Përshtypja rreth romanit “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë që mori çmimin e parë në konkursin e organizuar nga platforma online e librit “Bukinist”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Onufri” dhe gjimnazin “Aleks Buda” në Tiranë
Theodhor DISHA
Dikush ka thënë, “Jepu ëndrrave atë që u duhet. Mos u kurse.” Dhe nëse kjo është arsyeja për të cilën do varfërohesha, prapë nuk do tërhiqesha. Për më tepër, imagjino të kesh një pallat të gjithin, për vete, plot e përplot me ëndrra. Hmmm, fiks si Mark-Alemi. Apo Kurti, Qyprillinjtë dhe Kadare.
Ishte zhgënjyese si fillim të lexoja Pallatin e Ëndrrave dhe të mos gjeja asnjë ëndërr me magji, me kafshë që flasin, apo njerëz që fluturojnë. Asnjë person që ëndërronte të bëhej dikush në jetë, një shkollë apo një punë të mirë. Pushime buzë detit apo ski nëpër Alpe. Përkundrazi, këtu gjithçka ishte gati. Të gjithë jetonin në një realitet të cilin e quanin të ëndërruar. Realiteti dhe ideali ishin një, asnjë diferencë, asnjë motiv për të diferencuar qëllimin e jetës. Personazhe të personifikuar me të vërtetën e hidhur të një grup “figurash”.
Me pak fjalë, shije e hidhur.
Por nuk do më kishte shkuar kurrë në mendje se aty do të gjeja të fshehur një pjesë të torturës së radhës që ka kaluar populli shqiptar, intelektualët, drejtuesit dhe të nënshtruarit, ëndërrimtarët. Dhe për faj të kujt? Të një regjimi të gabuar apo të një prijësi të keqmenduar? Fiks si një ëndërr e keqe.
Dhe, e vërteta e të gjithave është se nëpërmjet simbolit, qoftë të personazhit kryesor, apo edhe ëndrrës së përzgjedhur prej tij, ne njihemi me akrepat e shumtë të një ore (e cila punon për hesap të paditur) të cilët përplasen për të mbijetuar.
Dhe sa më shumë ecin në një drejtim, mjerë për ata që e kuptojnë se janë kundër tyre. Megjithëse jam i sigurt se qëllimi nuk është të mësojmë nga dhuna, shkelja dhe fyerja psikologjike, më tepër se të kuptojmë sjelljen njerëzore në kohë dhe në hapësirë.
Askush nuk do e dëshironte fatin e keq dhe askush nuk do të luftonte kundër të mirës, por ne duhet të kuptojmë, se mjafton njëherë të kesh tentuar për kundër, gjithë jetën do të të duhej të pendoheshe për këtë gjë. Kadare më ka lënë të kuptoj se duke e gjykuar të ligën ne nuk e ndreqim atë. Dhe pikërisht kështu e tregoi fati i Mark-Alemit.
Pallati i Ëndrrave është roman i cili më mësoi se asnjë tullë s’mund të hidhet në themelet e diçkaje që është nisur për tu ndërtuar keq. Dhe simbolet e tij janë shembulli për të vërtetuar se kjo vepër mbart në vetvete mesazhe për ata që hiqen sikur nuk kuptojnë çfarë ndodh në realitet. Ose, më mirë të them, për ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë. Por sa e hidhur është e vërteta, aq edhe më e fortë bëhet forca e saj.
E pra, në fakt nga ky libër kuptova se nuk kisha vërtetë nevojë për magji, kur ne duhet të përqafojmë atë që na rrethon, ta sfidojmë prapambetjen që sjell me vete, dhe ngandonjëherë të heshtim aty ku ka vend për të mësuar. Të flasim aty ku nuk do kundërshtohemi, dhe të ëndërrojmë aty ku pallati nuk do mund të shembet.
Librin e gjeni tek linku Këtu