Autoret shqiptare per tu lexuar gjate kesaj vere

vera-dy

Platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al dhe blogu Leximtari kanë përzgjedhur 12 romancierë dhe tregimtarë për t’i bërë pjesë të leximeve gjatë pushimeve verore

Letërsia shqipe është cilësore: Këtë gjë e thonë gjithnjë e më shumë lexuesit. Por, sfida më e madhe mbetet që një konstatim i tillë të përcillet tek sa më shumë lexues të tjerë; që përvojat e leximit të këtyre autorëve të ndahet edhe me të tjerët; dhe në fund, që të rekomandojmë secili prej nesh vepra të veçanta. Për një gjë jemi të sigurtë: sa më shumë lexojmë letërsi shqipe, aq më mirë e kuptojmë realitetin tonë dhe aq më mirë dimë të ndërtojmë raportet me të tjerët.

Pikërisht, për këtë arsye platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al së bashku me blogun Leximtari po rekomandojnë, duke pranuar edhe kritikat mbi autorët e përzgjedhur dhe duke i ftuar secilin prej lexuesve që të bëjë të njëjtë gjë.

Ne kemi përzgjedhur gjatë kësaj vere 12 autorë shqiptarë. Kjo përzgjedhje është bërë mbi kërkesat e lexuesve, sjelljen e lexuesit të specializuar, vlerësimet që kanë pasur autorët, dhe së fundi, bazuar edhe mbi shijet e atyre që i kanë përzgjedhur këto libra, si pjesë e Bukinist.al dhe Leximtari.al.

vera-okis

Për të shuar më tepër kuriozitetin e atyre që duan të ndjekin rekomandimet tona përgjatë këtij sezoni, ju ftojmë të ndiqni listën e mëposhtme:

  1. “Biri” nga Flutura Açka

biri-requiem-per-mr-j

Ky libër është shpallur nga lexuesit si romani më i mirë, i botuar gjatë vitit 2020 në platformën Bukinist.al dhe tek blogu Leximtari. Padyshim, është një nga librat më të kërkuar përgjatë 18 muajve të fundit. Romani nuk mëton të zgjojë dhembshuri, as të shpjegojë se sa e tmerrshme është vdekja, si “substanca” që ndërton pikëllim, por se sa tragjike është ta mbyllësh jetën në të ritë e tu të bukur, dhe më tej, se sa fatale është të mos dish ta jetosh atë edhe ashtu, të shkurtër nga fati. Ky “udhëtim” tronditës, më i vështiri i jetës së autores Flutura Açka, si qenie dhe si shkrimtare, është njëherësh një thirrje për vlerën e jetës dhe dashurisë njerëzore.

  1. “Kutia e Agatha Christie-t” nga Mira Meksi

kutia-e-agatha-christie-t

Mira Meksi, autorja e librit të suksesshëm “Diktatori në kryq”, me të cilin fitoi edhe çmimin vjetor për romanin më të mirë, dhënë nga Ministria e Kulturës, ka arritur të përdorë mjeshtërisht idiolektin e Mid’hat bej Frashërit të trupëzuar me gjuhën e mrekullueshme që ilustron kohën dhe vendin e ngjarjeve në këtë roman magjepsës.

Një dashuri e jashtëzakonshme feks në sfondin e errët të ngjarjeve politike në Shqipërinë e viteve 1923-27.

Nisur nga fakte të vërteta historike, Mira Meksi ka ndërtuar një histori mahnitëse dashurie të pavdirshme, brenda një thrilleri politik me suspens të fortë policor dhe me një tension të madh rrëfimtar.

Lojëra politike, interesa shoviniste, intriga agjenturore dhe tradhti të gjakta kërcënojnë jetën e të dashuruarve.

  1. Flama” nga Tom Kuka (Pseudonim)

flama

Tom Kuka, alias Enkel Demi, ka mrekulluar lexuesit e tij në këtë rrugëtim autorial me katër novela. Këto libra janë vlerësuar me çmime, ku pak javë më parë u vlerësua edhe me Çmimin Europian të Letërsisë.

Romani Flama risjell edhe personazhin e Di Himës, kryehetuesit të Tiranës, me të cilin lexuesi është njohur në novelën e parë “Hide mbi kalldrëm”. Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, mynxyra e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë.

I ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit.

Ky libër konsiderohet një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.

