjeshtë, nëpërmjet pendës së Alki Zeit shndërrohet në një depërtim të thellë psikologjik në problemet e shoqërisë së sotme.
Megjithatë, në libër nuk mungon edhe humori në situata të ndryshme, karakteret e skalitur, histori të vogla brenda historisë kryesore, plot ngjyrë dhe jetë. Vlera e librit nuk mbetet në subjektin e tij, e as vetëm tek karakteret. Alki Zei, siç kanë shkruar shumë kritikë, ka një aftësi të veçantë për të vëzhguar dhe për të përshkruar gjithçka përreth me inteligjencë dhe mjeshtëri.
Ardhja e veprave të tilla në gjuhën shqipe ndihmon në njohjen e kulturave të njeri tjetrit, në afrimin me njeri tjetrin, këtu në tokën tonë të përbashkët të Ballkanit.
Një përgëzim edhe përkthyeses Maklina Nika që e ka sjellë në shqip nga gjuha e pasur greke këtë vepër të mrekullueshme me korrektësi, kolorit e gjallëri. Është meritë e shtëpive botuese që aktivizojnë një brez të ri e mjaft profesional përkthyesish, por edhe e vetë këtyre përkthyesve, si Maklena, që kanë hyrë kaq seriozisht në këtë rrugë të bukur, por të mundimshme e sfiduese.
Shkrimi është botuar tek gazeta MAPO, datë 7 tetor 2017
Librin “Kostandina” e gjeni tek linku KETU, ose mund ta porositni direkt me nje telefonatë tek: 044508282