Mbyllet me sukses Festivali i Librit – Bukinist 2021, i zhvilluar më 2 – 30 prill 2021. Rreth 90 autorë, përkthyes, lexues dhe studiues të ftuar në bisedat online. Mbi 900 mijë ndjekës u përfshinë, komentuan dhe bënë pyetje në rrjetet sociale të Bukinist. Ky festival, gati për tu kthyer në traditë gjatë muajit prill për të festuar Ditën Botëre të Librit
Për herë të parë, platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al ka organizuar një festival virtual, me fokus autorin dhe përkthyesin, duke ndërmjetësuar takime virtuale me lexuesit e librit shqip. “Festivali i Librit – Bukinist 2021”, i drejtuar nga Albert Gjoka, e mbylli aktvitetin maratonë 30 ditorë më 30 prill, duke ftuar rreth 90 autorë dhe përkthyes në takimet e tij virtuale. I nisur që më datën 2 prill, – pikërisht në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, – ky festival vuri në qendër të tij letërsinë për fëmijë, letërsinë shqipe me autorët e rinj dhe autorët e njohur tashmë, por edhe përkthyesit apo klubet e leximit.
Pjesa më e veçantë e këtij festivali ishte promovimi i letërsisë shqipe për fëmijë, ku ishin të ftuar autorë të njohur tashmë, si: Rovena Rrozhani, Edi Gogu, Rudina Çupi, Natasha Poroçani Shuteriqi, Anila Mullahi (Elezi), Iva Musaraj, Birgit Lushi, por edhe përkthyesit e Andersenit, Klodian Briçi dhe të serisë së Jeronim Stiltonit, Agim Doksani, etj..
Autorët që kanë dalë me vepra për herë të parë si: Liridon Mulaj, Suad Arilla, Besart Kadia, Ledion Krisafi, Serafina Hasanbelliu, Andreas Dushi, – ngjallën interesin e ndjekësve të Bukinist në të gjitha platformat dhe rrjetet sociale.
Ky festival rriti interesin e lexuesve duke bërë pjesë të tij autorë të njohur tashmë të letrave shqipe, si: Tom Kuka (Enkel Demi), Gazmend Krasniqi, Bashkim Hoxha, Mimoza Hysa, Granit Zela, Virion Graci, Behar Gjoka, Luljeta Lleshanaku, etj.
Pjesë e kësaj maratone ishin edhe autorët shqiptarë nga Kosova apo që jetojnë në diasporë. Romancieri Mehmet Kraja, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Azem Deliu, Albatros Rexhaj, por edhe autorë të njohur shqiptarë të diasporë si: Bashkim Shehu, Ardian Kyçyku, Artan Gjyzel Hasani, Ylli Demneri, Ardian Ndreca, Gazmend Kapllani, Luan Rama, të cilët ndan me ne veprat më të fundit dhe iu përgjigjen interesit të lexuesve.
Surprizë ishte edhe prania e romancieres italiane Stefania Auci, e cila u bë pjesë e komunikimit virtual me lexuesit shqiptarë, ku iu përgjigj interesit për romanin e saj, “Luanët e Siçilisë”.
Ky festival ishte një moment i veçantë për të shprehur mirënjohjen e thellë edhe për një plejadë të çmuar përkthyesish të letërsisë klasike apo bashkëkohore, ku ishin të ftuar: Prof. Dr. Ilia Lëngu, Dr. Diana Kastrati, Flavia Kaba, Diana Çuli, Mariana Ymeri, Oriana Tamburi, Anja Cura Jongari, Parid Teferiçi, Albana Nexhipi Lekaj, etj.
Mes të ftuarve ishin edhe autorë që kanë sjellë prurje apo përkthime në librat akademikë në fusha të ndryshme si Dr. Edvin Stefani, Prof. Dr. Ilia Kristo, Dr. Perseta Grabova, Dr. Rezart Prifti, etj.
Në fokus të promovimit ishin edhe klubet e librit, ku u soll një shembull i shkëlqyer i ngritjes së një klubi libri brenda kompanisë “ONE Communications” apo përvoja 13-vjeçare e Klubit të Librit Tirana, nën drejtimin e Zefjan Nikollit.
Përgjatë festivalit u shpallën edhe fituesit e çmimeve për librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2020, pas përfundimit të votimit online në kategoritë: Libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i zhvillimit personal.
Si asnjëherë tjetër, ky Festival mori mbështetjen e partnerëve strategjikë të Bukinist.al, si One Communications, OTP Bank, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, kompania Aladini, Ama Caffe, Tring dhe Business Magazine, të cilët e mbështetën këtë nismë për librin dhe leximin në një periudhë të pazakontë. Sigurisht, mirënjoha e pamatë i takon stafit të Aladinit, me drejtuesit Valer Pinderi dhe Spiro Naçi, por edhe drejtuesit e departamenteve Greta Harapaj, Elisena Domi, Albana Sejati, me ekspertët Henri Note e Shaban Saja, si dhe gjithë punonjësit që mundësuan shërbimin në kohë të shpejtë të dërgesave të librave për lexuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Rreth 900 mijë individë ishin të interesuar apo të përfshirë në rrjetet sociale të Bukinist në Facebook, Instagram dhe Youtube, si dhe adresuan pyetjet dhe komentet e tyre për autorët dhe përkthyesit e ftuar. Përgjatë muajit prill pat edhe oferta të shumta për lexuesit, të cilat shkuan deri në -60% për një pjesë të madhe të kategorive të librave, përfshirë edhe librin për fëmijë.
“Festivali i Librit – Bukinist 2021” arriti të ndërtojë një ndërveprim aktiv mes autorit dhe lexuesit, pas një periudhe prej më shumë se një viti ndërprerje të komunikimit mes tyre për shkak të pandemisë. Kjo festë e bukur, e mbështetur kësaj radhe nga partnerë të shumtë që ndajnë me ne filozofinë e promovimit të librit dhe leximit, shtron rrugën që muajin prill ta kthejmë çdo vit në një festival të bukur për autorët dhe përkthyesit tanë, duke kremtuar në mënyrë dinjitoze edhe Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, më 2 prill dhe Ditën Botërore të Librit, më 23 prill. Me kaq e mbyllëm këtë maratonë 1-mujore. Mirëutakofshim në prillin e vitit 2022!
Bisedat e zhvilluara gjatë Festivalit të Librit Bukinist 2021 i gjeni në kanalin e Bukinist.al në YOUTUBE