Përshtypje mbi librin “Dy vjet, tetë muaj dhe njëzet e tetë net“, të shkrimtarit të mirënjohur Salman Rushdie, përkthyer nga Ilir Baçi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Dudaj
Sheila Kavaja
Të gjithë ne kemi xhinde në kokë. Ato na shoqërojnë dhe u japin hov ideve, imagjinatës, arsyes, dashurisë dhe urrejtjes. Ky libër ishte prezantimi im me Rushdie-n dhe e them me bindje të plotë qe i ka hapur një derë të madhe kuriozitetit dhe dëshirës për ta eksploruar më tej punën e tij. Një libër që më çoi në udhëtime nëpër botë përrallash me xhinde nëpër shishe dhe në tokë të largëta imagjinare.
Rushdie është mjeshtër në përdorimin e fjalëve; duket sikur nuk ka fund “thesi i tij” me fjalë dhe figura letrare. Ai mendon që në shekullin në të cilin jetojmë po ndodhin çudi e fenomene të rralla, gati të mbinatyrshme e këtë po mundohet të na e shpjegojë duke përdorur me mjeshtri satirë e përralla të vjetra me personazhe të një tjetër kohe.
Duke u munduar të bëj një përmbledhje të historisë dhe ndjesive që më përcolli; bllokohem, shkruaj, rilexoj, mendohem një hop dhe mezi arrij t’i përzgjedh fjalët dhe shprehjet. Ndihem sikur ky “thesi im” qenka gati bosh në krahasim me larmishmërinë gjuhësore që më është shpalosur përpara gjatë kësaj jave (kaq m’u desh që të lexoja romanin). Një turli-llojshmëri historish dhe personazhesh që kërkon shumë durim dhe vëmendje nga lexuesi ndërkohë që kalon faqet.
Përpara se të lexoni librin, duhet të dini që bëhet fjalë për histori pas historie, në një vorbull kohësh dhe personazhesh nga të cilat aty futesh, pastaj ikën dhe futesh në historinë tjetër, nga një dimension kohor kalon në tjetrin.
Historia hapet me një mbishkrim që ndodhet në pikturën e Francisco de Goya, ku thuhet: “Fantazia e braktisur nga arsyeja pjell përbindësha të paimagjinueshëm; por kur i bëhet krah arsyeja, atëherë është mëma e arteve dhe fillesa e mrekullive të tyre”.
Ndodhemi mes dy botëve: Peristani ose bota e xhindeve, e ndarë nga toka e njerëzve. Aty koha rrjedh ndryshe; xhindet jetojnë mes xhevahiresh dhe luksit, perversiteti dhe aktivitetesh seksuale të pafundme. Kjo jetë për shumë prej tyre bëhet monotone dhe e mërzitshme, prandaj ato shpesh zbresin poshtë dhe argëtohen duke bërë proçka dhe lëmshe në jetët e njerëzve të vdekshëm të zakonshëm.
Portalet që i lidhin këto dy botë kanë shpesh plasaritje, nëpërmjet të cilave kalohet nga njëra anë në tjetrën. Personazhet kryesore janë: Princesha Dynja e Rrufeve, bijë e mbretit të Peristanit e cila dashurohet me Ibn Ruzhdiun, një filozof Aristotelian nga Andalucia. Prej kësaj lidhje lindin me qindra fëmijë, nga 19 përnjëherësh, gjysmë njerëz dhe gjysmë xhinde që kanë të gjithë një tipar dallues të përbashkët: janë të gjithë pa bula veshi. Pasi filozofi e braktis Dynjanë, portalet mbyllen për të mos u hapur për 1000 vjet, deri nga ku e merr fillimin katrahura e kësaj përralle me përralla.
Tani në kohët moderne, njerëzimi është i kërcënuar nga një sërë fenomenesh: korrupsioni i dallueshëm nga shfaqja e puçrrave të qelbëzuara në fytyrë, rënia në dashuri me çdo femër që të del përpara, çrregullimet gravitacionale etj.
Të gjitha këto nuk janë veçse metafora të thëna me doza humori për çdo gjë që realisht po ndodh në planet: ndryshimet klimatike, varësia nga rrjetet sociale, lufta, korrupsioni, krijimi i një jete fiktive dhe sipërfaqësore.
Xhindet tanimë janë liruar nga shishet dhe duan ta shkatërrojnë botën e njerëzve, dhe këtu fillon lufta. Nga njëra anë është Dynjaja që udhëhiqet nga instinkti i saj prej nëne që do të mbrojë të gjithë bijtë e saj pa bula veshi dhe nga ana tjetër janë katër armiqtë e saj të tmerrshëm, të gjithë xhinde meshkuj që duan të shkatërrojnë botën e njerëzve.
Kemi plot përbindësha në këtë roman që ndoshta, po ta mendosh mirë nuk janë të gjithë pjellë imagjinate. Kjo luftë është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. E mira lufton me të keqen. Një grua lufton kundër katër burrave, një luftë patriarkat-matriarkat me të cilën përballemi çdo ditë.
Personazhi që spikat më shumë dhe ndihmon Dynjanë është zoti Xheronimo, kopshtari nga Bombay, i thjeshtë, i përulur dhe shumë vital, i cili ka filluar të ngrihet nga toka
Pasi kjo luftë mbaron, katapultohemi 1000 vjet përpara, në një kohë tjetër. Jeta përshkruhet e lirë nga smira, konfliktet, korrupsioni. Jemi në një botë ku jeta është e qetë, me shpirtmadhësi, tolerancë dhe respekt për Tokën. Një botë të cilën do ta ëndërronim të gjithë apo jo?! Por në këtë botë, që nga mbyllja e portaleve lidhëse me Peristanin, njerëzit kanë ndaluar së shikuari ëndrra.
Tani në gjumë ka vetëm errësirë. Pra, ky na doli çmimi që duhet paguar për paqen, tolerancën, mirëkuptimin.
Me sa duket, autori imagjinon që njerëzit e kënaqur duhet të privohen nga fantazia, ëndrrat, vizionet. Vetëm ashtu mund të arrihet qetësia, paqja, mirëkuptimi. Njerëzimi nuk arritka dot të përdorka dhuratën e ëndërrimit pa futur të keqen, dëshirën për luftë e shkatërrim.
Prandaj dhe mendoj se ne nuk na pëlqen një jetë e qetë, e avashtë, pa konflikte. Jemi dhe ne si xhindet, mërzitemi dhe duam të bëjmë rrëmujë. Ne nuk do arrinim ti shtynim netët pa vizione, me drita të fikura, nuk do gjenim kënaqësi në gjëra të tjera.
Në qoftë se vërtetë kemi një xhind të mirë e një të keq nëpër dy shpatullat tona, me sa duket vetëm ai i keqi qenka ai përgjegjësi për fantazitë, imagjinatën dhe ëndrrat tona. Pra vërtet mungesa e arsyes pjellka përbindësha.
Materiali eshte marre nga faqja zyrtare e Botime Dudaj
Librin e Salman Ruzhdie e gjeni online tek BUKINIST.AL