Dr. Eris Rusi*
Më kujtohet… njëlloj si bën autori tek libri “Më kujtohet”, me nuancat e një meditimi thuajse ironik… më kujtohet historia e shkurtër e dy murgjve tibetianë që po kapërcenin një përrua, kur dalluan një vajzë të bukur, të mbështjellë në një shall mëndafshi, që po përpiqej të kalonte edhe ajo në anën tjetër.
I pari prej tyre, pa u menduar, e mori në krahë dhe e ndihmoi të kapërcente.
I dyti, nuk i tha gjë, deri sa përshkruan gjithë rrugën e në mbrëmje mbërritën në tempullin e tyre. Këtu, pa duruar më, shpërtheu: – Ne murgjve nuk na lejohet të kemi të bëjmë me gratë. E aq më pak me ato të bukurat dhe të rejat. Kjo është e rrezikshme. Përse e bëre?
Unë atë vajzë e lashë aty ku ishte, si kapërcyem përroin. – u përgjigj murgu i akuzuar. – Ndërsa ti je duke e mbajtur akoma me vete.
I tillë është rrëfimi i autorit tek “Më kujtohet”, por sidomos tek “E dashur A.”. Janë dy tekste që zotërojnë intimen individuale të Demnerit, e cila bëhet edhe intimiteti im. Kemi shumë fragmente, ditët nuk janë të plota të tërësinë e tyre, por veç shkreptima të çastit, një qiell i tërë i ndarë në copëza.
Kësisoj të rastis të lexosh retë e një ditë nëntori, ose kaltërsinë blu të një momenti me emrin lumturi, apo pezmin që rrjedh si shi, në një orë pritjeje që nuk kalon kurrë. Fragmentet nuk janë vetëm shenja të një emocioni, apo një tronditje e personalizuar, por përzjehen me këto episode artistike, me nuanca nga jetët e shkrimtarëve, të poetëve, të artistëve që janë pjesë e asaj trashëgimie të çmuar që ne zotërojmë nën simbolin e artit.
Them atëherë që nëse letërsia vendos gjithmonë njeriun në raport me të tjerët, nëse ajo mundëson një dialog mes të shkuarës dhe të tashmes, në rrëfimin e Ylli Demnerit e shkuara mund të hedhë dritë mbi të tashmen, megjithëse problematike, dhe e tashmja ndonjëherë mund të qartësojë të kaluarën.
Është fakt që pas largimit drejt Francës, ai është pjesë e atij fluksi të madh shpirtrash, migruesve të dikurshëm, ku tashmë numërohen krijues që shqiptojnë identitetin dhe ekzistencën në një mënyrë gati unike dhe mbresëlënëse.
Por si është zëri i këtij njeriu? I shumëfishtë përgjatë rrëfimit. Jeta e treguar është një lloj meditimi midis të tashmes dhe kujtimeve, një mozaik fragmentar rrëfimesh që kanë në thelb njohjen e shpirtit, të atij misteri të hijshëm që zotëron gjithsecili prej nesh.
E ku më kthjellët se kaq mund të shprehej ai vetë kur thotë: “Rrënjët! Këto qëndronin në ajër, duke mbajtur ende disa copëza nga dheu i shkulur”.
E pra, ka vërtet diçka të mirë dhe të bukur leximi i këtij autori, këmbëngul ta them, që ndërsa tregon edhe për jetën e tij, të nxit që ta kesh për zemër vetveten dhe atë pjesë të së shkuarës, por edhe të ëndërrimit që e hijeshon njeriun.
Siç e shikoni po përmend jo pa qëllim kujtesën dhe ëndrrën, pasi them se gjuha e krijuesit Demneri është një përzierje e këtij alfabeti të çuditshëm, por të mundshëm. Në çdo rast, procesi i rrëfimit ec në paralelen kujtesë-ëndërr. Duket sikur ky kombinim në vetvete nuk është një abstragim i mendjes dhe ndjenjës, por diçka e prekshme, e gjallë, njerëzore. Ky kombinim i cili është në vetvete pikënisje e rrëfimit artistik, i përngjan formulës “Na ishte dhe nuk ka ishte një herë”. Na ishte një herë një jetë e jetuar dikur që është dhe nuk është më, e ky lloj zëri kumbon bindës dhe njerëzor.
Në librin “E dashur A.” mundet të dallohet një rrugëtim drejt intimes dhe asaj ngrohtësie njerëzore që është dashuria, por edhe himni i të bukurës, i të hijshmes, i të lartësueshmes, që i zbut mendimet, rrëfimin e bën individual dhe universal njëkohësisht.
