Lidhëset që presin dorën tonë

lidheset-starnnone

Shënime për romanin “Lidhëset” të Domenico Starnones, fitues i çmimit Strega 2001, sjellë në shqip nga Mimoza Hysa

Agim Baçi

Të prishësh atë që e ke vetëm sepse mendon diçka tjetër që nuk e ke…. Ky kurth i përhershëm dëshirash qëndron fare pranë lëkurës, i kurdisur nga dështimet, i mbarsur nga mosleximi i së tashmes dhe i ledhatuar nga joshja.  Por, vërtet, ç’mund të na lidhë dhe zgjidhë nga e tashmja apo nga ëndrrrat që kemi për veten?

Domenico Starnone, shkrimtari napolitan, fitues i çmimit Strega (2001) vjen në shqip me një rrëfim ku gjithçka duhet ta nisësh me një pyetje të rëndësishme: a e di vërtet se cili je dhe çfarë përgjegjësish ke? Një pyetje që shpesh shumë i shmangen, e bëjnë me zë të ulët, ose e bëjnë vonë. Po ç’kuptim ka nëse kësaj pyetje dëshiron t’i përgjigjesh atëherë kur orteku i veprimeve ka rrëzuar gjithçka që ke ngritur?

Rrëfimi nis me furinë e letrave të Vandës, gruas së braktisur pas një martese prej 12 vitesh, që i kërkon të shoqit të rikthehet te ajo dhe dy fëmijët në Napoli e të lërë Lidian me të cilën ai bashkëjeton në Romë. Letrat që i dërgon të shoqit janë materiali që kërkon të ngjisë një marrëdhënie që s’ka patur pikëpyetje deri në çastin kur Aldo kërkon “të çlirohet” e të nisë të jetojë pa kufizime, ashtu “siç e kërkon edhe moda”. Përmes letrave rindërtohet martesa e tyre 12 vjeçare dhe një jetë që ka qenë e mbuluar nga harmonia e dashuria. Por a ka qenë vërtet kështu?

“Aldo, të lutem, mos luaj me fjalë, jam e dërrmuar, është hera e fundit që përpiqem të të bëj të arsyetosh. Ta qash të shkuarën është budallallëk, ashtu si është budallallëk të vraposh gjithnjë pas fillimeve të reja. Dëshira jote për ndryshim ka vetëm një zgjidhje të mundshme, ne të katërt: unë, ti, Sandri dhe Ana. E kemi për detyrë të hedhim së bashku një hap të ri. Shikomë, shikomë mirë, të lutem. Nuk kam mall për asgjë. Po pëpiqem të ngjis këto shkallët e tua të mallkuara me hapin tim, e dua të shkoj përpara. Po nëse ti nuk na jep një mundësi, as mua e as fëmijëve të mi, do t’i drejtohem gjyqit, do të kërkoj që fëmijët të më besohen vetëm mua”. (Domenico Starnone, “Lidhëset”, Përkthimi: Mimoza Hysa, f. 15)

Pas furisë së letrave të Vandës, Starnone zgjedh një kënd tjetër të rrëfimit, duke na e dhënë çiftin shumë vite më vonë, kur nuk janë kërkesat e as përpjekjet e njërit për t’u bashkuar me tjetrin, por janë kujtimet ata që na rrëfejnë një jetë tashmë që ka nevojë të lexohet. Aldo dhe Vanda, pas 50 vjetësh bashkë, zbulohen vetëm nga një rrëmujë që gjejnë në shtëpi pasi kthehen nga pushimet. Maçoku Labes ka humbur. Ai është preokupimi i vetëm i Vandës, ndërkohë që i shoqi humbet në rrjedhën e jetës së shkuar – një jetë me dritë-hijet e një rikthimi pranë familjes. Por, a janë gjërat si më parë?

Në moshën që është Aldo nuk ka më ngurim të pranohet se asgjë nuk ka mundur të rikthehet në rrjedhën e vet. Kthimi ka lumin e nëndheshëm të pyetjeve, ka dilemat, ka inatin e pazbutur, që qëndron ashtu si një myk i padukshëm muresh, e të merr frymën pakuptueshëm. Ai është rikthyer teksa ka parë veten që i biri e imiton në përditshmërinë e tij, në detajet e padukshme. Eshtë mënyra se si lidh këpucët – një lidhje e çuditshme, ashtu si vetë pyetjet pa shumë zgjidhje të Aldos. Një detaj i vënë re nga e motra e Sandrit, Ana, e cila bashkë me të vëllanë koloviten mes braktisjes dhe rikthimit të dy prindërve së bashku, pa kuptuar se cila e ka kurthin më të madh e se cilës mund t’i përgjigjemi më lehtësisht – braktisjes apo rikthimit?

Dhe Starnone, nuk zgjedh për përgjigje ndaj braktisjes apo rikthimi Vandën apo Aldon. Me një finesë ai shkon drejt shumës që shkaktojnë këto paqartësi: Sandri dhe Ana kanë një jetë të paqëndrueshme. Sandri ka katër fëmijë me tri gra të ndryshme, ndërkohë që Ana është e dyzuar për jetën dhe shijet e saj seksuale. Ata të dy janë rezultat i një kurthi pa përgjigjen e duhur. Janë rezultat i dëshirës për t’iu fshehur të vërtetës, për t’iu shmangur “Pse”-ve, që e lënë jetën më pas në skaje, pa mundur të vijnë drejt qendrës së njeriut, për t’i thënë gjërat me zemër.

I ardhur në shqip mjeshtërisht nga përkthyesja Hysa, “Lidhëset” e Starnones janë një shtrim pyetjesh që kanë nevojë për përgjigje – jo përgjigje ndaj të tjerëve, por përgjigje ndaj vetes, sepse nëse i lëmë pyetjet në skaj, edhe jeta jonë do të jetë në skaje, pa u mbështetur kurrë në thelbin e së vërtetës, e aq më pak për të kuptuar fuqinë për të falur dikë apo për të kërkuar ti vetë falje.

Shkrimi është botuar tek gazeta MAPO, datë 10 mars 2018

Librin e gjeni tek linku ketu: ose duke telefonuar tek: 044508282

lidhese-207x300

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *