Klik Ekspo Group sjell DitëNetët e Librit, ja risitë në tregun kulturor

dite-netet-logoja
Në foto: Kreativa e panairit DiteNetet e Librit, organizuar nga Klik Ekspo Group

Një tjetër panair i rëndësishëm pritet ti shtohet tregut të librit dhe kulturës në Shqipëri. “DitëNetët e librit” është eventi më i fundit që pritet të nisë më 16 maj dhe është i ideuar nga Klik Ekspo Group, kompania e vetme që përfaqëson Shqipërinë pranë UFI – Organizata Globale e Panaireve dhe Ekspozitave Ndërkombëtare, me përvojë në organizimin e eventeve në fushën e edukimit dhe kulturës. Kësaj radhe në fokus do të jenë botimet, lexuesit me komunitetet e tyre, autorët, institucionet e librit dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë vendit.

Për pesë ditë me radhë, nga data 16 maj deri më 20 maj do të ketë një mori aktivitetesh ku do të mbledhin bashkë të gjithë botuesit, autorët, lexuesit, drejtuesit e institucioneve kulturore dhe promovuesit e librit dhe të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Europë.

Në ceremoninë hapëse pritet të jenë të pranishëm ministrat e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

E veçanta e këtij eventi, në ndryshim nga panairet e tjera, është se kultura dhe libri do të jenë në qendër të një diskutimi të madh, ku do të përfshihen autorë, studiues, menaxherë dhe ekspertët: Do të ketë debate për letërsisë shqipe dhe të huaja, të tilla si “Kadare, vargje dhe prozë lirike”, “Adapto një autor”, “Sfidat e letërsisë bashkëkohore”, biseda me autorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do të diskutojnë me lexuesit. Risi përbën edhe prezantimi i klubeve të librit dhe të krijuesve të cilët për herë të parë do të paraqen në një event të tillë me stendat e tyre.

Kësaj radhe, në fokus do të jetë letërsia e Kosovës, ku pritet të jenë të pranishëm edhe autorë që do të prezantojnë krijimet e tyre në prozë dhe poezi si dhe drejtues të institucioneve kulturore në Prishtinë.

Në këtë maratonë të kulturës do të ketë diskutime për literaturën ekonomike, të cilën e lëvrojnë kryesisht universitetet private. Po ashtu, do të ketë edhe prezantime të bibliotekave publike të rretheve të ndryshme, ku do të paraqiten botime edhe të autorëve lokalë

Stenda e Fakultetit të Arteve Pamore do të vijë me një risi, ku do të jepen çmime për ilustratorin më të mirë, do të ketë diskutime për karikaturën, si dhe një prezantim të Akademisë së Filmit, i shoqëruar me debate për raportet mes filmit dhe librit.

Sigurisht, libri i sapo hedhur në qarkullim nga shtëpitë botuese do të jetë në qendër të panairit. Botimet më të fundit të Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Faik Konicës, dhe të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj.

Po ashtu, pritet të bëhen kujtesa (In memoriam) për përkthyes (si Halit Selfo) dhe autorë që nuk jetojnë më mes nesh.

Në fokus do të jenë edhe nismat e reja në fushën e librit dhe letërsisë, të tilla si aktiviteti “Lavd i librit” apo rezidenca letrare e Poetekës, e cila ka krijuar tashmë një traditë duke ftuar autorë në vendet e Ballkanit në Tiranë.

Bukinist-i është surpriza e radhës: Platforma online e librit shqip do të ofrojë kupona me vlerë 300 lekë për të gjithë personat që do të vijnë në panair përgjatë 5 ditëve dhe ata që do të bëjnë porositë, do t’ju ofrojë mundësinë për tu bërë Mik i Bukinist. Pra, secili lexues përfiton ulje të përhershme -10%, oferta ekskluzive, dhe shumë avantazhe të tjera. Po ashtu, për herë të parë prezantohen fituesit e konkursit “Libri më i mirë 2017”, të dalë gjatë një votimi online përgjatë tre muajve në gjashtë kategoritë: Romani shqip, romani i përkthyer, poezia shqipe, libri për fëmijë, libri non-fiction dhe libri për zhvillimin personal.

libri-me-i-mire-2017-bukinist
Në foto: Fituesit e çmimit “Libri më i mirë, i botuar gjatë vitit 2017” nga Bukinist.al

Aktivitetet e këtij panairi do të nisin në mëngjes dhe do të mbarojnë në mbrëmje vonë me lexime të lira, performanca, dialogje & reviews, të cilat do të zhvillohen çdo ditë, pas orës 20.00.

Shtëpitë botuese dhe autorët kanë planifikuar shumë promovime. Secila ditë do të ketë një fokus të veçantë: Më 17 Maj do të jetë dita e letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë, më 18 Maj Dita e Poezisë, më 19 Maj Dita e Prozës dhe më 20 Maj Dita e Dramës.

Shkollat e kryeqytetit do të paraqesin nismat e tyre, me klubet e librit, të dramës, me përshtypjet për librat, mesazhet promocionale për leximin etj

Konkurset për esetë më të mira, për kopertinën më të mirë, çmimet për autorët, përkthyesit, studiuesit dhe platformat që promovojnë librin dhe kulturën do të jenë të pranishme përgjatë ditëve të këtij festivali të madh.

Ky panair pritet të ndikojë në promovimin e tregut të librit, por njëherësh do të mbështesë edhe lexuesit, klubet e librit, institucionet dhe organizatat kulturore dhe të gjithë platformat që ushtrojnë aktivitetin e përditshëm në këtë fushë.

Klik Ekspo Group është kompania lider në Shqipëri në organizimin e panaireve ndërkombëtare, ekspozitave, konferencave, eventeve, aktiviteteve në fusha të ndryshme.

dite-netet-pergatitje-bukinist
Momente nga përgatijet për Panairin DiteNetet e Librit në Muzeun Historik Kombetar në Tiranë

Agjendën e plotë të aktiviteteve të panairit DitëNetët e Librit e gjeni tek linku:

Përgatiti materialin: Albert Gjoka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *