9 tregimtaret shqiptare qe rekomandojme per lexim

materi

materi

Leximtari ka përzgjedhur disa nga autorët më të spikatur të tregimit bashkëkohor shqiptarë, të cilët i rekomandon për t’i bërë pjesë të leximit

Letërsia shqipe ka arritur nivelet më të larta përmes zhanrit të tregimit. Në vijim të traditës, letërsia bashkëkohore shqiptare sot ka tregimtarë më të mirë sesa romancierë apo poetë, qoftë përsa i përket teknikave narrative, qoftë edhe përsa i përket botëkuptimit që sjellin para lexueve. Sigurisht, këtu ka vend për diskutime, por përmes zhanrit të tregimit shfaqet një larmishmëri narrative, shije të ndryshme estetike, dhe eksperimentime qoftë në lëmin e tregimit modern, postmodern apo edhe në format e tjera.

Leximtari ka shqyrtuar me vëmendje fondin e autorëve që lëvrojnë tregimin e shkurtër në ditët tona, dhe duke u bazuar mbi kërkesat e lexuesve, mbi gjendjen e botimeve që janë në qarkullim, si dhe mendimin e kritikës, kemi përgatitur një listë me 10 tregimtarë të cilët i rekomandojmë për ti lexuar gjatë këtij viti. Zija Çela, Mira Meksi, Ramiz Gjini, Roland Gjoza, Faruk Myrtaj, Kim Mehmeti, Eqrem Basha, Teodor Keko dhe Kliton Nesturi janë përzgjedhur me nga një vepër, të cilën e gjeni online edhe tek Bukinist.al.

Kësaj liste i mungojnë edhe shumë autorë të tjerë të spikatur të ditëve tona, si Ardian Kyçyku, Lazër Stani, Arian Leka, Gazmend Krasniqi, Mehmet Kraja, Ridvan Dibra, Roemo Çollaku, Agron Tufa, Virion Graçi, Arben Dedja, Shkëlqim Çela, Alban Bala, Ylljet Aliçkaj, etj., për shkak të pamundësisë së veprës së tyre për të qenë në qarkullim në këtë moment. Por, kjo listë gjithsesi mbetet një përzgjedhje subjektive e momentit e Leximtarit, pa pretenduar që të shkojmë më tej. Synimi ynë është promovimi i autorëve shqiptarë që lëvrojnë tregimin, duke shpresuar që herë të tjera të rekomandojmë autorët e sipërpërmendur apo prurje të reja në këtë zhanër të letrave shqipe.

12345-tregimi

Për më shumë, ju ftojmë që të ndiqni listën e veprave të tregimtarëve të përzgjedhur:

1. “Thika pa gjak” nga Zija Çela

thika-pa-gjak

Zija Çela e ka lëvruar tregimin përgjatë më shumë se katër dekadave, dhe sot konsiderohet ndër mjeshtrat më të spikatur të tregimit bashkëkohor shqiptarë. Ndonëse është autor i disa romaneve, shumica e lexuesve të pasionuar me rrëfimin e tij, befasohen nga mënyra sesi e përcjell historinë tek lexuesi, magjepsen me thellësinë dhe thjeshtësinë e tij, befasohen nga e papritura dhe misteri: të duket sikur ndodhesh përballë një bukurie të befasishme. Përmes tregimit të Zija Çelës vjen një botë kaotike, në tension, – aq më tepër realiteti shqiptar, ku përmes fuqisë së brendshme të autorit, teknikave narrative dhe aftësive reflektuese, – e kupton më mirë botën që na rrethon. “Thika pa gjak” është përmbledhja e fundit e autorit, – padyshim më e mira, – me prurjet më të fundit në lëmin e tregimit nga ky autor, të cilin e rekomandojmë për lexuesit, duke qenë të bindur se është ndër prurjet më të mira të tregimit bashkëkohor shqiptarë.

2. “Flutura mes gjinjve” nga Mira Meksi

flutura-mes-gjinjve

Mira Meksi vjen me një përmbledhje tregimesh dhe novelash para lexuesit shqiptar: Pas suksesit me dy novelat “Vrasje në Venecia” dhe “Pa zemër në kraharor”, botuar gjatë vitit 2016, dhe “Hakmarrja e Kazanovës”. Në këtë vëllim janë në një koleksion 16 tregime mistike dhe fantastike, që shënojnë një pamje të re të prozës së shkurtër shqipe.

Lëvrimi i prozës së shkurtër, këtu vjen si një sintezë e përpunimit të laboratorit të brendshëm krijues të Mira Meksit, edhe si lexuese e përkorë e letërsisë botërore, – klasike apo moderne, – por, edhe si përkthyese. Padyshim, gurra ku ushqehet proza e saj, krejt ndryshe nga e shumë krijuese të tjetrë shqiptarë, është letërsia hispanike, pa përjashtuar edhe ndikimet që ka pasur ndërvite në prozën e saj edhe letërsia evropiane, e cila ka një bashkëjetesë historike me sistemin letrar shqiptar. Llojshmëria e ndërveprimit me modele përtej-europiane, i jep një veçantësi prozës së shkurtër të Mira Meksit, por prej këtej burojnë edhe faktorë të tjerë, të cilët formësojnë poetikën origjinale të kësaj tregimtareje.

3. “Posta që sjell era” nga Ramiz Gjini

posta-qe-sjell-era

Në këtë vëllim vjen një përmbledhje me tregimet më të mira të Ramiz Gjinit, një pjesë e të cilave të përkthyera në gjuhë të huaja, anglisht, rumanisht, etj. Tregime që të magjepsin me mënyrën e rrëfimit dhe mesazhet që përcjell. Autori, i cili prej kohësh jeton në SHBA, sjell një mënyrë të re rrëfimi, – produkt i talentit të autorit, por edhe i shkollave më të mëdha të “short story-t” në ditët tona. Gjini e transformon realitetin tonë, përmes një vëzhgimi të mprehtë, therës, analizues dhe depërtues duke përdorur teknikat e rrëfimit të shkollës amerikane të rrëfimit, – me emra të tillë të spikatur si Raymond Carver, O’Connor, Faulkner, etj. Ai rrok imtësira të jetës së zakonshme, përmes të cilave sjell sintezën e realitetit tonë, të gjërave të kapshme dhe të parrokshme rreth e rrotull nesh. Kushdo që do të lexojë prozën e shkurtër të Ramiz Gjinit, do të befasohet dhe mrekullohet njëherësh për fuqinë sintetizuese dhe kompaktësinë në rrëffim si dhe do të kalojë një terapi të mirë për mendjen përmes rrëfimit të tij.

4. “Hije në grila” nga Eqrem Basha

hije-ne-grila

Eqrem Basha është ndër tregimtarët më të mirë shqiptarë të ditëve tona dhe sigurisht është një pikë referimi e tregimit bashkëkohor shqiptarë. Në letrat shqipe debutoi në vitin 1971 me vëllimin e tregimeve Shëtitje nëpër mjegull”. Po këtë vit botoi dhe librin me poezi, Opuset e maes­tros. Pasuan dhjetë libra me poezi, katër me tregime dhe katër romane (Dyert e heshtjes, Alpinisti, Lakorja e Ik’sit, Varrë). Në vitin 1999 prestigjiozja frënge Fayard botoi librin me tregime Les ombres de la nuit, ndërsa përmbledhje me poezi iu përkthyen serbisht, polonisht (Seyni), anglisht (Nju Jork), frëngjisht dhe esperanto.

Titulli i librit “Hije në grila” është element përbashkues i 12 tregimeve të këtij vëllimi, të cilin mund ta përngjasosh edhe me një roman, i ndarë në tre grupe tregimesh. Besoj se për këdo që e pëlqen prozën e shkurtër, ka se ç’të mësojë nga rrëfimi i Eqrem Bashës.

5. “Për shkak të vajzave nga Parisi” nga Roland Gjoza

per-shkak-te-vajzave-nga-parisi

Në këtë libër më tregime ajo që bie në sy më fort është tematika e dyzuar; njeriu ballkanas në udhëtimin e tij drejt të panjohurës; emigracionit. Vendi ku përplasën fatet është Amerika.

Më penelata të ngjeshura përplot emocion zbulohet dilema e madhe: Do të qëndrojmë, apo do të kthehemi? Sepse ballafaqimi i parë është si një nokdaun në ringun e jetës.

Në këto dilema, apo mësime; mëshirë për të rrëzuarin, dështimi është përvojë, jo humbje, qëndro, vetëm qëndro, duro dhe prit, syri i tregimtarit njohu pamje të reja të sjelljes së individit në një vend të huaj.

Megjithëse në moshë të thyer, ai punoi 11 vjet në Nju Jork dhe përvoja e këtyre viteve u ngjiz në tregimet e këtij libri. Por nuk mjafton vetëm vëzhgimi i përimët, apo përvoja vetjake, duhet dhe frymëzimi, mjeshtëria, të cilat dëshmohen me forcë në faqet emocionuese të këtij libri.

Emigranti është udhëtari në kërkim të një identiteti të ri. Udhëtari i suksesit apo i dështimit, që përmblidhen në fjalën domethënëse e aq dramatike; përshtatja me Amerikën, Botën e re.

Pikërisht të lufta për t’u përshtatur është dhe thelbi i historive në këtë përmbledhje, më ngjyrim të theksuar autobiografik. Gjithashtu dhe çështje të tjera jetike që e mundojnë emigrantin si: vështirësitë gati të papërballueshme që has në fillim dhe malli për atë që ka lënë pas; tokën e tij, të afërmit, miqtë…

Në këto përplasje me mjedisin, punën, shoqërinë, në një vend të huaj, të madh, me mentalitet krejt të ndryshëm, siç është Amerika, dalin më mirë në pah, me dramacitet, tipa e karaktere të qëmtuar në jetën e metropolit gjigant e që përbëjnë një hop cilësor në prozën e Roland Gjozës.

Intimiteti i ngjarjes, ai mjedis që di të krijojë autori, dukë qenë realist dhe në të njëjtën kohë surealist, herë rrëfimtar si Kuteli i traditës klasike e herë ekstravagant në postmodernizmin e tij si një autor modern, padyshim sjellin në fushën e tregimit shqiptar një frymë origjinale.

6. “Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet dhe disa njerëz” nga Teodor Keko

dymbedhjete-shenjtore-nje-profet-dhe-disa-njerez

Padyshim, Teodor Keko është ndër tregimtarët më të mirë në letërsinë shqipe; – i pasionuar pas tregimit minimalist, – pra pas ngjarjes krejt të zakonshme, të cilën falë mjeshtrisë së tij, e kthen në një tregim të arrirë, përmes të cilit sjell përvojë jete dhe shije estetike. I ngjashëm në stil me tregimtarët me mëdhenj amerikanë të shekullit të XX, Keko arriti të lërë gjurmë në tregimin shqiptarë përmes librave me tregime që na ka lënë.

7. “Këpucë për gjyqin e fundit” nga Faruk Myrtaj

kepuce-per-gjyqin-e-fundit

Kjo është një nga përmbledhjet me tregime më të arrira të autorit Faruk Myrtaj, i cili mbetet një nga tregimtarët më të mirë të viteve 90 në Shqipëri. I shfaqur si tregimtar që në vitet ’80, Myrtaj ka arritur ta përsosë mjeshtrinë e tij si tregimtar me kalimin e viteve. Edhe ky vëllim shënon aftësinë e tij përpunuese në rrëfimin e ngjarjes, – fuqinë depërtuese dhe talentin e tij si rrëfimtar.

8. “Në katin e tretë nuk troket askush” nga Kliton Nesturi

ne-katin-e-trete-nuk-troket-askush

“Në katin e tretë nuk troket askush” është konsideruar si libri më i mirë me tregime i autorit, por gjithashtu është edhe një pasurim i tregimit shqiptar.

Janë tetë tregime të shkruara plot finesë ku ndeshen e takohen fate njerëzore, e ku secili prej tyre dallohet për origjinalitetin dhe ngjyrën që përcjell. Edhe në këtë libër, tek Nesturi spikatin ndjeshmëria artistike dhe mprehtësia krijuese, të cilat vijnë në një shkallë më të lartë. Ngjarjet e tregimeve të përfshira në këtë vëllim, rrokin një dimension të madh kohor, duke i përkitur epokave të ndryshme historike dhe sociale në jetën shqiptare përgjatë një shekulli. Në to, është fati i njeriut shqiptar, pavarësisht vendit ku është ndodhur dhe kohës. Rrëfimet karakterizohen nga nota dramatike, të cilat nuk vijnë si qëllim në vetvete, por si bashkudhëtare të zakonshme të jetës sonë. Edhe në këtë vëllim, Kliton Nesuri paraqitet si një autor i mprehtë ndaj temave sociale dhe shoqërore. Ai arrin të depërtojë thellë brenda botës psikologjike dhe shpirtërore të personazheve të tij, duke mundur t’i zbërthejë ata, mjedisin shoqëror dhe epokën në të cilën jetojnë në mënyrë sa më të plotë.

9. “Anemona” nga Kim Mehmeti

anemona

Për të gjithë ata që e lexojnë këtë vëllim me tregime, të shkruara nga autori rreth dy apo tri dekada me parë, – kupton fuqinë e Kim Mehmetit për të rrëfyer në stilin e realizimit magjik. Fantastikja dhe magjikja vijnë si pakkush tjetër në tregimin shqiptar, – ku autori e merr lëndën nga realiteti shqiptar, nga bota jonë komplekse, nga historitë dhe dramat tona të së kaluarës apo të së tashmes. I gjithë ky vëllim sjell një etapë të artë në krijimtarinë e autorit, por edhe një kolazh të bukur në historinë e tregimit shqiptar.

mesi
Materiali është përgatitur nga Albert Gjoka

Të gjithë këto vëllime me tregime, dhe shumë të tjera i gjeni online tek LINKU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *