Sondazhi: Ja 7 librat më të mirë të vitit 2018

mapoja
Ne foto: Sondazhi i zhvilluar nga MAPO per 10 librat me te mire te botuar gjate vitit 2018

Gazeta Mapo, në shtojcën letrare të ditës së shtunë, ka bërë një sondazh për botimet më të mira të vitit 2018, ku kryesojnë veprat e Ismail Kadaresë, Mira Meksit, Mitrush Kutelit, Tom Kukës (Enkel Demit), Ridvan Dibra, Gazmend Kapllani dhe Virion Graçi.

Lexues të specializuar, kritikë, botues, përkthyes, gazetarë dhe shkrimtarë të ndryshëm kanë bërë përzgjedhjet e tyre për 10 veprat më të mira që janë hedhur në qarkullim gjatë këtij viti. Pjesë e këtij anketimi kanë qenë Behar Gjoka, Ema Andrea, Ermir Nika, Loer Kume, Albert Gjoka, Arlinda Dudaj, Diana Kastrati, Dorian Koçi, Virion Graçi dhe Arian Konomi.

Në përzgjdhjet që kanë bërë secili prej tyre kryeson libri më i fundit eseistik i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden”. Në këtë vepër Kadare reflekton për marrëdhënien e shkrimtarit me diktaturën duke sjellë rastin e raporteve komplekse mes Boris Pastërnakut, Osip Mandelshtamin dhe Stalinin, dhe botën specifike mes njerëzve të letrave.

Befasi konsiderohet vlerësimi nga kritika i librit “Gurët e vetmisë”, i Enkel Demit, i cili fshihet pas pseudonimit Tom Koka: Në veprën e dytë të tij, ai ka arritur të fitojë simpatinë e lexuesit të specializuar.

Edhe Mira Meksi vazhdon të gëzojë simpatinë në zhanrin e prozës së shkurtër. “Hakmarrja e Kazanovës” është libri i dytë në këtë zhanër që del brenda një periudhe shumë të shkurtër, ku autorja gërsheton përvojat e leximit, përkthimit dhe mjeshtrinë e saj në një prozë të veçantë.

Botimi i novelës  “Hekuri dhe çeliku”, shkruar nga Mitrush Kuteli në vitet e fundit të jetës ka qenë surprizë për lexuesit e shumtë në këtë fundviti.

I veçantë në debutim dhe vlerësim është edhe Gazmend Kapllani me romanin më të fundit “I keqi i vetes”, i cili shënon një narrativë komplekse, ku stili gazetaresk gërshetohet mirë me diskursin letrar dhe ku shfaqet ironia, sakrazma e një realiteti djerrë si ai në Shqipëri, që vazhdon të vuajë pasojat e ideologjisë komuniste dhe emigracionit. Këtu gjendet edhe drama e dy personazheve; Karlit dhe Frederikut, – njëri emigrant i përhershëm dhe tjetri që ka vendosur të qëndrojë në vendin e tij të lindjes. Fundi i të dyve është dramatik.

Edhe dy prozatorët e njohur, Ridvan Dibra dhe Virion Graçi janë mes 7 shkrimtarëve më të vlerësuar nga kritikët në anketën e organizuar nga gazeta Mapo.

7 VEPRAT MË TË VLERËSUARA GJATË VITIT 2018

1.Kur sunduesit grinden, Ismail Kadare

kur-sunduesit-grinden

2.Hakmarrja e Kazanovës, Mira Meksi

hakmarrja-e-kazanoves

3.Gurët e vetmisë, Tom Kuka

guret-e-vetmise

4.Hekuri dhe Çeliku, Mitrush Kuteli

hekuri-dhe-celiku

5.I keqi i vetes, Gazmend Kapllani

i-keqi-i-vetes.jpg

6.Dashuritë e virgjëreshës Madalenë, Ridvan Dibra

dashurite-e-virgjereshes-madalene

7.Pëllumbat i vrasin natën, Virion Graçi

pellumbat-i-vrasin-naten

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *