Shënime mbi romanin “Anjeza nuk u zgjua” të Preç Zogajt, botuar nga MAPO
Namir Lapardhaja
“…Ajo mbylli sytë ngadalë, duke marrë nën qepalla një pjesë të buzëqeshjes së saj të ëmbël, pjesën tjetër e la t’i shpërndahej e tretej rreth buzëve dhe në gjithë fytyrën e zbehtë me hijen e një padëshifrimi në tkurrjen e saj. Ajo ndjeu një si fshikje puple brenda në kraharor, një përpëlitje që u përsërit sikur po i çahej një venë. Një kërpudhë drite shpërtheu dhe e praroi në trup dhe në mendje, në mish dhe në eshtra, në diafragmë dhe në grykë… Goja i mbeti gjysmë e hapur, vështrimi i peshoi pjerrtas. Anjeza po flinte… Po flinte si një lule që nuk i dallohej e marra e frymës. Buzët e saj të puthitura shtrëngonin si algë shprehjen e një keqardhjeje vezulluese. Fytyra vezake me gushën e vogël të krijuar nga një përkulje shumë e lehtë e kokës dukej sikur edhe mund t’i varej e t’i këputej fare nga qafa e bardhë si lingotë…”
Ky fragment i gjatë, është shkëputur pjesa e fundit e romanit “Anjeza nuk u zgjua” i Preç Zogajt. Jepet në të portretizimi gati natyralist i personazhit që mbart titullin romani. Ajo po shkon drejt fatalitetit të fatit të përcaktuar, i cili duket se i është shenjuar prej kohësh dhe asaj i duhet vetëm të jetësojë destinin e saj:
Anjeza nuk zgjohet më. Në banjën e trenit që është duke udhëtuar me të dashurin e saj, David Gjikën, ka gëlltitur një mbidozë me tableta luminali dhe, pavarësisht ndihmës së madhe të mjekëve të spitalit të Vlorës, asfiksia dhe errësira e marrin peng përgjithmonë, për të mos e lëshuar kurrë më.
Struktura kompozicionale e romanit është ndërtuar mbi 3 pjesë, të përbëra nga tridhjetë kapituj dhe ngërthen në vetvete disa linja rrëfimi: Linja e parë është marrëdhënia e David Gjikës, të riut nga Patalana e Lezhës, me Anjezën, vajza e bukur dhe ambicioze, që portretizohet si një e re që e tejkalon në gjithçka kohën e saj:
Linja e dytë është largimi i të dashurit të saj Davidit dhe dalja në skenë e personazheve të tjerë, me pozitë, të ardhur nga Tirana, të cilët zotohen të ndihmojnë Anjezën për të fituar studimet e larta në Dramaturgji në Universitetin e Arteve në kryeqytet, mirëpo abuzojnë me të, duke e përdhunuar e lënë shtatzënë: Linja e trete është rikthimi i David Gjikës, zbulimi i asaj që i ka ndodhur Anjezës, zotimi dhe dashuria e jashtëzakonshme për të dhe përpjekja për ta shpëtuar me të gjitha mënyrat dhe pavarësisht gjithçkaje të dashurën e tij.
Ngjarjet janë vendosur kryesisht në qytetin e Lezhës dhe në rrethinat e saj mes viteve ’85-’88. Portretizimi i personazheve dhe vendeve, përshkrimi i ngjarjeve dhe ndodhive jepen me një realizëm të tejskajshëm.
Personazhet e romanit recitojnë poezi të Migjenit dhe të Rudolf Markut, këndojnë këngë të njohura shqiptare dhe italiane, ëndërrojnë të takojnë dhe të bashkëpunojnë me aktorë të mirënjohur të skenës shqiptare.
Davidi dhe Anjeza, dy personazhet rreth të cilëve vërtiten të gjitha ngjarjet janë personazhe të kulturuar. Ata bëjnë diferencën ndaj gjithë rrethit të tyre miqësor. Është koha e papërshtatshme që nuk i favorizon dy të rinjtë e dashuruar për të realizuar lidhjen e tyre.
Romani mbart në titull Anjezën, e cila në shumicën e tij del më tepër nga përjetimi dhe rrëfimi i të tjerëve për të. Shumë mirë ai mund të ishte edhe një roman për dashurinë e pamundur të të riut David Gjika, mirëpo vendosja e figurës së femrës intrigon më tepër zhvillimin e ngjarjeve.
Ndonëse në fund të epilogut Zogaj shkruan se e ka mbaruar këtë roman në vitin 2017, e sigurt është që kjo vepër i ka marrë atij një periudhë të gjatë kohore të krijimtarisë së tij letrare. Ajo mund të quhet vepra e tij e jetës në prozë.
Pierre Chartier tek “Hyrje në teoritë e mëdha të romanit”, mes të tjerash, thotë se “nëse romani është konsideruar i rrezikshëm dhe i dëmshëm kjo nuk lidhet vetëm me atë që ai mund të thotë gjithçka, lirisht e në të gjitha format, e që pretendon të thotë ato që thonë të gjitha llojet e tjera, por sepse ai di t’i thotë me formën dhe autoritetin e duhur ligjërimin e zhanreve të tjera”.
Dihet se “e vërteta e romanit është fabula e tij”, ndaj, pavarësisht se Zogaj vjen nga një traditë e gjatë poetike, tek e cila qëndron me fortë dhe më sigurt, ai i ka thënë të gjitha në roman, në formën dhe mënyrën e duhur, edhe pse në faqe të tëra ka shpërthime lirike të fuqishme, aq sa lexuesit i duket sikur po lexon poezi dhe jo prozë.
Edhe pse ngjarjet zhvillohen në diktaturë, duket se rrëfimi nuk niset nga e sotmja për të gjykuar të shkuarën. Sistemi qëndron vetëm në sfondin e ngjarjeve të romanit. Ai duket se bëhet pengesë për mosrealizimin e lidhjes mes dy të dashuruarve, mirëpo përshkrimi i ngjarjeve dhe karakterizimi i personazheve është dhënë në mënyrë të atillë saqë më shumë rëndësi i jepet veprimit të tyre vetjak se sa pengesave dhe kurtheve të jashtme, si pasojë e kohës dhe rrethanave.
Anjeza është një lloj Ema Bovari. Ajo nuk është vetëm një lloj personazhi atipik për letërsinë shqipe, por është një personazh i munguar. Ashtu si Ema që ëndërron dhe idealizon gjërat, që dëshiron një jetë të lumtur si heroinat e romaneve të saj, ashtu edhe Anjeza do të ndjek ëndrrat e saj. Ajo nuk kërkon asgjë më shumë nga jeta se sa të plotësohet.
Nëpërmjet personazhit të saj, Zogaj duket se ka tejkaluar kontekstin kohor përsa i përket vendosjes së personazhit si mendësi dhe sjellje. Përshkrimi i saj sensual dhe erotik është përshkruar me një objektivitet të madh.
Autori i ka paraqitur gjuhësisht ndjenjat e personazheve të tij, dilemat e tyre ekzistenciale, duke u futur thellësisht në botën e brendshme psikologjike. Ai futet thellë dhe qëndron gjatë saqë lexuesit i duhet të jetë i vëmendshëm për të kuptuar se ajo që po rrëfehet është duke ndodhur vërtet apo është vetëm në subkoshiencën e personazhit. Ngjashëm si Floberi, Zogaj duket se në këtë roman ka ndjekur parimin e “jetës për artin” dhe jo “artit për art”.
Ashtu siç e pranon vet shkrimtari, në këtë roman ai ka shmangur me vetëdije tendecitetin që vret letërsinë, gjithashtu ka njehtësuar estetikën me etikën, gjë që mbështetet në të qenit të veprës artistike e paangazhuar. Ajo mishëron më së miri psikologjinë e kohës, me të mirat dhe të këqiat e saj, me zakonet, doket dhe traditat, duke ravijëzuar me saktësi një kontekst të caktuar jetësor.
Me këtë roman, Preç Zogaj renditet në radhët e shkrimtarëve bashkëkohorë të letërsisë shqipe, duke u mbështetur fortë në realizëm, në traditën më të njohur të historisë së romanit.
Librin e gjeni online tek Bukinist.al, tek LINKU