Lexim rreth romanit “Mos bjer në dashuri me mua” i autores Nicola Yoon, botuar “Bota Shqiptare”
Dorina ALLAMANI
“Mos bjer në dashuri me mua” është romani i dytë i autores, tashmë bestseller ndërkombëtar, amerikano-xhamajkianes Nicola Yoon që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”. Yoon u bë e njohur në të gjithë botën me librin e saj bestseller “Ne jemi gjithçka”, ardhur dhe në shqip nga po e njëjta shtëpi botuese.
Ashtu siç është edhe shqipëruar titulli, ky libër ka në qendër të tij dashurinë që mohohet. Por, ai nuk është vetëm një rrëfim për dashurinë e parë. Libri është një histori emigracioni, brengash dhe ëndrrash të lëna përgjysëm.
“Do të jepja çdo gjë që të bëja vërtet atë që prindërit dëshironin për mua. Jeta do të ishte më e lehtë sikur unë të kisha dëshirën dhe pasionin për t’u bërë mjek…Por gjithçka ndjeja unë ishte mungesa e interesit”
Ai është Daniel: një i ri koreano-amerikan që dëshiron të bëhet poet, por familja ia ka përcaktuar tashmë profesionin: Ai duhet të bëhët mjek”, sepse prindërit e shohin këtë profesion dhe karrierën e djalit të tyre si një fitore ndaj ëndrrës amerikane.
“Askush nuk donte të besonte që gjërat në jetë ishin të rastësishme. Im atë thoshte se nuk e dinte nga më vinte gjithë ky cinizëm, por unë nuk isha cinike. Isha realiste. Ishte më mirë ta shihje jetën siçishte, jo siç dëshiroje ti të ishte. Gjërat nuk ndodhin për ndonjë arsye të veçantë. Ato vetëm ndodhin dhe kaq”.
Ajo është Natasha: Një vajzë xhamajkane, e ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshë të vogël, që tashmë përpiqet të shpëtojë familjen e saj nga një gabim i babait të saj, gabim që i detyron ata të kthehet në Xhamajkë.
Personazhet e Yoon rendin të gjithë pas “ëndrrës amerikane”, por e shkuara vazhdon t’i ndjek nga pas.
E gjithë ngjarja e librit ndodh në një ditë të vetme: Ditën kur Natasha bën përpjekjet e fundit për të ndaluar deportimin e familjes së saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të nesërmen dhe Daniel duhet të japë intervistën për pranimin në shkollën e Mjekësisë. Pra, është një ditë kur të dy të rinjtë në përpjekje për të shpëtuar veten nga zgjedhjet e prindërve të tyre, gjejnë njëri-tjetrin, edhe pse Natasha ia mohon vetes këtë ndenjë sepse ajo nuk ka kohë për dashurinë.
Natasha dhe Daniel janë gazmorë, rebelë dhe me karaktere shumë të ndryshëm nga njëri- tjetri ku, që në faqet e para të librit do t’i ndjeni si miq të vjetër ku secili në kapitullin e tij të rrëfen ty si lexues sesi e percepton jetën, dashurinë dhe cilat janë kujtimet që kanë formësuar karakterin e tyre.
Për çdo lexues shqiptar, historia e Danielit dhe Natashës është mëse familjare: Në një shoqëri që në tridhjetë vitet e fundit ka emigruar masivisht, historitë e familjeve dhe problemeve të tyre për t’ia dal mbanë në një vend të huaj, na kujtojnë veten, kushëririn apo mikun tonë. Ëndrra amerikane është ftesë për sfidë për qindra e mijëra shqiptarë që kërkojnë një jetë më të mirë. Prandaj, kjo histori kap ky roman mund të jetë historia e secilit prej jush….
Ajo që e bën të mrekullueshëm këtë libër është mesazhi i fuqishëm që mbart: Fuqia e dashurisë për të të dhënë lumturi edhe në ditën tënde më të keqe, dhe për të të dhënë fuqi në ditën që ndihesh i pafuqishëm përballë një realiteti plot pengesa.
Libri gjithashtu është një frymëzim për të gjithë të rinjtë që të besojnë tek fuqia e tyre për të bërë gjëra të mëdha, për të besuar tek vlerat, arsimimi i mirë, për të kuptuar zgjedhjet e prindërve të tyre e për të bërë të pamundurën për të ndjekur ëndrrat dhe pasionet e tyre.
Përfundimi që Yoon i ka dhënë librit është mahnitës; një fund që të lë ndjesinë e shpresës dhe se jeta rrjedh bukur pavarësisht pengesave të ndryshme që shfaqen në momente të caktuara.
Ndaj them se ky libër është gjithçka duhet për të nisur vitin: Dashuri dhe shpresë për ditë të mira. Për këto arsye dhe shumë të tjera e rekomandojmë për lexim.
“Mos bjer në dashuri me mua” të Nicola Yoon e gjeni tek linku:
Dy romanet e Nicola Yoon i gjeni me ulje çmimi, -10% tek linku:
bukur
👍