Përshtypje rreth librit “Atje ku këndojnë karavidhet” të autores Delia Owens, përkthyer nga Manushaqe Bako dhe hedhur në qarkullim nga Botimet Dritan
Eralda Bejleri
Në kuadër të bisedës së librit me miq, në muajin e librit, unë kam zgjedhur një roman fantastik, përshkrimet e të cilit, i shkojnë përshtat edhe Ditës së Tokës; “Atje ku këndojnë karavidhet” të autores Delia Owens.
Kisha një jetë që s’kisha përjetuar emocionet që më dha ky libër, të cilin brenda dy javësh e rilexova sërish, jo se nuk e kuptova po doja të përjetoja sërish atë që libri të ngjallte; shëtitjet buzë lumit, barin e njomë, zhurmat ndjellëse të çdo gjallese ujore, tokësore apo ajrore; sidomos jetën e gjallesave brenda guaskave për të cilat askush nuk është kujtuar më parë.
As klasikët botërorë nuk ditën të më sillnin në optikën time qindra metafora magjike në një libër të vetëm, me të cilën vjen detajuese, përshkruese, çdo element që më parë thuajse nuk e vinim re si në frazën “jetë e paciptë zukaste”, “dielli i muzgut pozonte mbi moçal”, “diellit iu desh pak kohë të gëlltiste mjegullën”, “agimi u kacavorr mes pemëve”….apo epitete metaforike të tipit: “trup përvëlues, “trishtim therës”, “mjegull e zëshme dimri”, “fusha cungjesh paraplegjikë”, “shkretëtirë e pafjalë”, “jetë e shenjuar nga refuzimet”.
Po, do të thoni ju: Përse bën fjalë romani?
Autorja, – një biologe në profesion (kjo shpjegon edhe saktësinë në detaje të shpjegimit të çdo gjallese, guaskë, bimë, kërpudhë, fije bari, etj.) sjell nëpërmjet një paralelizmi perfekt jetën e moçalit me jetën e një vajze 6 vjeçare, të braktisur nga e gjithë familja; prej dhunës së babait pijanec, deri sa shkoi 64 vjeçe, kur ajo vdiq si një legjendë….nga një mocalore gjysmë ujk e gjysmë njeri që e quanin banorët e tjerë……ajo vajza që gërryente baltën për të siguruar darkën; që e gdhinte në moçal e vetme mes gjallesash që në moshën 6 vjeçe; që nuk shkoi kurrë në shkollë sepse e tallnin të gjithë…..u bë një shkrimtare me 10 libra shkencorë, me shumë tituj ndërkombëtarë e një ligjëruese shumë e kërkuar nëpër fakultete, por kurrë nuk pranoi sepse ajo nuk donte famën; donte modestisht jetën e qetë të moçalit.
Nga ajo vajzë vlen shprehja: “Njeriu që nuk përtonte të ngrihej nga vendi, nuk vdiste kurrë urie” apo edhe shprehja: “Po fjete me qentë, do të zgjohesh me pleshta” …apo “faji dhe keqardhja lypin kohën e tyre”
Ajo theksoi shprehjen “Meshkujt më inferiorë kanë nevojë të bërtasin për të rënë në sy” ose ndryshe “Djemtë e pavlerë bëjnë shumë zhurmë”.
Sikurse na tregon, se ajo u rrit e mësoi për jetën gjithçka nga jeta e gjallesave në moçal (nëpërmjet tyre njihte njerëzit) si në shprehjen “Gjitarët meshkuj vijnë rrotull vetëm kur janë në afsh”
Kjo vajzë e pashkollë besonte se “Jeta e ndryshon fytyrën, po sytë mbeten një dritare nga e cila mund të shohësh të kaluarën”.
Apo “edhe në natyrë prindërimi është një vijë më e hollë nga ç’mund ta mendojë dikush”. Por, aty ka edhe një dashuri të madhe sa zemra i broftë nga dashuria e vjetër te dhimbja e braktisjes.
Aty ka lot, dhimbje, dashuri të fshehtë, emocione të përziera si tallaze të trazuara, dallgë të fuqishme, herë-herë mbytëse; po aty, ka dhe vrasje, hetime, pafajësi edhe pse faji ishte i mirëfshehur; abuzime deri në përpjekje për përdhunim të asaj që quhej si dhelpër e dalë nga kafazi….Ama, ka dhe martesë, jetë derisa në moshën 64 vjeçare vdes e bukur si dikur ajo, Kaja, e cila vdiq e qetë në varkën e vet….aty ku edhe jetoi për më shumë se 50 vjet…..
Ky liber ështe magji…..nuk di nëse e keni lexuar; do mund ta lexoni, po une ua këshilloj shumë sepse mua më dha një botë të gjallë përpara që e jetova, u kënaqa dhe dua ta rijetoj sërish me thjeshtësinë e bukurinë që veç natyra të fal.
Nuk di nëse do të mund të lexoj dot më një libër kaq të bukur!!!!!!!!!
Librin e gjeni online tek Bukinist.al
Për më shumë, na telefononi: 044508282 ose na shkruani tek: info@bukinist.al
Pershkrim mahnites per nje liber qe duket se eshre i afte te ngjalle emocione te tilla te thella.Libra dhe lexues te tille me nivel jane te rralle😍