Shkrimtarja dhe gazetarja e njohur Arta Marku ka rekomanduar 5 libra për tu lexuar gjatë pushimeve verore, të cilët janë si më poshtë:
***
1.Mosdija – Milan Kundera – përkth. Mirela Kumbaro – Dituria
Kujtimet u dashkan përsëritur mes njerëzish se përndryshe harrohen. Secili kujtimin e vet sepse kujtimet nuk ngjajnë mes tyre sado që përshtypja jonë është se bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Akoma më tepër, kujtimi i njërit mund të jetë harresa e tjetrit. E shkuara jonë na përndjek vetëm ne, në mënyrën më indivuduale, pavarësisht se kryqëzohet pa ndërprerje me të shkuarën e të tjerëve.
***
2.Më kujtohet – Ylli Demneri – Odeon
Copëza rrëfimi për Tiranën e viteve ’70, ’80, ’90. Një Tiranë e cila, të gjithë 40 apo 50 vjeçarëve të sotëm, që e kanë jetuar dikur, u rishfaqet me një gjallëri befasuese. Është një rishfaqje herë cinike, herë me humor e herë tejet nostalgjike dhe e përmallshme, që paskeshim qenë gati ta shijonim, mbi të gjitha për përditësinë e munguar, pothuaj të padokumentuar.
***
3.Harrimi i dashurisë – Besnik Mustafaj – Buzuku
Një përzgjedhje me poezi dashurie që sipas përzgjedhësit më shumë se nga prania, janë nxitur nga mungesa e dashurisë. Një mungesë momentale gjithsesi, e cila krijon nevojën dhe provokon kërkimin.
***
4.Gjumi mbi borë – Ridvan Dibra – Onufri
Një histori origjinale e ngjyrosur me nota autobiografike të një copëhere të jetës së dikurshme të autorit, mbi të gjitha e rrëfyer me një magnetizim që nuk e gjen në çdo rrëfim letrar. Libri na çon në të djeshmen, por nëpërmjet tunelit të errët të nënvetëdijes.
***
5.Tetë malet – Paolo Cogneti – përkth. Mimoza Hysa – Dudaj
T’i ngjitesh një mali mund të jetë pasion alpinistësh. Por t’i ngjitesh malit është realitet i kujtdo. Sepse jeta është një ngjitje mali. Paolo Cogneti është një dashnor i natyrës që duhet ta rrethojë njeriun së jashmtmi por edhe njohës i brendesisë së natyrës njerëzore me marrëdhëniet e shumëfishta.
Artikulli është marrë nga faqja e Facebook-ut të Arta Markut