  1. “Historia si një mushkë” nga Besnik Mustafaj

historia-si-nje-mushke

Veçantia e këtij libri sipas shkrimtarit qëndron jo vetëm se ai rikthehet tek zhanri i novelës pas shume vitesh, por edhe vazhdimësia për të kuptuar rolin e individit në historinë shqiptare, e në këtë rast ai hulumton mbi origjinën e dhunës tek shqiptarët. Shkrimtari Besnik Mustafaj shprehet: “Në gjithë prozën time kam një përpjekje për të kuptuar rolin e historisë në jetën e individit shqiptar dhe sa kjo histori e ka përcaktuar individin shqiptar në temperamentin apo dramën e tij. Qasja ime për të kuptuar përmes imagjinatës se nga na vjen ne shqiptarëve një prirje dhune autodestruktive. Jam përpjekur ta vendos në kontekst që edhe lexuesi të ndjehet i kënaqur”.

  1. “Fluturimi i fundit” nga Brunilda Zllami

fluturimi-i-fundit

Botuesja Arlinda Dudaj, e njohur edhe si lexuese plot sqimë e letërsisë së mirë bashkëkohore, – qoftë shqiptare apo botërore e vlerëson romanin që ka botuar vetë, me këto fjalë: Brunilda Zllami vjen këtë herë me një libër tronditës, e rritur edhe më si shkrimtare, si një rrëfyese e rrallë në llojin e vet, duke na përcjellë emocione pa fund. Bukuria e këtij libri shfaqet më së shumti në pikturimin e personazheve, kaq të vërteta, sa të duket se i ke njohur ose janë te dhoma tjetër, që lidhen në histori e të rrëmbejnë në një udhëtim marramendës, duke jetuar ditë për ditë me ta, duke u përfshirë fuqishëm dhe duke ndjerë çdo emocion, dhimbje e dashuri të tyre, siç ndodh vetëm me librat e mirë”. Edhe ne, si Leximtar, mendojmë se kur lexon një autor, duhen hequr paragjykimet dhe duhet dhënë një mundësi tjetër për të shkuar më thellë asaj që sjell autorja.

  1. “Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha

kronikat-e-mjegulles

Bashkim Hoxha njihet si gazetar i emisionit Koha për tu zgjuar; sigurisht edhe si dramaturg, – por romani Kronikat e mjegullës do ta bëjë çdo lexues për të menduar se ky autor është një romancier i niveleve të epërme. Përmes historisë së ka sjellë autori, për një familje të pasur në tre breza dhe raportet që ata vendosin me të tjerët, ku përballë është jeta e vajze të varfër, – në përpjekjen për ti shpëtuar fatit tragjik ku e ka hedhur jeta, – vjen e gjithë historia e këtij vendi; me të gjithë dramaticitetin, komedinë dhe tragjedinë bashkë, ku filli i të vërtetës historike humbet, duke na u shfaqur si një mjegull. Askush nuk është në gjendje që të kuptojë të vërtetat dhe vlerat që lë pas historia e secilit prej nesh dhe e të gjithë bashkësisë tonë. Besoj se askush më mirë sesa Bashkim Hoxha nuk di ta ironizojë këtë dramë të madhe që kemi mes nesh.  Prandaj me të drejtë, romani është vlerësuar si një shtegtim i bukur narrative sesi ne shqiptarët të njohim më mirë vetveten.

  1. “Bijat e gjeneralit” nga Mimoza Hysa

bijat-e-gjeneralit

Romani “Bijat e gjeneralit” i autores Mimoza Hysa shfaq një kulturë të pjekur të autores në mënyrën sesi rrëfen, përmes njohjes së teknikave narrative, në thjeshtësinë e ndërtimit të ngjarjeve dhe thellësinë e depërtimit të dramës tonë në raportin me të vetveten dhe të kaluarën tonë.

Prandaj, ky libër sjell prurje interesante qoftë në aspektin tematik, edhe në atë narrativ. Përsa i përket temës së përzgjedhur, është ndër të paktët autorë shqiptarë që trajton raportin mes brezave në një periudhë kritike si ajo në kohën e komunizmit, dhe me një sens të fortë kritik për gabimet e të shkuarës.

Mjeshtrisht, autorja ka arritur të ndërtojë një raport distancues dhe të papajtueshëm mes brezave, brenda në një familje, ku autoriteti i prindit ka qenë absolut dhe ideologjia ishte më e rëndësishme sesa familja dhe dashuria. Si pakkush nga autorët shqiptarë, Hysa e shemb këtë mit.

Po ashtu, në aspektin narrativ, autorja ka ndërtuar një narrativë krejt të veçantë, përmes rrëfimit në vetën e dytë, – në formë bisedore mes Marsinës dhe Martinës, – dy personazhe të cilat janë dy forma të të njëjtit person. Në të dy aspekte, autorja ngjason shumë me mënyrën e ndërtimit të veprës si Agot Kristof, të cilën lexuesi shqiptarë e njeh përmes librit “Trilogjia e binjakëve”.

