TREGIM – Soni

libri-adoleshent

Xhevair Lleshi

Vajza e komshiut në katin e katërt, Soni, që ndjek shkollën (unë nuk e dija vitin e shkollimit) trokiti papritur në datën tetëmbëdhjetë, që për mua është një datë e shënuar, si për të më krijuar përfundimisht një gjendje të re shpirtërore. Kuptohet që e prita dhe i thashë të hynte brenda. Ajo nuk e bëri të gjatë. Hyri dhe u ul në kolltukun përballë meje. Kush nuk e njeh atë vajzë s’ka pse bëhet merak, po për ne është krejt ndryshe: E gjatë, bukuroshkë e pandreqshme, gjithnjë buzëqeshur, bionde e përsosur, tip sportiv, e këndshme dhe gjithnjë përshëndeste, duke u mënjanuar. Paksa e mbyllur brenda shtëpisë.

Njëherë e ndesha duke lexuar një libër nëpër shkallë. Ndenja anash dhe prita të kalonte dhe më përfshiu me një vështrim të kithët, por mjaft mirënjohës. Një adoleshente duke lexuar? Prindërit e saj mbanin një kone të vogël, që kur i shkrepej e mbushte pallatin me ca të lehura të holla, që ngjanin me piskamat e vokalicave të ndonjë sopranoje. Mirëpo Soni nuk i kushtonte fare vëmendje kones dhe kur qe ajo në shtëpi konia e mbante mbyllur laringun dhe pallati përfshihej nga heshtja.

– E di ti, profesor, që unë shkel për herë parë në shtëpinë tënde? Jo? E, pra, erdha të shikoja me sytë e mi librat. Dhe ja, i pashë, tani ndihem e plotësuar, – tha me një frymë.

Unë u ndjeva ngushtë. – E ke fjalën për librat? – pyeta.

– Po.

– Sa i lumtur duhet të jesh? Uau! Gjë mjaft e bukur.

Më përfshiu me një vështrim të ngrohtë, por vura re se ishte edhe cinik. Nuk e bëra veten, kuptohet.

Kjo për mua do të mbetej histori që nuk do ta harroja kurrë. Spontanisht erdhi dhe e tillë qe edhe biseda. Sepse kishte të bënte me librat.

– Ç’libër ke lexuar? – e pyeta.

– Sa mbarova “Eleanor & Park”, libër që pak a shumë i përket moshës sime. Më la pa frymë. Një trajtim i përsosur i dashurisë. Asgjë e tepërt, asnjë fjalë e pistë, asnjë shprehje vulgare (edhe pse vulgariteti është kudo, rreth e qark!). Më ka lënë pa mend ai libër. Sigurisht, e di që e keni botuar ju dhe nga kjo, ta them hapur, më vjen mirë, sepse ti je banor i pallatit tonë. Unë kështu e kuptoj. Ia kam thënë edhe mësuese Inës. E di, profesor, që zysh Ina lexon shumë. Jo, s’ke nga ta dish! Është e moshuar, por lexon, është në hapin tonë. E zonja dhe e dashur. Pak mësuese gjen si ajo…

– Më falni, jam edhe e emocionuar, po ju uluni, mos rrini në këmbë për mua. Më vjen keq. Se, kështu për fat të keq edhe unë do të duhet ta mbyll atë që po them.

U ula dhe prita çdo t’më thoshte. Deri tani jemi bërë dhjetë shoqe (prapë doli në skenë një numër tjetër që lidhet me jetën time!) që lexojmë dhe kemi krijuar një lloj gare të bukur profesor. Mërziteni që ju them profesor? Jo, s’ka përse. Ju jeni i tillë. Kështu, zysh Ina na e ka ngjitur pasionin. Dhe ne shtohemi. Kam vendosur t’i them të gjitha dhe do ta doja mendimin tuaj, sepse me sa kuptoj jeni një njeri i ditur, mik i librave. Ah sikur!… Eh, ja që u bëmë dhjetë shoqe dhe asnjë shok! Je kureshtar ta dish si lexojmë? Po? Rresht për rresht, pa lënë asnjë presje. Zysh Ina ndryshe nuk ta quan librin të lexuar. Kërkojmë në internet, gjejmë botimet e fundit nga shtëpitë botuese në gjuhën shqipe, se lexojmë edhe anglisht, por na pëlqen t’i vihemi përballë shqipes…

– Tani, pyetja ime është kjo: A mund të bëhemi ne propaganduese të librit dhe a mund të shesim libra tek të tjerët? Dhe ç’përfitojmë nga kjo? Jo, mos qesh, profesor, e kam me gjithë mend. Librin e shet ai që lexon dhe kurrë ai që e shikon librin si një copë dru. E shoh, e mora vesh nga buzëqeshja jote. Sa i sinqertë qenke! Mrekulli. Duam të krijojmë ushtrinë e lexuesve të librit! Zgjedhjen dimë ta bëjmë, se e kemi usta të mirë zysh Inën. Në fillim ajo lexonte e para një libër dhe na e rekomandonte dhe ne pastaj viheshim në garë. E di që ne kemi lexuar “Iliadën” dhe “Odisenë”? Kemi lexuar “Don Kishoti i Mançes”, “Ushtari i mirë Shvejk”, “Saga e Forsajtëve” – të tre vëllimet, “Një tragjedi amerikane”, “Krim e ndëshkim”, “Idioti”, “Djajtë”, etj., etj. Libra pa fund. Kryevepra. Zysh Ina është kurdoherë në sulm. E ka filluar me mua dhe Ronën, shoqen time të ngushtë. Dhe do të bëhemi, siç thotë mësuesja jonë e mrekullueshme, lexuesja më e madhe e botës, zysh Ina, një ushtri e madhe! Libri blihet, pastaj lexohet. Kështu që bëhet i yti përjetë. Është në raftin tënd dhe ky të kujton ngaherë. Sa libra ke aq edhe ke lexuar. Mirë e ka? Mirë, me siguri. Por kur ke shokë shumë edhe nxitesh, motivohesh, nga ana tjetër plotëson një nevojë të madhe, apo jo? E, në këtë rrugë jemi futur tashmë. Nuk se kemi bërë çudira, por unë dhe shoqet e mia kemi lexuar treqind libra që i kemi në bibliotekat tona. Kemi vendosur, siç thashë që pesë djem dhe pesë vajza të klasës C të blejnë romanin “Eleanor & Park” dhe pastaj ta diskutojmë të dyja klasat bashkë.

Por, në të vërtetë synojmë që librin ta lexojnë edhe katër klasat e tjera. E kam fjalën për klasat e teta të shkollës sonë. Themi, kështu thotë zysh Ina në një mendje me ne, që të ftojmë edhe autoren amerikane, të vijë në shkollën tonë, edhe pse është moshë të madhe dhe të pranojë që të vijë me shpenzimet e saj. Ju si mendoni? Mirë na ka vajtur mendja? Sikur ta dija që do t’na e miratonit lëvizjen tonë…

– Pa mendo, – vijoi më tej Soni, duke i rrokullisur fjalët me një frymë, – ne duam që këtë libër të madh ta marrin të gjitha klasat e teta të Shqipërisë e të Kosovës, pse jo edhe të Maqedonisë dhe kudo ku ka shkolla shqip. Ky libër, themi ne, e meriton me gjithçka. A e mendon sa e bukur është? Kemi bërë gati letrat me shkrim dore (jo me kompjuter!), sepse ka intimitet tjetër shkrimi i dorës, të tërheq, të bën për vete, prandaj! Nxënësve dhe mësuesve kujdestarë të klasave të teta në shkollën X. Jemi bërë pa dashur edhe biznesmene! Ta dish! Mund të merremi fare mirë edhe me tregtinë e librit. Sa përqindje marrim ne tek ju për librin që shesim? Jo në librari, por drejtpërdrejt tek ju. S’duam hallka të tjera në mes!…

– Ta dish, profesor, kjo është ditë e lumtur për mua. Të zbulova ëndrrën tonë të bukur. E, pra, sa libra janë gati, nëse përqafohet ideja jonë edhe nga të tjerët? Kam qejf që ta lexosh letrën tonë. Jam e bindur që e kemi shkruar bukur, me ndjenjë. Se ne na përmbyt ndjenja kur shkruajmë, çfarëdo që të themi. Dhe fajtore për këtë është zysh Ina! Ja, kjo ishte çfarë do të thosha. Në fillim i shkruam shkollës më të afërt. Test. E di që na u përgjigjën pozitivisht? Jemi dakord. Librin do ta marrin ca pak nxënës, po të duan të gjithë aq më mirë. Klasat e teta të shkollës sonë dhe të asaj shkolle bëhen 334 nxënës. Jemi shkolla të mëdha. Të tilla janë pothuaj të gjitha shkollat e Tiranës. E zëmë se bien dakord edhe shkolla të tjera, i marrim dot drejtpërdrejt librat nga ju? Me përqindjen që i marrin librarët nga ju. Po, po! E drejtë. Kështu thotë edhe zysh Ina. Skenari është i qartë. Nesër po atë letër do ta dërgojmë edhe një shkolle në Prishtinë e në Shkup. Unë i thashë pse jo në Gjirokastër. Ajo qeshi pak dhe më thumboi pse ishte vetë me origjinë nga Gjirokastra dhe mos vallë kjo kishte të bënte me cingunësinë e përhapur të gjirokastritëve? Jo, përkundrazi, po sepse nga Gjirokastra ishte Kadareja, apo jo!

Ajo mblodhi buzët në mënyrë të pavullnetshme dhe ndenji pak pa folur, por kjo e ndihmoi që të fillonte sërish.

– Me përqindjen që i marrin librarët, nuk është keq, por ne do t’i donim me përqindjen e agjencive të shumicës. Dakord? E, pra, thashë që do bëhemi tregtare të mëdha ne! Si me të qeshur e me shaka…, apo jo, profesor. Rrugët e mëdha nisin nga të voglat, ashtu si lumenjtë që nisin nga përrenjtë. Jemi të bindura që kjo nisma jonë, që ka për bazë pasionin tonë për të lexuar, si dhe një motivuese të jashtëzakonshme si zysh Ina, ka për të na përfshirë të gjithëve! E di, e shoh! Dhe ndenji sërish pak sa për të marrë frymë…

– Ma thuaj troç, të pëlqen kjo ide? Se unë dhe shoqet e mia, nuk jemi aq të qarta, por e ndjejmë se e shohim çdo gjë në dritë të syrit, kristal fare.

