Shes Votën për çdo parti që ofron më shumë, të dëshmuar me fotograf dhe mund të siguroj shumë të tjera!
Mos u çudisni! Tani online shitet gjithçka. Rrezik edhe kjo është duke ndodhur, por jo nga unë!!!
Kjo është gënjeshtra ime për 1 Prill, për t’ju treguar një histori të shkurtër se si ju që mund ta blini apo ta shisni votën jeni arsyeja e çdo pengese që qytetërimi ka për të avancuar, duke përfituar të gjithë.
Përse ti je problemi?
Me të drejtë do të thoni përse tregohem kaq agresiv duke ju bërë fajtor të progresit të njerëzimit kur ju as nuk kandidoni për tu zgjedhur. Jeni thjesht një njeri pa ndonjë vlerë të madhe në këtë sistem.
Por, në fakt, unë mendoj që ju jeni problemi. E si mundet që të fajësoj kryetarin tuaj, kur ai është thjesht një njeri, i cili, lehtësisht, si çdo njeri tjetër, verbohet nga pushteti dhe pasuria e fituar nëpërmjet mijëra ushtarëve që janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të jenë afër tij. Kryetari juaj, si shumë njerëz, ka të metat e tij; mund të jetë mashtrues; mund të jetë arrogant, mbase hajdut, apo edhe vrasës në raste ekstreme. Por, ai nuk i bën veprimet në shkelje me rregullat tona pa ju që i shisni apo i blini votat: Personalisht, jeni ju ushtarët e tij që i bëni këto gjëra; kryetari juaj nuk blen vota; jeni ju që i blini për të; kryetari juaj nuk firmos kontrata apo nuk jep tenderë për të përfituar lekë; jeni ju që e bëni, vetëm e vetëm që të jeni afër tij.
E si mund të fajësohet kaq lehtë dikush që fiton pushtet absolut ose miliarda lekë, pa kryer ai personalisht veprimin final, ai thjesht kërkon dhe të tjerët ia servirin me besim të plotë! Ndërkohë që veprimin final për të, e bëjnë të tjerë individë që për servilizëm, për një copë bukë apo shumë më pak lekë se ai vjedhin dhe blejnë vota dhe pas tyre gjithçka të jashtëligjshme si to?
Nga ana tjetër, ju sigurisht që jeni fajtori, sepse jeni gjithë ditën duke u ankuar për mungesë lekësh, për padrejtësi, e gjëra të këtij soji, dhe kur ju vjen rasti ta bëni atë padrejtësi nuk hezitoni, por e justifikoni veten duke thënë janë urdhrat e kryetarit… E çfarë mund të bëj unë për të!?
Si mundet të mos ju bëj fajtor kur ju përfitoni kaq pak dhe shkaktoni kaq shumë dëm dhe prap, edhe nëse nuk vidhni drejtpërdrejt, luftoni me argumente dhe bindje të fortë për kryetarët tuaj si prijësit e mirësisë dhe mirëqënies, duke i legjitimuar në pangopësinë e tyre; duke i bërë të pagabueshëm; duke i bërë aq të fuqishëm sa të mund të drejtojnë ushtri të pafuqishmish si ju….
Të gjithë e bëjnë, pse jo unë!
Por, ju mund të thoni: Ky është realiteti; kështu veprojnë të gjithë; kush jam unë që ta ndryshoj rrjedhën e ngjarjeve dhe realitetin?! Eh sa e vështirë është të argumentohet kjo gjë; aq e vështirë sa ju bën që gjithë këtë çmenduri ta konsideroni si të vetmin realitet.
Në fakt, siç ka thënë edhe dramaturgu i shquar Uilliam Shekspir, “nuk ka asgjë të keqe dhe të mirë, por janë mendimet tona që i bëjnë të tilla”. Në rastin konkret, kjo nuk do të thotë të bëni sikur gjërat janë mirë dhe të lini realitetin të katandisur kështu pa u përballur me të. Kjo do të thotë që nuk janë qeshjet e kryetarit, apo pushteti i vogël që kryetari të jep si të vetmet kënaqësi, por është edhe familja jote, janë miqtë tuaj, janë veprimet tuaja në komunitet, – sado të vogla e pozitive qofshin, – të cilat mund t’ju japin një jetë të begatë dhe të plotësuar.
Por që nuk mund ti kesh dot të dyja; edhe kryetarin, edhe familjen vendimtare në përzgjedhjen e moralit tuaj. Dhe, ju zgjidhni kryetarin sepse jeni të dobët.
