Një libër që ju pasuron bibliotekën dhe shpirtin tuaj

liberlidhesja-caboni-bukinisti

Review për librin “Libralidhësja e historive të humbura” të autores Cristina Cabonin, sjellë në shqip nga botimet Dituria

Ena Bulku

Një shkrimtare që e zbulova rastësisht që në librin e saj të parë “Vajza e Mjaltit” dhe instiktivisht e ndoqa në rrugëtimin e atyre që pasuan deri tek më i fundit, “Libralidhësja e historive të humbura”. Jam e lumtur që lexuesi shqiptar mund ta shijojë penën e saj, jo vetëm për aftësitë e detajuara të të rrëfyerit, por sepse Caboni rrëmon nëpër shtigje antike, ende të pranishme në të përditshmen tonë. Ajo shkruan për bletërritëse, parfumiere, kopshtare, e së fundmi për libralidhës dhe kaligrafë. Por, në të vërtetë, ajo shkruan më tepër për ndjesinë që gjallon nëpërmjet një kërcelli, aromës së fshehur në thelb të asaj çfarë shohim, gumëzhimën e jetës që vjen edhe nga flatrat e krijesave më të vogla, prekjen delikate të fletëve që u kanë mbijetuar epokave.

Të gjitha këto profesione, të cilat në kohën ku jetojmë janë pluhurosur, Caboni këmbëngul ti sjellë në mënyrën e saj duke ndërthurur arkitekturën e vendlindjes me emocione njerëzore të së përditshmes.

Libralidhësja…” ishte një rrugëtim i mrekullueshëm për mua dhe tepër i çmuar edhe për faktin se lidhej ngushtë me librin në gjenezë. E shijova duke e ndalur veten ta lexoja shpejt, pasi historia të rrëmben. U futa nën lëkurën e Sofisë, e dëshiruar për të zbuluar sekretin e asaj letre udhëtare ndër shekuj. Më bëri të mendoj, por edhe tepër kureshtare, jo vetëm për përfundimin e historisë, por, më tepër, për atë çfarë personazhet e librit vetë përfaqësonin.

E sugjeroj këtë libër për të gjithë ata që janë të etur të udhëtojnë në të shkuarën dhe ata që, të ndodhur në një udhëkryq të jetës, kërkojnë të kapen fort pas një grimce për t’ja nisur nga e para.

Për Sofinë ishte letra fshehur me mjeshtëri brenda faqeve të një libri antik. Për dikë tjetër, mund të jetë vetë ky libër. Por, edhe nëse nuk është kështu, do te keni fituar një histori magjepsëse që do t’ua pasurojë më shumë bibliotekën dhe shpirtin tuaj.

Librin “Libralidhësja e historive të humbura” e gjeni tek linku këtu, ose telefononi tek: 044508282

libralidhesja-e-historive-te-humbura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *