Platforma online e librit shqip Bukinist bën të ditur veprat letrare të përkthyera të cilat kanë fituar çmime gjatë vitit 2018. Mes çmimeve letrare, për përkthimin kanë dhënë çmime libraria Bukinist, Ministria e Kulturës, Akademia e Çmimeve Kult dhe Shoqata e Botuësve Shqiptarë në Panairin e Librit Tirana 2018.
Bukinist.al i shpall fituesit përmes një procesi ku i fton lexuesit të votojnë online përgjatë dy muajve për libra të botuara gjatë vitit paraardhës, pasi ka përzgjedhur 7 libra më të mirë në kategorinë e romanit të huaj që ka ardhur në shqip.
Për vitin 2018 Bukinist ka shpallur librin “Histori arratie e qëndrese” nga Elena Ferrante, sjellë në shqip nga Agim Dokani.
Ministria e Kulturës zgjedh një juri profesioniste nga fusha të ndryshme të studimit, gazetarisë kulturorës, përkthimit, etj., e cila përgjatë tre muajve analizon të gjithë librat e botuara një vit më parë dhe në fund shpall dy fitues: autorin më të mirë të letërsisë shqipe dhe përkthyesin. Përkthimi më i mirë i botuar gjatë vitit 2018 u shpall ai i Aida Baros, me librin “Armëpushimi” të Primo Levit.
Akademia e Çmimeve Kult jep disa çmime, me të cilëve edhe çmim përkthimi, të cilin vitin e kaluar e mori Mimoza Hysa. Fituesja e këtij trofeu ka përkthyer nga italishtja në shqip librin me poezi të nobelistit italian Eugenio Montale, “Rastet”.
Çmimi i dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Panairin e Librit jepet për veprat e botuara gjatë vitit ku zhvillohet eventi më i madh mbarëkombëtar në fushën e botimeve, ku vlerësohet edhe përkthimi më i mirë. Vitin e kaluar u vlerësua me çmim Donika Omari me librin Nga ana e princeshës së vdekur” nga Kenizé Mourad, i botuar nga IDK.
Në Shqipëri jepen shumë çmime letrare për zhanre të ndryshme dhe për përkthimin. Botuesit sjellin shumë autorë çdo vit në gjuhën shqipe, edhe për shkak të kërkesave të larta që ka tregu, përkundrejt letërsisë që prodhojnë autorët shqiptarë.