Të ndjekësh urdhërat dhe të bësh si të tjerët është më e lehtë se të heqësh tundimin e fitimit të shpejtë apo të padrejtë për të ushtruar parimet dhe vlerat të cilat, në fund do u japin më shumë lumturi dhe aspak mjerim dhe vuajtje.
Aktualisht, ka shumë që kanë zgjedhur të jenë të lumtur dhe i kemi mes nesh çdo ditë. Kanë zgjedhur të ndihmojnë të tjerët duke fituar të gjithë. Ata janë të fortë që kanë mposhtur emocionet negative, që në shumë besime i quajnë “ndjenjat e djallit”, nuk është e lehtë ti rezistosh djallit.
Me sa duket, ti nuk je aq i fortë dhe bie lehtësisht pre e tundimit, e fitimit afatshkurtër, e fitimit në kurriz të tjetrit dhe vuan pasojat në realitetin tënd të pavërtetë dhe fasadë, të cilin kryetari jot di ta manipulojë lehtësisht. E bukura është që ti e ke në dorë; ti e blen dhe e shet votën në fund; ti ke në dorë të sakrifikosh pak për një lumturi afatgjatë, që të mbush jetën me gëzim dhe arritje, apo t’i dorëzohesh tundimit për një kënaqësi të shpejtë, afatshkurtër, e cila nuk të ngop asnjëherë.
E ka fajin kundërshtari!
E si mund të rrish rehat kur kundërshtari jot është kaq i keq. Shikoni, ai blen votën; ai shet votën; ai bën korrupsion dhe ai shkatërron shtetin. Si mund ta lejoj ta bëjë këtë gjë, unë duhet ta luftoj si ai po lufton?
Në fakt, duke e luftuar në armët e tij, ti jo vetëm që e lejon, por ia shton fuqinë. E kush do ishte një luftëtar i etur për gjak mes një qytetërimi njerëzish paqësor? Sigurisht, do të ishte i papranueshëm për shoqërinë. Ndërkohë, një luftëtar mes egërsirash dhe njerëzish që fokusin e kanë tek konflikti do bëhej mbret. Nëse ju kundërshtoni realitetin, aty ku kundërshtari nuk është i fortë, jo vetëm që mund të fitoni, por do e bëni kundërshtarin të bëjë lojën tuaj: Nëse më shumë njerëz nisin edhe tregojnë sa të mirë janë të tjerët që duan pushtet, do bëhen si të mirë dhe lufta do të kthehet në kahun tjetër se kush bën më shumë më mirë. Por, nuk ndodh kjo nëse ti vazhdon edhe bën lojën e kundërshtarit të padrejtë.
E kush jam unë të ndryshoj gjë?!
Në fakt, ti ke pak shanse ta ndryshosh jetën time. Madje, e gjithë politika shqiptare, mua pothuajse nuk më ndikon fare sepse jam vetëm unë që kam kontroll ndaj vetes time; askush tjetër. Kurse ti, – ti ke mundësi të ndryshosh diçka të shenjtë për ty: Dhe ajo është vetja jote, – e vetmja pasuri që ke në dispozicion dhe kontroll. Nëse nuk të pëlqen apo nuk je i fortë të ndryshosh veten, si mund të duash të ndryshosh tjetër?
Mos vallë e ke të vështirë ta ndryshosh sepse kjo kërkon sakrificë dhe kohë që të tejkalosh kënaqësitë e momentit, që kryetari jot ua siguron kaq lehtë?
Për kë do të votoj unë?
Në fakt, unë nuk ia u them se për kë do votojmë deri sa ta kuptoni që nuk jam armiku juaj. Nëse do të filloni ta kuptoni që votojmë për të mirën tonë të përbashkët, do të ishte më e lehtë të diskutonim për mendimet e kundërta. Nëse mendon se votoj për të të luftuar ty, atëhere nuk është çudi që ti të vazhdosh të luftosh me këdo që nuk ka mendimin tënd.
Ju lutem, bëhuni pak të guximshëm dhe tejkaloni instiktin për të fituar shpejt, për tu kënaqur shpejt apo për tu drejtuar nga dikush që nuk respekton normat tuaja: Le te bashkohemi të gjithë për të ndihmuar njëri tjetrin pa i shkaktuar probleme askujt, e vetmja formë është ta fillojmë nga vetja.