– Kjo besoj që është shprehje e mësuese Inës, – thashë unë me të qeshur.

– Jo, profesor, zysh Ina nuk flet fare. Ne të grijmë. Ju më thoni që ne i marrim librat me 35 për qind, apo jo. Transportin (kemi biseduar me ata të organizatës “Fundjava”) do t’i shpërndajmë me autobusë e me qeska. Kudo… Sikur ta dija. Faleminderit që e pranuat mendimin tonë. Dhe mbi të gjitha që na i siguroni librat…

– E di, profesor. Do të na pëlqente që kjo lëvizje t’i përfshinte të gjitha shkollat tona, kudo që flitet shqip. Jemi kthyer në shtete të varfra, se, sigurisht që jemi vende të pasura, dhe po qe se nuk hyn libri në këto përmasa, nuk ka mundësi të bëhemi të pasur. Dija do t’na nxjerrë nga balta e bataku ku kemi rënë. Ndryshe do të mbytemi në llucën e krijuar. Mirë, patjetër që do të ishte mirë ta bënte shteti këtë gjë, sepse jemi hollë nga xhepi dhe mendohemi dy herë kur e blejmë një gjë, madje edhe bukën, por trembemi se shteti nuk do që ta bëjë këtë gjë. Dhe e di pse nuk do? Ka frikë ne mos bëhemi më të mençur nga ç’jemi. Dhe po të mençurohemi ia kthejmë patkonjtë përpjetë qeverisë së monopolistëve…

– Që nuk do qeveria për të na ndihmuar që ne të lexojmë dhe nuk ka sjellë qoftë edhe një libër falas në shkollat tona, këtë e di edhe bufi. E di sepse kjo duket fare qartë. Por, a duhet ta lëmë kështu? Nuk duhet ta lëmë vetë ne! Se, ja or mik, (ajo vuri buzën në gaz, ndonëse qe përfshirë nga ethet e të folurit, për ta çuar mendimin e saj deri në fund!) ne kemi menduar edhe detajet më të vogla. Ne mund të kthehemi edhe në organizatë kombëtare. Kur s’kujtohet njeri për ty, kujtohu vetë dhe dihet, siç thoni ju, i zoti e nxjerr gomarin nga balta! E ç’gomar zeza, thuaj!

Qeshi. Gati u mbyt nga të qeshurit. – E zeza! Ç’më gjeti! Këtë radhë foli jo si vajzë shkolle por si grua e madhe…

– Nuk e fsheh, do të doja shumë që grupi ynë të kthehej në bërthamë qelize. Për rreth nesh, si në rrathët bashkëqendrorë, të formohej e gjithë shoqëria jonë. E kemi vendosur që vetëm kështu të bëhemi të ditur dhe të kohës. A do t’i marrim ne frerët e qeverisë në dorë? Pse, kot i kemi formuar qeveritë e shkollave? Apo Kuvendin e shkollës? Por ama duke lexuar bëhemi të ditur, nuk na shtypin dot, nuk mund të mburret kush duke u qarë se jemi vendi më i varfër dhe këtë e thonë me krenari! E ke vënë re? Turp! Turp kush e dëgjon! Marrëzi e tmerrshme. Po kur thonë që ne kemi krahun më të lirë të punës? E, vërtet, të dridhet mishtë. Çfarë idiotësie! Poshtërsi e pashoqe dhe e ndërkryer, e mbushur me helm dhe totalisht kundër njerëzve të popullit tënd… Ose kur thërrasin me patetizëm për njerëzit e zakonshëm! Me një fjalë, ata, pikërisht ata, qeveritarët, po, qeveritarët trurrjedhur edhe pse cinikë e të poshtër, qenkan njerëzit e jashtëzakonshëm të këtij dheu! Ç’të të them më parë, profesor i dashur, ja për të tatuar pulsin erdha. Doja ta dija. Thjesht, a e kemi mirë këtë rrugë. Po mos mendo se vërtet do bëhemi tregtarë libri. Ne na mjafton idealizmi. Përqindja e lartë do të thotë që nxënësit, shokët dhe shoqet tona, ta marrin librin më lirë… Faleminderit. Tani që më dëgjuat ju, jam e bindur se e kemi drejt rrugën. Do ta vë në dijeni edhe zyshën time të dashur dhe…

Qëndroi pak te dera, e ngriti dorën lart dhe, duke qeshur, doli jashtë, u ngjit shkallëve dhe pas pak dëgjova portën në katin e katërt që u përplas me forcë. Mua më kishin zënë ca ethe të bukura, që s’do t’më largoheshin tërë pasditen, deri vonë në darkë. Kisha marrë një leksion të mrekullueshëm. E, a ka forcë që t’i pengojë ata? Më mbuloi zjarrmia e mahnitjes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *