“Historia e një kordhe” mes realitetit dhe dritëhijeve

historia-magris
Ne imazh: Kopertina e librit “Historia e një kordhe” e Claudio Magris

Lexim rreth librit “Historia e një kordhe” i Claudio Magris, botuar nga Albas gjatë këtij viti

Alma HAFIZI

Veprat e Magrisit zënë fill nga ngjarje të jetuara, të lidhura me çështjen e kufijve, shumë e ndjeshme për shkrimtarin. Madje Magris u ndikua nga kufijtë edhe kur nuk ishte ndërgjegjësuar akoma për ekzistencën e tyre. Autori kujton së pari “perden e hekurt” dhe  pamundësinë për ta kapërcyer, për të hedhur vështrimin në atë botë me të cilën ndihej shpirtërisht i lidhur, sepse i kujtonte fëmijërinë, miqtë, shkollën.

Magris kujton:“(..) kufiri kalonte vetëm pak kilometra nga shtëpia ime, e shihja kur shkoja në Karso për të bërë shëtitje; ishte teli me gjemba ai që ndante botën në dy pjesë. Ishte një kërshëri e dyfishtë: përtej atij kufiri fillonte një botë, që nga njëra anë ishte e panjohur, kërcënuese, e tmerrshme  (..) Por, ato vende ishin, në të njëjtën kohë, shumë të njohura për mua, pikërisht sepse ishin toka që i përkisnin më parë Italisë..(..) Pra, unë ndieja, në mënyrë të pavullnetshme, se duhej ta kapërceja, jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht atë kufi, për të rifituar botën që më përkiste më parë edhe mua…”

Kufijtë janë barriera fizike, ndërsa shpirtërisht, shërbejnë si ura lidhëse të historisë dhe epokave, të vendeve, të kujtimeve dhe ndjenjave. Magris kujton se pasi kishte lënë Triesten, kishte filluar të ndiente nostalgji për qytetin e lindjes e të reflektonte. Kujtonte shokët e shkollës, familjet e të cilëve kishin tradita të tjera (p.sh austriake apo austro-gjermane), në bibliotekat e të cilëve ndodheshin të tjerë klasikë, pra ishin mbartës të një kulture tjetër.

Gjithashtu Karso nuk ishte vetëm vendi i shëtitjeve, por edhe trualli i një kulture si ajo sllovene. Shkrimtari sillte ndër mend disa personazhe e miq të familjes dhe filloi të zbulojë, i ndërgjegjësuar tashmë, kuptimin që kishte prania e hebrenjve në Trieste.

Pra, dalja përtej guaskës së kufijve, vënia përballë e identiteve të ndryshme e bën shkrimtarin të reflektojë e të zbulojë se çfarë fshihet pas kufijve, humbjes së tyre, dhe se a mund të zhvendosen apo të rigjehen ato, cilat janë problemet që e shoqërojnë këtë dukuri.

Nga eksperienca e kufijve të humbur e të rigjetur, nga eksperienca e dhimbshme dhe groteske e spostimit të tyre, lind romani i shkurtër i Magrisit, i titulluar “me shije eseistike”, siç do ta quante kritikja e njohur e veprës magrisiane Ernestina Pelegrini, Historia e një kordhe, një histori origjinale për t’u treguar.

Vepra, fillimisht e botuar me 1985 nga Garzanti, ka një zanafillë autobiografike dhe bazohet mbi një eksperiencë të jetuar nga vetë autori. Ky fakt e bën tregimin akoma më tërheqës, më shprehës, por që ngjall edhe trishtim. Në qendër të veprës është një episod i Luftës së Dytë Botërore, i harruar për shumë kohë.

Në periudhën  e dimrit 1944 -1945, Magris ndodhej me të ëmën në Udine për t´iu gjendur pranë të atit, i shtruar në spitalin e këtij qyteti. Në atë vit të fundit të luftës për Italinë, Udine ishte e pushtuar nga nazistët dhe nga aleatët e tyre të çuditshëm, një armatë heterogjene kozakësh dhe rebelësh të tjerë antistalinistë, të mbledhur disa në Rusi, disa në mërgim, të cilëve gjermanët u kishin premtuar një atdhe të ri, një truall të ri kozakësh në tokat e pushtuara në këmbim të bashkëpunimit të tyre me nazizmin.

Fillimisht ishte menduar për një atdhe të vendosur në Rusi, por meqë lufta po merrte për keq, në dëm të nazizmit, kufijtë spostoheshin artificialisht mbi hartën gjeografike drejt perëndimit derisa u vendosën në Karni, pranë vendit të origjinës së familjes atërore të Magrisit. Fshatrat friuliane, ku mendonin të ndërtonin atdheun e tyre, kishin marrë emra të huaj si Don, Donez, Kuban.

Magrisi, ndonëse në moshë të vogël, kujton të ketë parë ata njerëz të çuditshëm, shumë kuaj, madje dhe deve, uniforma të përgjysmuara, më tepër gjeneralë sesa ushtarë, pra kishte krijuar përshtypjen se nuk ishte një ushtri si ato që kishte pasur fatin t´i shihte gjatë luftës.

Por diçka më të çuditshme kishte në tërë këtë histori, që autori e kishte ruajtur brenda vetes: fakti se për shumë kohë, edhe pasi e vërteta historike ishte qartësuar, duhej besuar se komandanti kozak Krasnov, i emëruar nga vetë gjermanët në krye të ushtrisë fajtore e viktimë njëkohësisht, kishte mbetur i vrarë nga partizanët pranë lumit të vogël Rio San Mikele. Në të vërtetë, ai ishte zënë rob nga anglezët e këta të fundit e dorëzuan tek sovjetikët. Diçka e pazakontë e ka munduar autorin, i cili ka rrëmuar brenda vetes këtë histori për shumë e shumë vite.

Madhështinë e kuadrit episodik e shton akoma më shumë figura qendrore e librit, përmes monologut të të cilit përvijohen ngjarjet e vrullshme të luftës. Ai është Dom Guido, një prift në dukje i lodhur nga jeta, që pëlqen më tepër botën e përtejshme nga atë reale.

Zëri i tij është simbolik, nuk është zëri i historisë, por i një njeriu të ditur e të matur, që ka parë e vuajtur shumë. Ai e rrok menjëherë, me një shikim, atë çka është njerëzore.

Nuk e fsheh lodhjen e tij, as dhe modestinë në shprehje si “jam një pensionist i shpirtit”, që do të thotë se misioni i tij në këtë botë tashmë ka mbaruar. Është njeriu, personazhi që ka jetuar gjithnjë mes kufijve në pritje të ndryshimit të tyre: “Tashmë bota më duket e vogël, si një rrobë e ngushtë; gjithçka rreth meje është një kufi, edhe bluja e detit edhe horizonti i kuq i disa mbrëmjeve: kufij magjepsës që aq shumë i kam dashur që fëmijë dhe i dua akoma, e për të cilët falënderoj Zotin, por kufij edhe ato.

Dhe unë ndihem i lodhur, do të doja të dilja, të shkoja në anën tjetër”. Madje Dom Guido sposton edhe kufijtë kohorë. Duke qenë se jeton kufirin më ekstrem të ditëve të tij, i duket sikur “lëviz nga e kaluara në të ardhmen e anasjelltas, në një të tashme të të gjitha gjërave”.

I tërë tregimi është një analizë e hollë e psikologjisë së dy personazheve kryesorë, Krasnov e Vllasov, ky i fundit një ushtarak “i heshtur e i pakuptueshëm pas syzeve të mëdha e melankolike”, që kishte mbrojtur trimërisht Kievin  kundër gjermanëve, përpara se të bënte aleancë me ta kundër Stalinit. Që të dy gabuan duke besuar në realizimin e asaj që dëshironin, me një delikatesë që gabimisht Taciti e njeh si cilësi të grave, që të dy besuan se do të kishin ndikim vendimtar mbi ngjarjet e historisë, por që të dy e paguan fajin e tyre përpara se të përfundonin së bashku me ushtarakët e tjerë në trekëmbëshin e Bashkimit Sovjetik.

Është “epopeja e çmendur, gabimisht heroike” e kozakëve të Krasnovit që iknin nga komunizmi dhe Stalini. Një popull që, në vend që të krijonte shtetin imagjinar, shndërrohej në të njëjtën kohë “protagonist, xhelat e viktimë” i një dhune diktatoriale, si nazizmi, që dukej se përmbyste edhe ligjet elementare të universit. Sa herë që legjendari Krasnov drejtonte me krenari kordhën e tij në drejtime të ndryshme, si për të vendosur kufijtë e atdheut të ri, ajo kthehej kundër tij, kalorësve të tij, duke i rezistuar më kot historisë.

Historia e tyre është e ideuar mbi kufij, jo vetëm fizikë e historikë, por edhe mes të vërtetës e gënjeshtrës. Lavdia e komandantit Krasnov në Friuli përfundon me arratisjen e tij nga Italia, i veshur si ushtar i thjeshtë e më pas iu dorëzua sovjetikëve.

Me 1947 është dënuar me varje në litar në Moskë. Kjo është e vërteta historike që kurrë s’arriti të triumfojë mbi  hamendësimin se komandanti kozak duhej të kishte qenë ushtari i vdekur, i panjohur, i varrosur diku afër kampit ushtarak.

Ndërsa ideonte veprën e tij, Magris kishte menduar se “çfarë e vërtete poetike fshihej pas asaj dëshire për të besuar në një version historikisht të rremë. Në një rast të tillë nuk mund të bëhen kërkime; mbetet vetëm mundësia për të krijuar, për të bërë deduktime”.

Kozakët vinin për t’u vjedhur një atdhe të tjerëve, për të realizuar ëndrrën e tyre për të pasur identitet, por shndërrohej në diçka të rreme e të paqenë, sepse nga tradhtarë do të gjendeshin në pozitat e të tradhtuarve. Magris e përcakton aventurën e tyre “një tragjedi të dhimbshme e pa kuptim”. Qenia njerëzore jeton njëherësh të vërtetën dhe falsitetin që ajo vetë e krijon, e beson dhe e shpërfill sipas rastit. Narracioni mëton të rrëfejë në tërësinë e saj.

Kështu ndodh edhe me historinë, rrëmojmë në shtresimet e saj për të gjetur të vërtetat, por përballemi gjithmonë me shtrembërime, tjetërsime, gënjeshtra, duke përfunduar fundja për ta jetuar si të tillë. Historia e Magrisit ngjalli reagimin e një grupi fshatarësh kozake, që sedërfyer pretendonin t’u kërkohej ndjesë publikisht nga autori.

Cilado të jetë e vërteta, Magris nuk bëri gjë tjetër veç faktit se shtoi edhe një variant tjetër të asaj historie ku bashkëjetojnë të vërtetat e varrosura me gënjeshtrat ku janë varrosur ato, realiteti me dritëhijet e tij, Historia me mikrohistoritë.

Shkrimi është marrë nga revista kulturore online Palimpsest

Librin “Historia e një kordhe” të Claudio Magris e gjeni tek linku Këtu ose telefononi tek: 044508282

historia-e-nje-kordhe.jpg

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *