Përshtypje rreth librit “Kohë për rrëfim, – Kadare dialog me Alda Bardhylin”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Onufri
Albert Gjoka
Për një shkrimtar, mënyra më e mirë për të komunikuar me lexuesin padyshim që mbetet vepra. Çdo formë tjetër komunikimi konsiderohet e tepërt. Por, ka shkrimtarë që nxiten apo ju pëlqen që të shpjegohen për veprën apo procesin e krijimit, qoftë edhe përmes intervistave, bisedave, ditareve, kujtimeve apo edhe librave të natyrës eseistike.
Të dhëna të tilla e joshin lexuesin, sidomos lexuesin e specializuar, i cili është gjithmonë në kërkim të karremave për të ndërtuar mekanizmin e argumentimit rreth një teksti.
Mes shkrimtarëve që janë të pasionuar pas bisedave veçohet Jorge Luis Borges, Ernesto Sabato, të cilët e kanë kthyer në art ligjërimin bisedor. Edhe Ismail Kadare mbetet një prej bashkëbiseduesve brilantë, i cili nuk i shmanget këtij “trualli të pabesë” si siç thotë edhe vetë, “goditet në mënyrë të pabesë”. Kushdo që ka lexuar librat që sendërtohen mbi një stil të tillë, është pasionuar më shumë edhe pas veprës së Kadaresë dhe ka pasur një kureshti që të lexojë libra të veçantë, sipas nxitjeve apo kureshtive që ka gjetur në ato biseda. Kjo nuk lidhet me faktin se vetë autori i përdor raste të tilla për të promovuar librat e tij, por, sepse Kadare e konsideron bashkëbisedimin një lloj arti të veçantë, të ngjashëm me esenë, – një lloj krijimi specifik, përmes të cilit shkrimtari përmes dialogut komunikon me lexuesin në mënyrë edhe në mënyrë estetike, për të përcjellë një mesazh me vlera të shumëfishta. Bashkëbisedimet e tij në vepra si “Dialog me Alain Bosquet”, “Tri biseda me Kadarenë” të Eric Faye dhe së fundi “Kohë për rrëfim – dialog me Alda Bardhylin”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri” janë të tillë, të cilat shpalosin vlerat e shumëfishta të Kadaresë si shkrimtar, si eseist apo edhe si një intelektual me ndjesi të forta që reagon për fenomene, ngjarje dhe procese që na shqetësojnë të gjithëve.
Këto libra nuk janë thjeshtë dëshmi, por edhe refleksione, sqarime dhe saktësime për kontekste që kanë lindur vepra; që sjellin informacione që mund të kthehen në artefakt për studiuesit e teksteve si dhe iu vijnë në ndihmë lexuesve të grup-moshave të ndryshme për të kuptuar më mirë përmasën e shkrimtarit në diktaturë dhe raportin e ndërlikuar të artit me autoritarizmin.
Por, besoj se dy librat “Dialog me Alain Bosquet” dhe “Kohë për rrëfim – dialog me Alda Bardhylin” do të mbeten referenciale, njëherësh, do të shërbejnë si dëshmi/rrëfime të vetë Kadaresë për veprën e tij, dhe për raportin me çdo gjë tjetër. Thuajse të dy librat rrokin të njëjtat tematike, por tek “Dialog me Alain Bosquet”, bashkëbiseduesi është një autor i huaj, – francez, – poet i shquar, fitues i shumë çmimeve poetike, por njëherësh edhe njohës shumë i mirë i zhvillimit të letërsisë dhe arteve në Lindjen komuniste: Tek libri “Kohë për rrëfim”, bashkëbiseduesja është studiuese dhe njohëse e veprës së Kadaresë, e cila e kapërcen murin që ngre shkrimtari, dhe arrin që ta pyesë për gjithçka.
Gjithsesi, përmes librit të fundit, Kadare konfirmon shumë qëndrime apo pohime; zgjeron më tej shumë çështje të cilat i ka cekur më herët dhe që ende sot ngjallin debate, njëherësh thotë edhe gjëra të reja të cilat i vlejnë lexuesit të veprës së tij dhe më tej.
Nga “rrëfimi” i vitit 1994-95 deri tek “rrëfimi” me Alda Bardhylin, konstatohet një koherencë në qëndrimet e Kadaresë, paçka se të dy intervistuesit e tij e shohin nga këndvështrime të ndryshme bashkëbiseduesin: Nëse Alain Bosquet ka një sens të fortë analitik dhe krahasues, teksa e vëzhgon nga larg, Alda Bardhyli ka një fokus më të afërt, ku krahas të tjerave, tenton të marrë përgjigje konkrete.
Lexuesi i këtij dialogu ka shumë ç’të mësojë, edhe falë këmbënguljes së dialogueses, për të marrë informacione konkrete për jetën e Kadaresë, rininë dhe vitet e studimeve në Rusi, për procesin krijues të shumë prej veprave të tij, mbushur me informacione për kontekstet përkatëse, për raportet me personazhet konkrete; me politikanë (Enver Hoxha, Mehmet Shehu) apo shkrimtarë, për ngjarje të rëndësishme (ekzili në Francë), për marrëdhëniet me vendet (Kosova, Rusia, Kina), etj. Tek biseda “Kohë për rrëfim” Kadareja, tashmë me mbi 85 vite moshë, në një fazë thuajse mistike, dhe me mundësi gjithnjë e më të pakta për të folur publikisht, Kadare vjen me një përqasje për të qenë më i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Duke qenë i bindur se disa prej gjërave që ka thënë, do të mbeten si “gur” kufiri për qëndrimet e tij edhe përtejletrare, dhe që, mbase do t’i nënshtrohen filtrit të verifikimit apo debatit nga ata që konsiderohen kundërshtarë të pikëpamjeve të tij, Kadare ka artikuluar në këtë libër qëndrime të cilat do të mbeten pika referenciale në të ardhmen. Së pari, qëndrimi moral i tij në raport me diktaturën dhe shkrimtarët gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX: “Unë nuk kam asnjë gjë për të fshehur nga biografia ime. Nuk kam as ndonjë gjë që të më vijë turp, sepse unë nuk kam marrë në qafë asnjë njeri në botë” (f.240). Ky është një standard moral i fortë të cilin shumë prej shkrimtarëve apo kritikëve të tjerë të periudhës së realizimit socialist nuk e kanë bërë deri më tani.
Padyshim, pika më kritike mbetet raporti i veprës së Kadaresë me metodën e realizmit socialist, ku ka ende një debat të nxehtë rreth kësaj çështje: Për një lexues të vëmendshëm, për një studiues apo njohës së procesit krijues, për një njohës të metodës së realizmit socialist, vepra e Kadaresë është pak ose aspak socrealiste. Vetë Kadare ka një qëndrim të prerë kur thotë se “letërsia e realizmit socialist, në kuptimin e keq të fjalës është një letërsi që duhet ndërruar në çdo rresht. Fryma e saj është e kundërt me humanitetin, me shpirtin njerëzor dhe prirjen njerëzore të të jetuarit” (f.110). Edhe në këtë rrëfim, ai tregon përpjekjen për mbijetesë të shkrimtarit përballë sistemit. Metoda e të shkruarit kishte një morfologji të sajën; me personazhin pozitiv dhe negativ, me mënyrën e tipizimit të personazhit, me tematikën të diktuar nga lart, me përshkrime psikologjike të kontrolluara, me një linjë të përcaktuar ideologjike, me kritere të rrepta të sjelljes së rrëfimtarit, – pra, në thelb metoda synonte ta asgjësonte autorin si individ dhe ta kthente artin në propagandë bajate. Padyshim, vepra e Kadaresë shërben si një histori e pazakontë sesi mund t’i shpëtojë kthetrave darës së fortë të metodës socrealiste, vetëm falë talentit dhe mjeshtrisë së tij.
Një tjetër standard moral që kërkon të vendosë Kadare është edhe fakti se nuk e ka ndryshuar asgjë në tekstin e veprës së tij pas viteve ’90, një çështje që ka ngjallur debate dhe që do t’ju mbetet “tekstologëve”. “Po e them me një përgjegjësi të lartë morale që nuk ka asnjë vepër të ndryshuar për ta përshtatur me kohën, apo për të mos e përshtatur me një kohë”(f.109).
Ky rrëfim i duhej lexuesit, – sidomos lexuesit të specializuar që analizon tekstet e Kadaresë, – dhe aq më tepër, lexuesit në moshë të re, i cili ka një receptim shumë herë më të gjallë me veprën e tij, pasi është i çliruar nga grackat ideologjike dhe de/formimi estetik i realizmit socialist. Horizonti i pritjes do të jetë më dinamik, edhe falë lexuesit të së nesërmes që pritet të ketë vepra e Kadaresë. Këtij lexuesi i mungon dhe do ti mungojë konteksti në të cilin jetoi shkrimtari, por më së shumti, marrëdhëniet e artit me autoritarizmit, në betejën e ashpër të shkrimtarit për t’i mbijetuar sistemit komunist. Kjo përvojë e pazakontë mund të shërbejë për të gjithë që të mos përsëritet për keq historia e një vend si Shqipëria, dhe përmes fuqisë ndikuese të vetë letërsisë, të kemi një Shqipëri më të mirë nesër. Edhe këtë mision e përmban në vetvete letërsia e mirë, – aq më tepër, vepra e Ismail Kadaresë.
Ky artikull eshte botuar me date 3 mars 2021 ne gazeten PANORAMA
Librin e gjeni online tek BUKINIST.AL botuar nga Onufri