Përshtypje rreth librit “Dashuri në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquez, përkthyer nga Mira Meksi dhe botuar nga Onufri
Stiven Domi*
Me të nisur këtë analizë, dua të shpreh kënaqësinë personale për vëmendjen dhe njohjen më të gjerë që po merr ky libër, për faktin se autori Gabriel Garcia Markez njihet më së tepërmi për librin e tij “Njëqind vjet vetmi”, gjë që në fakt është për të të ardhur keq, pasi është një krim që nga një autori kaq të kompletuar t’i njihet veç një vepër.
Libri trajton historinë e një trekëndëshi: Florentino Ariza, Fermina Daza dhe Juvenal Urbino. Ashtu siç shihet edhe në punë të tjera të Markezit, rrëfimi i mbushur me detaje nga më të larmishmet, nuk është linear; përkundrazi, gjithçka nis me vdekjen e doktor Urbinos, një nga burrat më të respektuar të fshatit, ai që ishte në krye të fushatës kundër epidemisë së kolerës që kishte rrënuar fshatin.
Fermina, në moshën e adoleshencës, bie në dashuri me letrat e Florentinos, një djalë thatanik: Ata takohen, dashurohen, ndonëse vajza nuk ka miratim nga i ati. Por, e gjitha përfundon kur Fermina kupton se kjo nuk ishte gjë tjetër veç një iluzion i bukur; nuk kishte dashuri brenda pasionit që zgjati aq pak. Ky ndryshim i Ferminës do të linte shenjë për gjithë jetën tek Florentino, i cili u orvat mes punësh të largëta e dashuriçkave, por kurrë nuk mundi të gjente ndjenjën e pastër e të sinqertë të dashurisë, atë që gëzonte veç me Ferminën.
Ndryshe nga Florentino, Fermina Daza u martua me mjekun 28-vjeçar Juvenal Urbino, një djalë simpatik dhe tejet i lakmuar nga të gjitha femrat, “beqari më i pëlqyer i kohës,” – siç shprehet autori. Mes tyre nuk kishte mirëfilli dashuri, por ajo lindi e u rrit nga pak; ata mundën të dashuronin sho-shoqin në mënyrën e tyre për një periudhë kohore rreth pesëdhjetë vjet.
Ajo çka ndodh më pas është e gjithë jeta e Florentinos dhe çiftit të martuar gjatë një periudhe gjysmë-shekullore, të cilët njëmend do të kenë uljet e ngritjet e tyre, dashuritë e vërteta, dashuritë e pasionit, por edhe dashuritë që përngjajnë me kolerën, ato dashuri që të kaplojnë e zhduken aq shpejt sa erdhën, por që edhe mund të vrasin.
“Gjithçka për të cilën ka nevojë dikush, është koha. Koha për të kuptuar kush është, kush do të bëhet dhe ku do të shkojë,” – shprehet Markezi; Florentinos iu deshën pesëdhjetë vite, nëntë muaj e katër ditë për t’i shprehur ndjenjat Fermina Dazës, pikërisht në funeralin e të shoqit të saj, gjë që ajo, si një e ve e moshuar, nuk mund ta priste mirë dhe u detyrua ta përzinte, por Florentino fjalët e saj i mori si një pohim, e vetmja gjë që kish pritur kaq shumë vite.
Markezi është një autor i mbushur me fuqinë e humanizmit dhe nuk ngurron ta shpërfaqë atë në shkrimet e tij: Ky libër është i mbushur me përshkrime nga më të mrekullueshmet dhe duket se shkrimtarit nuk i duhet të sforcohet për të gjetur fjalët, ai zgjidh mendjen dhe lë penën të rrjedhë e të shkruajë me qindra faqe: Libri – ashtu si të gjitha veprat e tjera të tij – të mbërthen dhe faqet kalojnë pa u kuptuar, përshkrimi i personazheve, vendeve, ndjenjave, detajet e vockla aq poetike të thithin në botën magjike të Markezit nga ku nuk mund të dalësh edhe pasi libri të mbarojë, kërkon gjithnjë më tepër, zhytesh në melankoli e në përjetimet që të fal libri.
Një libër që rrezaton ndjenja të pastra njerëzore, i mbushur me shpresë, të ngjall gjithfarë ndjenjash, një himn kushtuar bukurisë e dashurisë, vërtet ia vlen të lexohet në kohëra të tilla, për të kuptuar se, siç thotë Hygo, edhe nata më e errët do të mbarojë e dielli do të ngrihet sërish.
*Autori e ka shkruar këtë review për mini-konkursin e organizuar nga Bukinist.al me rastin e Ditës Botërore të Librit, ku fitoi një çek librash (gift card) me vlerë 1000 lekë.
Librin “Dashuri në kohërat e kolerës” të Gabriel Garcia Marquez e gjeni tek LINKU