Ky libër përngjason me një apologji ndaj së bukurës, jo vetëm ecejaket në kujtesë kur dashuria ishte tamam e tillë, dashuri, por një përkulje e brishtë ndaj gjithçkaje që në art dhe letërsi e bën të tejdukshme jetën, e kristalizon të mirën tek njeriu. Lexuesit i jepet rasti të ndjehet i lirë dhe i madhërishëm brenda kultit të fjalës. Vjen atëherë në mënyrë artistike dhe të veçantë shënjimi i dialogut, përpjekja për të përfytyruar personazhin femër A. Cila është kjo? Ndërkohë që si lexues na jepet mundësia të kemi fragmente nga Ingrid Berman, aktorja e Hollivudit me dashurinë pasionante për Roselinin, apo nga Lidia Avilova dhe marrëdhënia e saj me Cehovin, Puthja statuore e Rodenit si ilustrim i dickja jo të ftohtë, por të përhershme e të përjetshme si di të jetë dashuria.
Por, për më tepër, si është kjo lloj letërsie mozaik e Demnerit? Është e drejtë të duam të dimë ku ta katalogojmë dhe si ta quajmë, nëse na duhet ta bëjmë vërtet diçka të tillë? Në fakt përpjekjet për të vendosur etiketa, janë shenja që ende bartin diçka të rëndë dhe autoritare, prej regjimi. Në ndihmë, si studiues i letërsisë, më vjen një tjetër autor, të cilin e huazon edhe vetë Demneri tek E dashur A. Bëhet fjalë për poetin rus Pushkin, i cili gjeti formulën për t’i dhënë fund marrisë së etiketave. Ai thotë:
“Që të shtatë muzat e Parnasit janë të njëjta për mua, përfaqësojnë secila merita dhe të meta. Pse nuk është dot e mundur të jesh një poet autentik pa qenë një klasik i pandryshueshëm apo një romantik fanatik?A është e mirë vallë që format dhe etikat të skllavërojnë me çdo kusht ndërgjegjen letrare”
Besoj ky lloj qëndrimi është paqtues për këdo që kërkon të gjejë ku mbaron letërsia e ku nis rrëfimi autobiografik, ku është dokumentimi i fakteve historike e ku zëri i narratorit merr përsipër fluturime ekzistenciale.
Çka bën për vete në leximin e tekstit, është mundësia e zotërimit. Për një lexues, nuk ka gjë më të përkryer sesa të arrij të zotërojë diçka, një element të rëndësishëm apo një hajmali autentike nga identiteti krijues i autorit.
Te Demneri mund të kapet vërtetësia, një lloj natyre e veçantë e njeriut që zotëron ëndrrën dhe kujtesën. E kjo lidhet me vetë mënyrën e rrëfimit, e cila në çdo rast, është e ngjashme me fjalët që shtrojnë paqësisht shtratin e thellë e të heshtur të shpirtit të njeriut, deri sa krijohen dallgët e para, horizonti i errët, pastaj ngjyrë blu e detit që afron jetën me botën. Sa mirë lidhet me këtë ide, vetë pohimi i Zhan Zhak Ruso, në librin ‘Rrëfimet”, teksa shprehej:
“E ndiej zemrën time dhe i njoh njerëzit. Unë nuk jam njëlloj si disa nga ata që kam parë nga afër, guxoj të besoj që nuk jam bërë si askush nga ata që ekzistojnë. Nëse nuk vlej më tepër, të paktën jam i ndryshëm prej tyre”.
Kjo jeta jonë, kujtim e dashuri, edhe një cikë ëndërr, e pak pikëllim. Jetën siç e mërmërit Demneri, jetën kalendarike dhe atë të zemrës, gjithmonë nën ritmin e një kohe që di të vrapojë e të gëlltitë… të bukurën të parën. Jetën e shenjtë, jetën melankoli. Mund ta gjejmë tek leximi i fjalës, tek kujtesa e Demnerit, që e tregon, por ndoshta dhe jo, si një puthje të qiellit me ca buzë të qelqta deti. Një jetë melankoli, jo ajo që jetohet, por ajo që mbahet mend, e që kujtohet mjaftueshëm turbull, mjaftueshëm pak, mjaftueshëm bukur, sa të marrë shkak rrëfimi…
*Autori është pedagog në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Fakulteti i Edukimit dhe i Filologjisë, Universiteti Fan S. Noli Korçë. Shkrimi është marrë nga profili i autorit të librave, Ylli Demneri
Librat e Ylli Demnerit i gjeni tek linku këtu. Ato mund ti porositni online, ose me një telefon tek: 044508282