Ky roman sjell vlerë për çdo lexues, por sidomos për lexuesit e rinj, të cilët mund të mësojnë gjëra që nuk i kanë hasur apo dëgjuar nga jeta e prindërve apo të afërmve të tyre

  1. “Mos harro të më kujtosh” nga Liridon Mulaj

mos-harro-te-me-kujtosh

Ky roman ndërton mjeshtrisht historinë e personazhit të zakonshëm, – atij të rëndomtit, – që lufton për të mbijetuar. Ai nuk i shpëton fatalitetit të familjes dhe traditës së tij – pra nuk arrin që të çlirohet nga kthetrat e vuajtjes. Individi i shoqërisë periferike edhe rastësisht përfundon në viktimë. Këtë gjë e rrëfen me të gjithë dramacitetin e vet Liridon Mulaj në këtë roman.

  1. “800 hapa larg Venerës” nga Virion Graçi

800-hapa-larg-veneres

… “800 hapa larg Venerës” është rrëfim i jetës së Kristoforit nëpërmjet shpirtit të tij, pas vdekjes së parakohëshme. Shpirti ndahet nga trupi i tij dhe nis jetë të re në natyrë, nëpër shkurre, shtylla, pemë. “800 hapa larg Venerës” i Virion Graçit është rrëfim prekës, meditim i fuqishëm për jetën, humor i zi për dashurinë, për erosin, për vdekjen dhe përjetësinë.

  1. “Gruaja që deshe” nga Ridvan Dibra

gruaja-qe-deshe

Ridvan Dibra vazhdon të flasë në mënyrë të heshtur përmes veprës së tij, e cila është një reflektim i thellë i realitetit që shohim dhe jetojmë secili prej nesh, dhe i veshur me velin e rrëfimtarit të sprovuar postmodernist, – si pakkush në letrat shqipe.

Kur mbaron së lexuari tekstin “Gruaja që deshe”, një trishtim i lehtë si puhizë vjeshte t’i mbulon sytë në mbyllje, ngase pas një ngjarjeje të veçantë, e cila ia del ta thyejë përditshmërinë, i kthehesh prapë asaj, me pezmin e mbledhur në grykë që nga tash sërish gjithçka është njëlloj. Kështu, të vjen keq, mbasi për ndoca orë, ndoshta edhe ditë, mespërmes një tisi të hollë prej qelqi rrezja dritnuese e këtij teksti ka kaluar krejt e qetë jo për të hyrë në sy, por në zemër e, njëkohshëm, edhe në mendje. Të gjitha elementet e tekstit qëndrojnë në balancë: një floknajë e lehtë dëbore të mbështillet si pelerinë e akullt, por, sapo fillon të kesh ftohtë, ndihet flaka e oxhakut e cila e shkrin e të ngroh. Ja kështu e gjithë struktura, ndërtuar mbi vetën e dytë, çka e kthen lexuesin në bashkautor.

  1. “Hija e mbretit” nga Viktor Canosinaj

hija-e-mbretit

Ky roman trajton raportet e individit me pushtetetin dhe vullnetin e nje tirani te gjithëpushtetshem që bën me vendin e tij çdo gjë që dëshiron, duke përfshirë edhe djegien e të gjithë librave, për të nisur një epokë të re. Është një roman kushtuar lirisë, dashurisë dhe kurajës njerëzore për t’u përballuar me të keqen.

Ky libër konsiderohet si basti i autorit Viktor Canosinaj me lexuesit e tij, – njëherësh shfaq edhe pjekurinë maksimale në rrëfim të autorit.

  1. “Thika pa gjak” nga Zija Çela

thika-pa-gjak

Nëse je në kërkim të leximit të një tregimi të mirë, – që ta përpish brenda pak minutash – dhe pas leximit, – të marrësh një leksion të fortë jete, – padyshim, ky libër është i duhuri: Pas përfundimit të secilit prej tyre, – do të të duket sikur po mban gurë të çmuar në duar dhe do të përftosh një stërvitje, pse jo, – një terapi për mendjen. Kjo është fuqia magjike e rrëfimeve të autorit Zija Çela.

Me të drejtë Akademik Mehmet Kraja shkruan për këtë buqetë rrëfimesh: “Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin. “Thika pa gjak” është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar”.

materiali

Të gjithë këto libra i gjeni online tek Bukinist, – në ofertë deri më 31 gusht 2021.

Për më shumë, shiko tek LINKU:

Na shkruaj tek: info@bukinist.al

Ose telefononi tek: 044508282

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *