Nje liber ku imagjinata te argeton dhe te fut ne mendime

anila-ok

Përshtypje rreth librit “Në botën magjike të Henrit” të Anila Mullahit Elezi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi

anila-ok
Autorja Anila Mullahi Elezi ne takim me lexuesit e vegjel

vataDr. RovenaVata

Libri “Në botën magjike të Henrit” vjen si dhuratë për lexuesit e vegjël për festën e 1 qershorit. Ky botim është i përbërë nga 12 përralla të krijuara me shumë dashuri nga studiuesja dhe pedagogia e letërsisë, Prof.asoc.dr. Anila Mullahi për birin e saj, Henrin.

Këto përralla përcjellin jo vetëm dashurinë e një nëne për birin e saj, por dhe një ndjeshmëri të lartë artistike. Të gjitha përrallat e shkruara nga Prof. asoc. dr. Anila Mullahi kanëveçantinë e tyre, por njëkohësisht edhe një element të përbashkët që është dashuria me të cilën janë shkruar. Ato të ngelin në kujtesë dhe të lënë një shije tepër të mirë letrare, pasi ku ka ndjeshmëri fëmijërie dhe nga ana formale kanë stil.

Përrallat e Henrit janë ushqim për mendjen dhe shpirtin. Filozofi i lashtë grek Aristoteli thoshte se edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës, nuk është edukim. Dhe një fëmijë ka nevojë njëlloj për edukim; si të mendjes, ashtu edhe të zemrës.

Përralla është një ndër zhanret më të rëndësishme dhe më komplekse të prozës gojore. “Në botën magjike të Henrit” gjejmë një botë të pasur artistike, ku në të 12 përrallat nuk mungojnë tematikat dhe motivet universale, struktura e qëndrueshme kompozicionale për secilën përrallë, mbizotërimi i figurave të shumta letrare, qofshin ato të botës reale apo ireale.

Personazhet e përrallave të Henrit janë kryesisht heronj kulturorë, ku forca e tyre destruktive është gjithmonë kundërvënëse ndaj progresives. Studiuesja Mullahi në këtë libër ka shkrirë së bashku etnologjinë, psikologjinë dhe shkencën e letërsisë.

Në këto 12 përralla mbizotëron karakteri edukativ, pedagogjik dhe filozofik. Shohim një ekuilibrim të botës emocionale krahasuar me letërsinë për të rritur, përsa i takon kujdesit të veçantë në lëvrimin e këtij zhanri. Letërsia për fëmijë në vetvete është letërsi qëllimore, ku shpjegimi i fenomeneve natyrore bëhet përmes gjuhës së pasur artistike, e ku në të gjitha këto përralla mbizotëron vlera pedagogjike.

Përmes këtyre përrallave, autorja zhvillon aftësinë njohëse të fëmijëve, duke zgjeruar horizontin mendor të fëmijës dhe duke i mprehur atyre shijet estetike.

Duke marrë parasysh se fëmijët janë të ndryshëm përsa i takon botës emocionale, përgatitjes pedagogjike, edukimit dhe kulturës familjare, studiuesja në këto përralla është një eksploratore, që kërkon të gjejë të panjohurën, të zbulojë të paditurën dhe të thotë të pathënën.

Një detaj tjetër që bie menjëherë në sy tek këto përralla është edhe skalitja e personazhit, aty jepen emra fëmijësh, të cilët janë protagonistë në ngjarje, si: Sibora, Henri, Heliosi, ku karakteri njohës arrihet vetëm duke i ndjekur në aventurat e tyre.

Autorja gjithashtu i kushton një kujdes të veçantë gjetjes së fabulës, si në përrallat: “Dhelpra e kuqe dhe vjedulla”, “Balloja e madhe nënujore”, “Ketri i vogël që mori sanduiçët e fëmijëve”, “Breshka dhe vajza”, “Kallamari gjigand dhe djali i vogël”, “Elefanti mëngjarash”, etj.

Subjekti i këtyre përrallave jep frymën e kohës, ku dallohet ndërtimi i fjalisë në mënyrë joshëse, fraza mbart magji artistike dhe një mesazh që del në fund të çdo përralle. Futja e elementeve si kjo është bërë për të dhënë idenë e kohës që ngjarjet ndodhin në kohën që ne jetojmë, pra në vitin 2021.

Përrallat janë të ndara në grupe si: përralla fantastike, ku subjekti shtjellohet duke kapërcyer kufijtë e reales: Përralla realiste, ku ka edhe elemente fantastike, por subjekti zhvillohet në një mjedis më afër me realitetin.

shenime
Autorja, Anila Mullahi Elezi duke dhene autografe per lexuesit e vegjel

Një element i rëndësishëm brenda botës së bukur të këtyre përrallave është loja: Përmes saj, fëmijëve u pasurohet bota mendore dhe shpirtërore, u nxitet imagjinata dhe fantazia, si dhe dëshira për të qenë pjesë e atyre mjediseve, ku vetë ngjarjet zhvillohen gjatë rrëfimit të përrallës. Përmes lojës jepen konceptet e së bukurës, së shëmtuarës, së mirës, së moralshmes, deri edhe te loja artistike me tekstin.

Fantastikja është një tjetër element i rëndësishëm i përrallave të Henrit, ku përmes të mrekullueshmes dhe magjikes bëhet e mundur realizmi i dëshirave të pamundura, si dhe përmes fantastikes shprehet frika dhe pasiguria.

Trajtimi i raportit prindër-fëmijë, si në rastin e përrallës “Elefanti mëngjarash”, apo raporti gjyshër – nipër si në rastin “Djali që e shpëtoi Babagjyshi” bëhet si pa kuptuar pjesë e përrallave, ku më shumë e ku më pak.

Edukimi i fëmijëve me përralla, duke ruajtur frymën e kohës në të cilën jetojmë dhe zhvillimin teknologjik të botës, pasi këto përralla mund të përkthehen në çdo gjuhë të botës dhe çdo prind e fëmijë të gjejë veten në to.

Një tipar i rëndësishëm pothuajse në të gjitha përrallat është edhe njohja e konceptit të lirisë së vetes dhe lirisë së tjetrit, qëndrimi i njeriut ndaj njeriut, i njeriut ndaj kafshëve dhe ndaj natyrës.

Përmes përrallës, fëmijët kuptojnë edhe perceptimin për konceptet abstrakte si për të mirën, për të keqen, për gëzimin, për hidhërimin, për frikën, për pasigurinë, për të panjohurën, për vullnetin, për mirënjohjen, për të vërtetën, për të drejtën, për njerëzoren, për besimin, për bujarinë, për guximin, për respektin etj.

Të gjitha këto vijnë në një formë jo të sforcuar, por përmes një letërsie artistike, estetike, etike dhe didaktike. Duke ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe forcimin e personalitetit të një fëmijë, duke kultivuar vlerat humane.

Në këto përralla studiuesen e shohim herë në rolin mësimdhënëses, – konkretisht si në përrallën “Peshku marrok”, – herë në rolin e udhërrëfyeses, si tek përralla: “Breshka dhe vajza” e herë në rolin e nënës si tek përralla “Dhelpra dhe vjedulla” apo edhe në rolin edukues si në rastin e përrallës “Fshatari dhe kërmijtë.

Botimi i këtij libri është vlerë në panteonin e letërsisë për fëmijë, pasi shton në repertorin e kësaj letërsie vlera të shumëfishta, si vlerën pedagogjiko-edukative, didaktike, estetike, gjuhësore dhe vlerën artistike.

ne-boten-magjike-te-henrit

Librin Në botën magjike të Henrit të autores Anila Mullahi Elezi, botuar nga Pegi, e gjeni online tek BUKINIST.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *