Bukinist shpall 6 librat me te mire te vitit 2020

best-sell

best-sell

Përgjatë dy muajve janë zhvilluar votimet online në blogun Leximtari për të zgjedhur librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2020. Në gjashtë kategoritë e përzgjedhura: libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i zhvillimit personal, ekipi i Bukinist.al kishte përzgjedhur 7 prurjet më të mira të vitit të kaluar në secilën prej kategorive. Votimi është zhvilluar deri më 2 prill 2021 për kategorinë e librit për fëmijë dhe deri më 22 prill 2021 për pesë kategoritë e tjera. Çdo votues kishte të drejtën e votimit një herë tek Leximtari.

Në përfundim të votimit janë shpallur këta fitues, sipas kategorive përkatëse.

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – KATEGORIA PËR FËMIJË

“Fani në kërkim të dritës” nga Rovena Rrozhani

fani-ne-kerkim-te-drites

Në botën e pyllit, një mbretëri xixëllonjash është gati për natën e xixëllimit. Mes mijëra xixash dhe xixushësh është Fani, një xixë që pret të bëhet xixëllojë. Krejt ndryshe nga sa e priste, nata e xixëllimit nuk ishte për të. Fani niset në një udhëtim plot aventura për të gjetur dritëzën e humbur, e teksa kërkon me këmbëngulje të ndryshojë jetën e saj, ndikon në jetën e të tjerëve dhe të një qyteti. Një përrallë për besimin në vete, këmbënguljen për të bërë realitet ëndrrat, pavarësisht sa ndryshe mund të jesh nga të tjerët.

Ilustrimet: Artur Dauti

Botuesi: Mediaprint

ISBN: 9789928084422

Nr. faqe: 32

 

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – POEZIA SHQIPE

“Imoralisti” nga Artan Gjyzel Hasani

imoralisti

“Imoralisti” është ftesë për një rrugëtim poetik në anën tjetër të së Vërtetës, një rrugëtim i gjatë nëpër tema të nxehta që nuk durojnë veshje të tepërta të shpirtit. Poezitë e këtij libri synojnë mesazhe të kundërta me moralizimet e dyshimta të epokës në të cilën jetojmë. Autoironia, sarkazma dhe cinizmi, mbeten edhe në këtë vëllim të ri poetik tipare dalluese të penës mjeshtërore të këtij autori. Depërtimi me guxim në thellësi të qenies njerezore, vetes dhe tjetrit, skanon shoqërinë dhe marrëdhëniet tona me njëri tjetrin, raportet tona me të “vërtetën zyrtare” të shpirtit dhe qënies.

Botuesi: Botimet M & B

Nr. Faqe: 96

ISBN:  9789928307569

 

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – ROMANI SHQIP

“Biri” nga Flutura Açka

biri-requiem-per-mr-j

Ky vetërrëfim shkon në zemër të lidhjes së epërme Mëmë-Bir dhe është një thirrje për ruajtjen e shkëlqimit të kujtimeve, si e vetmja pasuri që ka vlerë për prindër me fat si të sajin. Ajo hulumton zinë, si një proces i gjatë dhe përcaktues i jetës pas ikjes pa kthim të fëmijës, merret me identitetin e jetës mes dy kulturave ku endet jeta e saj dhe hyn në thellësitë metafizike të humbjes, pa e kthyer atë në një përqarje mbytëse për lexuesin.

Botues: Skanderbeg Books    

ISBN 9789928221377

Nr. Faqe: 368

 

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – ROMANI I PËRKTHYER

“Fate dhe shtrëngata” nga Lauren Groff

fate-dhe-shtrengata

Me një stil të shkruari tejet të thellë dhe të shkëlqyer, Lauren Groff ka arritur t’i japë mjeshtëri rrëfimtare asaj që mund të lexohet si një pjesë teatrore, si një tragjedi e vënë në jetë nga dy personazheve të shkëlqyer; sepse çdo histori ka dy anë, ndërsa çelësi i një martese nuk është e vërteta, por sekreti.

Ky libër është historia e një martese, e ulje-ngritjeve të saj dhe sakrificave të ndryshme të çiftit, i enigmave që qëndrojnë prapa suksesit dhe dëshirës së pashtershme për të bashkëjetuar në sintezë ekstreme. Është rrëfimi i një marrëdhënieje njerëzore ku njerëzit përpiqen ta jetojnë plotësisht jetën e tyre, por që asnjëherë nuk është e lehtë. Ky është një libër që e ekspozon jetën pa e identifikuar domosdoshmërisht me personazhet e tij, që kërkon një hapje mendore ndaj ndjenjave të secilit prej nesh, të cilat shpesh janë të kundërta apo të pazakonta. Ai është një zhytje në jetën e një çift modern, një histori dashurie që na tregon se sa pak e njohim ne gjysmën tjetër dhe se jo gjithmonë është e mundur t’i njohim plotësisht njerëzit tanë më të afërt.

Përkthyese: Anja Cura

Shtëpia Botuese Dudaj 

ISBN: 9789994306206

Nr. Faqe: 468

 

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – LIBRI NON-FICTION

“Rebelet, besimtarët, të mbijetuarit” nga Noel Malcolm

rebelet-besimtaret-te-mbijetuarit

Ky nuk është vetëm një botim historik për lexuesit e interesuar në historinë e Evropës Jug-Lindore. Në të përfshihen çështje të të gjera si: konvertimi fetar, “kriptolishtërimi” mes myslimanëve, metodat e skllavërimit brenda Perandorisë Osmane dhe natyrën e krijimit të mitit modern për identitetin kombëtar.

Studimet e paraqitura në këtë vëllim nga një prej ekspertëve kryesorë të botës mbi historinë shqiptare, variojnë nga shekulli i pesëmbëdhjetë deri në të njëzetin, duke fokusuar politikën, historinë shoqërore, fenë dhe diplomacinë.

Përkthyes: Ana Haxhi, Enes Lekiqi

Botues: Artini – Prishtinë

ISBN: 9789951803533

Nr. Faqe: 936

 

  1. LIBRI MË I MIRË I VITIT 2020 – LIBRI I ZHVILLIMIT PERSONAL

“Lideri nuk lind… bëhet” nga Iris Halili

lideri-nuk-lind-behet

Ky libër vjen në dorën e lexuesit si një përmbledhje esenciale studimesh disavjeçare të autores, të fokusuara veçanërisht në tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve. Lideri i suksesshëm nuk lind, por behet, pasi ndershmëria, karakteri, dëshira për ndryshim apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe përcaktojnë fatin e vetë liderit apo të ndjekësve të tij.

Shtëpia Botuese Dituria

Nr. Faqesh: 96

ISBN: 9789928292643

SHËNIM: Në secilën nga kategoritë përkatëse gjeni edhe rezultatet e votimit për çdo libër. Gjashtë librat e përzgjedhur nga lexuesit gjatë votimit online do të jenë në fokus të promovimit nga Bukinist gjatë gjithë vitit 2021.

Librat i gjeni online tek BUKINIST.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *